Ish-zëvendësministri i Brendshëm komenton plagosjen në Shtërpcë, tregon çfarë mase mund të merret ndaj Kurtajt

Politika

Ish-zëvendësministri i Brendshëm komenton plagosjen në Shtërpcë, tregon çfarë mase mund të merret ndaj Kurtajt

Nga: A.Zh. Më: 8 janar 2023 Në ora: 20:19
Ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj për Azem Kurtajn, pjesëtar i FSK-së, i cili me 6 janar, plagosi dy persona të nacionalitetit serb në Shtërpcë.

Sipas Gjykatës, Kurtaj dyshohet për tri vepra penale: “Vrasje në tentativë”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi se deri te plagosja erdhi pas një mosmarrëveshjeje verbale mes Kurtajt me turmën e mbledhur në Shtërpcë, të cilët ia kishin pamundësuar lëvizjen më tutje në rrugë.

Image
Hajrullah Tërnava

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshat të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privojë nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largojë, i njëjti i bie borisë, në pamundësi që të lëvizë tutje, e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshjeje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen dhe shtie dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin në Graçanicë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Ferizaj.

Duke komentuar këtë ngjarje, eksperti i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava, ka kërkuar që të bëhet një ripërsëritje e vend shikimit nga ana e zyrtarëve specialistë të policisë-kriminalistike për këto çështje.

“Për shkak të situatës së krijuar në Shtërpcë, ku ushtari e përdori armën dhe pas zbrazjes së armës u plagosën dy serbë të rinj, ku situata deri më tani nuk është zbardhur në detaje, është e nevojshme që të bëhet ripërsëritje e vend shikimit nga ana e zyrtarëve specialistë të policisë-kriminalistike për këto çështje, që janë kompetentë në këto raste që t’i zbardhin rastet e tilla. Prandaj, në bazë të analizave të shikimit të vendngjarjes, tani situata do të ishte më lehtë të zbardhej në detaje, e sidomos kur te plagosurit janë të kombësisë serbe, kurse përdoruesi i armës është ushtar shqiptar në shërbim të FSK-së.”, është shprehur Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Ai ka përmendur se incidenti erdhi pas heqjes së barrikadave që patën bllokuar veriun e Kosovës për më shumë se tri javë.

“Situata e barrikadimeve në veri që zgjatën një kohë të gjatë, e sidomos situata e acarur që mbretëron mes popullit shqiptar dhe serb që nga viti 1990-1999 që ndodhi edhe lufta mes këtyre dy kombeve, më e keqja është se ky konflikt po zgjat në mënyrë permanente edhe më tutje”.

Më tej Tërnava ka thënë se ekspertët duhet të studiojnë nëse ushtari i FSK-së e ka përdorur armën për ta mbrojtur veten nga turma e vërsulur ndaj tij dhe se kjo do të ishte një shkak-arsye për rastin në fjalë.

“Ekspertët e kriminalistikës në këtë rast kur ushtari e përdor armën, duhet në detaje ta studiojnë rastin dhe të vijnë deri te konstatimi nëse ushtari e ka përdorur armën kur disa persona janë vërsulur drejt tij, dhe ushtari e përdori armën në asfaltin rrugor për t’i frikësuar sulmuesit dhe për ta mbrojtur veten, por plumbat rikoshet-qorra i goditën dy personat në fjalë. Në këtë aspekt përdorimi i armës e ka një shkak-arsye për ta trembur/frikësuar masën, që janë drejtuar ndaj këtij individi si i vetëm, e që ushtari e ka kuptuar si sulm ndaj tij nga turma e vërsulur ndaj tij”, ka theksuar ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i cili ka shtuar se nëse konstatohet se dy personat u plagosën nga plumbat rikoshet të devijuar, ndaj ushtarit duhet të ndërmirren masa më të buta.

“Marrë në tërësi, në bazë të analizave të kësaj situate, edhe organet e drejtësisë duhet të jenë vigjilente dhe në bazë të ligjeve t’i ndërmarrin ato kompetenca ligjore ndaj ushtarit që e ka shkrep armën, dhe nëse konstatohet qëllimi i përdorimit të armës në shenjë të frikësimit të masës, e cila masë është vërsulur në drejtimin e ushtarit, dhe nëse konstatohet se personat në fjalë janë plagosur nga plumbat rikoshet të devijuar, atëherë duhet që ndaj ushtarit të ndërmirren masa më të përputheshme më të buta ligjore, sepse me vet faktin që ushtari e bart armën dhe nëse ai sulmohet nga masa, është e kuptueshme se ai do ta përdorë atë armë, por arma në atë rast duhet të përdoret në shenjë të frikësimit të masës, duke e shkrep armë lart në ajër”, ka nënvizuar Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Mbrojtja e Azem Kurtajt, ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë.  Avokati i Kurtajt, Naim Ferati, ka thënë se dy ditë më parë, ushtari i FSK-së është vetëmbrojtur dhe nuk ka drejtuar armën në drejtim të personave të plagosur. Po ashtu, Ferati ka theksuar se Kurtaj ishte bllokuar nga turma e serbëve dhe se ata kishin filluar ta sulmojnë, për çka ka përdorur armën e tij personale./Botasot

Image
Azem Kurtaj
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat