Pasaportat/ Kërkohet shkarkimi i ministrit Sveçla, Shala: Bëri telashe të pariparueshme për qytetarët e Kosovës

Politika

Pasaportat/ Kërkohet shkarkimi i ministrit Sveçla, Shala: Bëri telashe të pariparueshme për qytetarët e Kosovës

Nga: A.Zh Më: 8 janar 2023 Në ora: 15:56
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka kërkuar shtetit të Gjermanisë, duke kërkuar që qytetarët e Kosovës të lejohen të hyjnë në Gjermani me pasaportë të skaduar.

Ministri Sveçla ka kërkuar që këto masa të vlejnë deri në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për pasaporta.

Por për shkak të kësaj kërkese, eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Sveçla. Ai ka kritikuar ministrin se duke stopuar procesin për furnizim me material për dokumentet identifikuese, ka shkaktuar telashe të pariparueshme për qytetarët e saj.

“Ministria në fjalë në të kaluarën është ballafaquar me situata të tilla, por që i ka neutralizuar shumë shpejt, duke kryer obligimet ligjore që ka ndaj qytetarëve të saj, por edhe furnitorit. Sepse materiali për t’u furnizuar është me sistemin një burimor, duke ruajtur specifikacionet relevante të sigurisë që ky aktor ministër nuk i ka kuptuar dhe ka stopuar gjithë procesin, i cili nëse përkthehet në gjenerim ekonomik /familjar/arsimor dhe shëndetësor ka bërë telashe të pariparueshme për qytetarët e saj. Ky ministër i MPB-së dhe MPJ-së duhet të shkarkohen dhe të gjenden modele tjera të rrugëve për furnizim”, ka thënë Shala për gazetën “Bota sot”.

Ai ka kritikuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke thënë se ambasadat dhe konsulatat, nuk po i kryejnë detyrat e tyre ndaj bashkëatdhetarëve për pajisje me dokumente identifikuese.

“Parashtrimi i kërkesës zyrtare në drejtim të shtetit gjerman, që qytetarët e Kosovës që kanë të rregulluar statusin e qëndrimit atje, por që për të udhëtuar ju duhet pasaporta, t’iu mundësohet të lëvizin dhe hyjnë në shtetin gjerman, na tregon dy defekte: 1. Ministria e Jashtme (Ambasadat/Konsulatat) në vendet ku janë të hapura, nuk janë duke kryer detyrat e tyre, duke ju plotësuar kërkesat bashkëatdhetarëve tanë për t’u pajisur me dokumente relevante. 2. Ministria e Brendshme, duke mos llogaritur që mungesa e materialit për dokumentat paraqet cenim të sigurisë nacionale, por që ky për këtë post nuk ka njohuri është dëshmuar dhe vërtetuar”, ka theksuar Drizan Shala.

Sveçla ka thënë se Agjencia e Regjistrimit Civil i ka dhënë prioritet lëshimit të dokumenteve për kategori me urgjencë, si rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimit familjar, rastet e aktiviteteve sportive e diplomacia.

“Për qytetarët tjerë më vjen keq, por duhet ti përshtatemi rrethanave që po jetojmë. Jam duke punuar me kompaninë që të furnizojë veten me lëndën e parë dhe pastaj të prodhojë dokumentacionin e nevojshëm që me sjellë në Kosovë”, thuhet në kërkesën e ministrit të Brendshëm të Kosovës, drejtuar shtetit gjerman./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat