‘Këto territore janë synim i pakompromis i Kosovës dhe i shqiptarëve’

Politika

‘Këto territore janë synim i pakompromis i Kosovës dhe i shqiptarëve’

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 janar 2023 Në ora: 14:44
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq, foto ilustrim

Shkëmbimi i territoreve me Serbinë i promovuar vite më parë nga Hashim Thaçi, si president dhe të tjerë, është shuar si projekt.

Kosova kategorikisht është kundër shkëmbimit të territoreve.

Së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë ka dështuar si projekt politik, por ideja ekziston ende. Por, pavarësisht kësaj ai e ka quajtur këtë si një projekt për luftë.

“Jam shumë i sigurt se presidenti i Serbisë është nostalgjik për ato kohë. Që do të thotë se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar. Por, përsëri, ideja s’ka vdekur. Nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilën mund të kemi progres. Shkëmbimi nuk do të ndodhë. Shkëmbimi është një formulë për luftë. Kurrë nuk mund të kesh kufi perfekt etnik”.

Mehazi: Republika e Kosovës ka lindur nga dy fuqitë politike, strategjike e ushtarake botërore, nga SHBA-të dhe NATO-ja

Image
Sulejman Mehazi

 

Profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se deklarata e Kryeministrit të Kosovës është decidive dhe se përpjekjet e Serbisë për shkëmbim territoresh janë të kota.

“Deklarata e Kryeministrit të Kosovës drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, "se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar" është formulë politike decidive, dhe se të kota janë përpjekjet sentimentale të Serbisë për ndërrime kufijsh. Edhe sikur të donte kryeministri i Kosovës këtë nuk do të guxonte ta bënte për shkak se do të kishte pasoja të mëdha politike e shtetërore dhe karriera e Kurtit do të përfundonte sikurse e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ia bëri me dije presidentit të Serbisë se ideja e tij përmalluese e nostalgjike e kohës së Millosheviçit me formulën: "Trepça punon Beogradi ndërton" (Trepça radi Beograd gradi)" ka vdekur, e kurrë nuk do realizohet dëshira e shkëmbimeve të territoreve të presidentit serb, Vuçiqit”, thotë ai.

Tutje, shton se kushdo që lëvizë kufijtë, të cilët janë edhe në hartën e flamurit të Kosovës, do t’i dënojë gjykata speciale në Hagë.

"Vetë simbolika e flamurit të Kosovës me hartën të vijëzuar rreth e përqark, me kufijtë e palëvizshëm tregon forcën shtetërore se ata që do të lëvizin këta kufij do të dënohen në gjykatën speciale të Hagës, sikurse që i ndodhi ish-presidentit të Kosovës në Hagë.

Republika e Kosovës ka lindur nga dy fuqitë politike, strategjike e ushtarake botërore, nga SHBA-të dhe NATO-ja, dhe politikanët që do devijojnë stemën dhe flamurin e kufijve gjeografik të Kosovës nga SHBA-të dhe NATO-ja do të dënohen e eliminohen nga skena politike.

Albin Kurti e kupton këtë lojë të stemës dhe flamurit të kufijve të Kosovës, të bëra nga fuqitë e mëdha dhe nuk lëviz assesi nga ideja e mbrojtjes së kufijve të Kosovës”, përfundon Mehazi.

Kelmendi: Ndërrimi i territoreve pa bashkim të kombit shqiptar nuk ka perspektivë

Image
Muhmaet Kelmendi

 

Edhe profesori Muhamet Kelmendi shprehet se bazë e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke.

“Kryeministri Kurti e ka mendimin e vet. Atij dhe të tjerëve nuk mund t’ia mohon askush qëndrimin. Parimisht nuk duhet të ketë ndërrim të territoreve pa konsolidim të shtetit ose me bashkim të kombit. Është mirë të ketë njohje reciproke. Bazë e zgjidhjes së çështjes është njohja midis Kosovës dhe Serbisë. Ideja e udhëheqjes së përparshme për ndërrim të territoreve ishte e mbështetur në një bazë të gabuar. Nuk fitonte me ato propozime që qarkullonin në media asgjë Kosova. Vendet më domethënëse për Kosovën, si Mitrovica, Ujmani, Trepça, Medvegja dhe Bujanovci nuk kishin status të caktuar. Ato nuk dilnin në territore të Kosovës. Ai nuk ishte ndërrim. Ishte humbje e madhe e territoreve historike të Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, shqiptarët kanë humbur shumë troje të tyre, andaj tash nuk mund ta humbasin kurrsesi Trepçën, Ujmanin, Mitrovicën etj.

“Ndërrimi ka sukses vetëm nëse respektohet pikësynimi historik i kombit shqiptar. Shqiptarët kanë humbur shumë territore të veta. Tash nuk mundet kurrsesi të humb Trepça, Ujmani, Mitrovica, Bujanovci dhe Medvegja. Këto territore janë synim i pakompromis i Kosovës dhe i shqiptarëve si komb. Me këtë bazë ka sukses ndërrimi i territoreve. Çdo ndërrim i territoreve që mund të shkelë këtë është ripushtim i territoreve shqiptare. Republika nuk mund të pranojë humbje të territoreve”, shprehet ai.

Në fund, profesori thotë se bashkimi i kombit është baza e zgjidhjes përfundimtare të çështjes në Ballkan.

“Republika e Kosovës është shtet mbi 95% i përbërë nga shqiptarët. Ndërrimi pa realizimin e aspiratës historike të bashkimit kombëtar nuk e garanton të ardhmen. Kombet kanë perspektiv vetëm me unitet kombëtar, me bashkim territorial dhe me unifikim të gjuhës, të kulturës, të territorit dhe të formimit psikik e kulturor të kombit. Bashkimi i kombit është baza e zgjidhjes përfundimtare të çështjes në Ballkan. Ka ardhur koha kur armiqtë si serbët, malazezët, maqedonët sllav dhe grek duhet të kuptojnë se pa shqiptarët e bashkuar kurrë nuk ka paqe Ballkani. Këtu qëndron e ardhmja”, përmbylli Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat