Njeriu i rëndësishëm i ShBA-së, nesër në Kosovë - Ja çfarë pritet të ndodhë pas vizitës së këshilltarit të DASh-it!

Politika

Njeriu i rëndësishëm i ShBA-së, nesër në Kosovë - Ja çfarë pritet të ndodhë pas vizitës së këshilltarit të DASh-it!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 janar 2023 Në ora: 20:31
Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, do të qëndrojë në Kosovë dhe rajon më 11 janar, (nesër. e mërkurë).

Kështu ka njoftuar DASh-i, ku thuhet se vizita e Chollet në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Serbi, 11-13 janar, synon të nënvizojë përkushtimin e qëndrueshëm të ShBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Më 11 janar, këshilltari Chollet do të udhëtojë për në Kosovë, ku thuhet se do të takojë krerët shtetërorë me qëllim të diskutimit të përpjekjeve amerikane për të arritur njohjen reciproke Kosovë-Serbi.

Këshilltari Chollet do të vazhdojë në Prishtinë, Kosovë, për t’u takuar me zyrtarë qeveritarë, liderë të tjerë politikë dhe shoqërinë civile për të diskutuar përpjekjet e ShBA-së për të ndihmuar në avancimin e integrimit të Kosovës dhe euroatlantik, duke përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më pas, me 12 janar, këshilltari Chollet do të vazhdojë në Beograd, ku do të diskutojë me udhëheqjen e qeverisë serbe sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për anëtarësim në BE.

Ai do të diskutojë edhe “rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

Kjo vizitë e Chollet vjen pas tensioneve të fundit mes Kosovës e Serbisë dhe mundësisë së rifillimit të dialgout në Bruksel.

Marrë parasysh se një nga temat kryesore të këtyre vizitave është dialogu Prishtinë-Beograd, atëherë mund të thuhet se është një sinjal shumë pozitiv ky angazhim i Amerikës për palën shqiptare.

Opinionistët komentuan për gazetën “Bota Sot” vizitën e këshilltarit të DASh-it dhe prapavijën e saj.

Elezaj: Chollet, pa dyshim se do bëjë presion mbi të dyja palët negociuese

Fillimisht, opinionisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota Sot” vizitën e Chollet e cilësoi si nga vizitat e nivelit më të lartë politik që një funksionar amerikan ia bën Kosovës në vitet e fundit.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, kjo vizitë vjen në kuadër të strategjisë politike dhe ushtarake të SHBA-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Vizita e këshilltarit të Departamentit të shtetit amerikan, z. Derek Chollet të mërkurën, me 11 janar në Kosovë, do jetë ndër vizitat e nivelit më të lartë politik që një funksionar amerikan ia bënë Kosovës në disa vite të fundit, andaj si e tillë për Kosovën ka një peshë të veçantë, ani se ajo vije në kuadër të vizitës së tij në tri vende e rajonit të Ballkanit perëndimor, Maqedoni, Kosovë dhe Serbi.

Unë mendoj se kjo vizitë, para së gjithash, vjen në kuadër të strategjisë politike dhe ushtarake të SHBA-ve në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe atë vazhdën e zbatimit të planeve të saja afatgjate në Evropë dhe më gjerë, gjithnjë në dritën e zhvillimeve të luftës në Ukrainë, si një barometër në raportet Lindje-Perëndim, dhe, atë me theks të veçantë në forcimin e rezistencës së popullit ukrainas kundër agresionit barbarë të Rusisë ndaj një shteti sovran dhe të pavarur siç është Ukraina”, deklaroi ai.

Elezaj potencoi se Kosova për amerikanët është një ‘pikë’ shumë e rëndësishme për interesat e tyre, përfshirë stabilitetin në Evropë.

Po ashtu, tregoi edhe arsyen e vizitës së Chollet në Beograd.

“Pa dyshim, se Kosova për miqtë tanë amerikan paraqet pikë neuralgjike si dhe shumë të rëndësishme për interesat e tyre nacionale si dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë, përfshirë Ballkanin perëndimorë, ku nyje specifike në kuadër të rirreshtimeve të reja strategjike në planin e ndarjes së sferave të interesit, paraqet pikërisht rajoni i Ballkanit perëndimorë, në veçanti Kosova, sepse problem mjaftë të madh në konstelacionin e luftës aktuale në Ukrainë, paraqet qëndrimi i hapur pro-rus i Serbisë, si dhe mos vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, gjë të cilën e dëshmon vetë vizita e z. Chollet në rajonin tonë, me qëllim që ta bindë Serbinë, se e ardhmja e saj është BE e jo me Rusinë fashiste dhe kriminale”, theksoi opinionisti

Më tej, ai vlerësoi se kjo vizitë tregon përkushtimin e madh që SHBA ka ndaj Kosovës dhe ruajtjes së paqes në rajon.

Gjithashtu, paralajmëroi se këshilltari i DASH do të bëjë presion mbi dyja palët negociuese, që marrëveshja të arrihet sa më shpejtë.

Se, çfarë mund të pritet në Kosovë nga kjo vizitë, besoj shumë se kjo e dëshmon në rend të parë përkushtimin e SHBA-ve ndaj Kosovës, ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin perëndimor, dhe ajo që duhet theksuar, është fakti se në deklaratën e tij para kësaj vizita e ka potencuar faktin, se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve të tyre, përfshirë këtu njohjen reciproke midis dy vendeve.

Se, a vjen kjo vizitë në kuadër të përpjekjeve amerikane për ta ndikuar (imponuar) arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, unë mendoj se këshilltari i DASH-it, z. Chollet, pa dyshim se do bënë presion mbi dyja palët negociuese, që marrëveshja të arrihet sa më shpejtë, por se ajo do nënshkruhet gjatë vizitës së tij në rajon, këtë nuk besoj se do të ndodhë, pranë faktit se po shihet qartë, se SHBA-ve dhe BE-së po iu ngutet “për së tepërmi” që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet sa më para që është e mundur. Këtë diskurs të tyre “bolduzher-diplomaci” e tregon edhe vizita e M. Lajçakut dhe G. Escobarit në selinë e NATO-s në Bruksel, ku është biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi”, shpjegoi Elezaj.

Ndër të tjera, opnionisti kritikoi ‘ledhatimet’ që ambasadori amerikan Hill poi a bënë Serbisë, duke thënë se kjo është një gafë e pafalshme.

“Në fund dua ta theksoj një gjë tejet me rëndësi, se ledhatimi i fundit që ambasadori K. Hill është duke ia bërë regjimit të Beogradit fashist dhe pro-rus, ka për ta dëmtuar rënd procesin e dialogut Kosovë-Serbi, sepse të deklarosh publikisht në një televizion serb, se “unë në Rambuje nuk kam qenë për pavarësinë e Kosovës, por për një autonomi të zgjeruar brenda Serbisë, se më vije keq që NATO e ka bombarduar Serbinë..”, etj., kjo është një gafë e pafalshme për një diplomat amerikan të kalibrit të ambasadorit K. Hill, ngase Kosova kurrë nuk ka për t’ia falur Serbisë dhe popullit serb krimet dhe gjenocidin që e kanë bërë në Kosovë ndaj 2 milion shqiptarëve me 1998-99..!?”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Mehazi: Ardhja e Këshilltarit shtetëror të Departamentit Amerikan, Derek Chollet, është shumë e rëndësishme për Kosovën

Kurse, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” vizitën e Chollet e vlerësoi si tejet të rëndësishme.

Image
Sulejman Mehazi

Krahas kësaj, profesori radhiti disa nga temat që këshilltari i DASH do i diskutojë gjatë qëndrimit në Kosovë, përfshirë edhe çështjen e kriminelëve serbë në veri që terrorizuan qytetarët e vendit tonë.

“Ardhja e Këshilltarit shtetëror të Departamentit Amerikan, Derek Chollet, në Kosovë e Serbi është shumë e rëndësishme për të dyja palët, sidomos për Kosovën. Sipas ngjarjeve të fundit mund të konstatojmë se Këshilltari i Departamentit Chollet do vizitojë kryeministrin e Kosovës Kurtin dhe presidentit e Serbisë Vuçiqin për disa shkaqe e qëllime, njëra është për situatën e tensionuar të disa ditëve më parë në veri me barrikadat serbe, shkaku tjetër i vizitës së këshilltarit amerikan është plani franko-gjerman për një marrëveshje përfundimtare e finale të dialogut Kosovë-Serbi, përveç këtyre me siguri këshilltari amerikan do bisedojë edhe për kriminelët serbë në veri të cilët gjatë barrikadave jo që terrorizuan qytetarët e Kosovës, por sulmuan me arme zjarri edhe forcat mbrojtëse të KFOR-it”, deklaroi ai.

Tutje, Mehazi tha se këshilltari amerikan dëshiron të marrë garancion për paqe dhe qetësi mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pra, qëllimi i vizitës së Këshilltarit të Departamentit amerikan, Derek Chollet, është që të merr garancione nga palët kundërshtare, Serbia e Kosova, për një paqë e qetësi në mes dy shteteve; të diciplinonte presidentin e Serbisë, Vuçiqin i cili nxiste e përkrante fuqishëm kriminelët e pakicës serbe në Kosovë, Radojçiqin, Veselonoviqat me rastin e barrikadave serbe në veri”, nënvizoi profesori.

Në fund, si qëllim kryesor të Chollet e vlerësoi përkrahjen e planit franko-gjerman për njohje reciproke.

Kësisoj, qëllimi kryesor i vizitës së këshilltarit amerikan është korrupsioni i pandalshëm në veri nga banditët kriminelë serbë në veri dhe përkrahja e planit franko-gjerman për njohje sa më të shpejtë reciproke të dy shteteve fqinje, Kosovë-Serbi”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat