“Luftë në Ballkan”/ Analistët flasin për finalizim të dialogut: Kjo është e keqja më e madhe që po i kanoset Kosovës

Politika

“Luftë në Ballkan”/ Analistët flasin për finalizim të dialogut: Kjo është e keqja më e madhe që po i kanoset Kosovës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 janar 2023 Në ora: 10:07
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po mbetet ende e pazgjidhur.

Serbia është ajo e cila me kërcënimet dhe kërkesat e saj, nuk po pranon ende realitetin që Kosova tashmë është një vend i pavarur dhe demokratik.

Së fundmi pjesë e debateve dhe çështjeve të diskutuara kanë qenë barrikadat, kërksa për kthimin e ushtarëve në Serbi si dhe Asociacioni.

Mirëpo duket sikur kërkim falja nga Serbia për krimet e luftës në Kosovë është lënë anash dhe nuk po përmendet.

Dialogu në bazë të bisedimeve dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare duket që do të ketë përparim, por a do të ketë kërkimfalje nga Serbia?

Mehazi: Vuçiqi, nuk mund të pranonte dëmshpërblimet gjenocidiale ndaj Kosovës, sepse kjo do rëndonte e do shkatërronte jashtëzakonisht ekonominë e Serbisë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai më tej, thotë që ngjarjet e fundit në Kosovë kanë anashkalurplotësisht kërkimfaljet dhe dëmshpërblimet e krimeve makabre serbe në Kosovë.

“Për fat të keq, ngjarjet e fundit tensionuese në veri; këmbëngulja e Serbisë për asociacionet autonome, juridike e ekzekutive të pakicës serbe në Kosovë; plani franko-gjerman për njohjen reciproke, Kosovë-Serbi, ka anashkaluar plotësisht kërkimfaljet dhe dëmshpërblimet e krimeve makabre serbe në Kosovë. E keqja më e madhe është se në pikat e projktplanit franko-gjerman të dialogut përfundimtar për njohje reciproke të Kosovës me Serbinë nuk kemi hasur apo lexuar kërkimfaljen e Serbisë për krimet gjenocidiale të luftës që i ka shkaktuar në Kosovë”, u shpreh ai.

Image
Sulejman Mehazi

Mehazi shton tutje që kryeministri Kurti duhet të kërkojë nga Franca dhe Gjermania që Serbia të kërkojë falje dhe në këtë mënyrë të vihet në zbatim plani franko-gjerman.

“Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin Albin Kurtin gjatë dialogut të ardhshëm para planit franko-gjerman gjithsesi duhet kërkuar nga Presidenti i Francës Makron dhe Kancelari gjerman Scholz që Serbia më parë duhet të pajtohet për kërkimfaljet e krimeve të bëra në Kosovë, nëse presidenti i Serbisë Vuçiqi nuk pajtohet me kërkimfaljen atëherë plani franko-gjeman është i kot për shkak se Serbia dhe në të ardhmen do të vazhdonte kërcënimet jo vetëm me pakicat serbe brenda Kosovës, por edhe me ndërhyrjet policore e ushtarake serbe ndaj Kosovës”, shpjegoi profesori.

Nga ana tjetër profesori shton që gjatë dialogut të ardhshëm në Bruksel delegacioni i Kosovës duhet përqëndruar me parakushtin se pa kërkimfaljen e krimeve gjenocidiale serbe ndaj popullit shqiptar të Kosovës nuk ka dialog me Serbinë.

“Gjatë dialogut të ardhshëm në Bruksel delegacioni i Kosovës duhet përqëndruar me parakushtin se pa kërkimfaljen e krimeve gjenocidiale serbe ndaj popullit shqiptar të Kosovës nuk ka dialog me Serbinë. E kemi të qartë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, nuk mund të pranonte dëmshpërblimet gjenocidiale ndaj Kosovës sepse kjo do rëndonte e do shkatërronte jashtëzakonisht ekonominë e Serbisë, sepse dëmshpërblimet serbe ndaj Kosovës do t'i jepnin shkas edhe Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës të kërkonin këto dëmshpërblime serbe ndaj shteteve të tyre, kështu që shumë humane e njerëzore do të ishte për Serbinë që të kërkonte falje për krimet gjenocidiale absurde të bëra në Kosovë, kërkimfalja e Serbisë do të ishte vetëdijësim, një ndërgjegje penduese serbe ndaj shqiptarëve dhe qytetarëve të Kosovës në veçanti”, nënvizoi Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Perëndimi po frikësohet nga Serbia për një luftë të re në Ballkan

Ndërsa, profesori tjetër, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që pozita e Kosovës në raport me shtetin kriminal serb tek qendrat e vendimmarrjes, në Bruksel, është zbehur dukshëm në kohën e fundit.

“Pozita e Kosovës në raport me shtetin kriminal serb tek qendrat e vendimmarrjes, në Bruksel, në Uashingon, në Paris, madje edhe në Berlin, është zbehur dukshëm në kohën e fundit. Për shkak të kërcënimeve ruse nëpërmjet Beogradit për konflikt të ri ushtarak në Ballkan është rritur interesi për Serbinë. Serbia ka arritur të bëjë vetën faktor esencial për stabilitet në Ballkan”, potencoi ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori tutje, shton që territoret serbe po synohen të zgjerohen, pasi për çdo ditë kërcënon krimineli i i luftës, Vuçiq.

“Shtetet e UE i ka kapluar frika për front të ri të luftës. SHBA është shumë e shqetësuar me ndikimin rus. Rusia financon serbët në Ballkan. Punon dhe e armatoset për të bërë Serbinë superfuqi në këtë anë. Territoret serbe po synohen të zgjerohen. Për cdo ditë kërcënon krimineli i i luftës, Vuçiq”, theksoi profesori.

Në fund, ai përmbyllë që për Perëndimin me rëndësi është që të mos të fillon edhe një front tjetër luftarak në Ballkan.

“Tmerr politik. Është lënë anash përgjegjësia serbe. Për Perëndimin me rëndësi është që të mos të fillon edhe një front tjetër luftarak në Ballkan. Këtu nuk ka rëndësi se kush fiton e kush humb. Serbia ka peshë të madhe”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat