Kush ishte dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, që e vrau Enver Malokun? - Specialja t’i zbardhë autorët!

Politika

Kush ishte dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, që e vrau Enver Malokun? - Specialja t’i zbardhë autorët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 janar 2023 Në ora: 08:06
Enver Maloku

Sot (e mërkurë 11 janar) janë bërë 24 vite që nga vrasja e kreut të Qendrës Informative të Kosovës, bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, si dhe të gazetës kombëtare “Bota sot”, Enver Malokut. 

Ishte 11 janari i vitit 1999, kur pak metra prej banesës së tij, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës. 

E drejtësia që nga ajo ditë po kërkohet ende, duke shpresuar tashmë në Gjykatën Speciale. 

Kush ishte Enver Maloku? 

Puna e Malokut, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh. 

Herën e parë, në korrik të vitit 1998, atë e goditi plumbi i një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë në derë të banesës së tij. Mesazhi ishte shumë i qartë: Kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë dhe e guximit për shprehje të lirë në Kosovë. 

Zbardhja e vrasjes së tij kërkohet me këmbëngulje e që pas rasteve të fundit shpresa e vetme mbetet Gjykata Speciale. 

Haziri: Është e pafalshme që edhe pas 24 viteve nga vrasja e Enver Malokut, të mos jetë hedhur edhe një hap nga institucionet e drejtësisë 

Në lidhje me këtë temë ka folur për “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri. 

Image
Nexhat Haziri

Ai u shpreh se dënimi i Salih Mustafës ka dhënë shpresa që këto vrasje do të zbardhen shumë shpejt nga Gjykata Speciale. 

Me dënimin e Salih Mustafës ish-komandant Calit nga Gjykata Speciale, ka ngjallur shpresa se do të hetohen dhe zbardhen edhe vrasjet politike gjatë dhe pas periudhes së luftës që më në fund do të vendoset drejtësia edhe për këto raste. Pra, edhe kjo e gazetarit dhe publicistit Enver Maloku. E kam thënë edhe në raste të tjera se për mos zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë, ka munguar vullneti politik si në kohën e UNMIK-ut po ashtu edhe pas periudhës së pavarësimit të vendit”, u shpreh ai. 

Haziri thotë që këto vrasje politike janë përdorur nga LDK për fushata elektorale dhe jo për t’u zbuluar. 

Edhe nga vet LDK-ja, parti kjo që është goditur më së shumti nga vrasja e aktivistëve të saj, nuk është se ka bërë dicka konkrete në këtë drejtim, përpos që në raste i ka përdorur edhe për fushatë elektorale,dhe jo vetëm LDK-ja por edhe familjar të përsonaliteteve të vrara të LDK-së, këto vrasje i kanë përdorur që të bëjnë karrierë politike për interesa krejt personale”, thekson analisti. 

Më tej, ai shton që e vetmja shprese për zbardhjen e kësaj vrasjeje, por edhe të tjerave është Gjykata Speciale, pasi këto vrasje nuk kan qenë vrasje spontane, por kanë qenë të organizuara mirë nga një qendër politike. 

Andaj është e pafalëshme që edhe pas 24 viteve nga vrasja e Enver Malokut, të mos jetë hedhur edhe një hap nga institucionet e drejtësisë për zbardhjen e saj dhe vrasësit apo urdhërdhënësit të marrin dënimin e merituar. Andaj e vetmja shprese për zbardhjen e kësaj vrasjeje, por edhe të tjerave është Gjykata Speciale, pasi këto vrasje nuk kan qenë vrasje spontane, por kanë qenë të organizuara mirë nga një qender politike që ka urdhëruar vrasjen e tyre për qëllime të marrjes së pushtetit dhe dëmtimin e fuqisë politike të Presidentit historik të Kosovës Dr.Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës”, nënvizoi Haziri për “Bota sot”. 

Latifi: Vrasja e Enver Malokut dhe e veprimtarëve politikë edhe sot ka mbetur barrë e rëndë për zbardhjen e kriminelëve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë 

Haki Latifi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që vrasja e Malokut është një nga vrasjet më të kobshme që ngjallë të njëjtin emocion të dhimbjes si më herët. 

Image
Haki Latifi

Për fat të keq për çdo përvjetor edhe ky përvjetor në të cilën  mbushen 24 vite nga vrasja e themeluesit të QIK-ut, atdhetarit dhe Intelektualit, Enver Malokut, njerit prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, na kujtojnë një ndër ngjarjet e kobëshme siç është rasti i atentatit ndaj tij. Në të cilën ngjallin ndjenjat dhe emocionet për humbjen e hershme të këtij intelektuali dhe atdhetari me përmasa ndërkombëtare”, thekson ai. 

Latifi më tej, thotë që Enver Maloku e dinte që ishte cak i kërcnimeve, në të cilën fati e shpëtoj në atentatin ndaj tij në korrik të vitit 1998, e dinte rrezikun e punës së tij, po nuk u ndal për asnjë moment. 

Ai, me punën e tij të palodhur të gazetarit profesional, gjithmonë gjendej në zjarrin e informatës në terren dhe nga terreni. Ai i vuri themelet e informimit dhe të lajmeve zyrtare në kuadër të Qendrës dhe paanësinë të mbështetur në fakte e argumente, gjithmonë në interes kombëtar të vendit. Ishte burrë i guximit të madh, pranoi të ishte gazetar i lajmeve të ditës, që është punë e vështirë në kohë të vështira, sidomos në kohë lufte. Enver Maloku e dinte që ishte cak i kërcnimeve, në të cilën fati e shpëtoi në atentatin ndaj tij në korrik të vitit 1998, e dinte rrezikun e punës së tij, po nuk u ndal për asnjë moment”, shpjegon tutje Latifi. 

Vrasja e Enver Malokut dhe e veprimtarëve politikë edhe sot ka mbetur barrë e rëndë për zbardhjen e kriminelëve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë 

Dihet se, vrasja e Enver Malokut, shtyllës kryesore të QIK-ut, ishte interes vital i okupatorit serb që kishte interes vital për shuarjen e zërit që promovonte lirinë për Republikën e Kosovës. Vrasja e lajmtarit të Lirisë së Kosovës, Enver Malokut dhe e veprimtarëve politikë edhe sot ka mbetur barrë e rëndë për zbardhjen e kriminelëve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Shteti i Kosovës ia ka borxh familjës së Enver Malokut dhe gjithë atyre familjeve që iu vranë djemtë më të mirë nga kriminelët të cilët kanë vetëm një emër;  tradhtarët e kombit shqiptar dhe dorë e zgjatur e okupatorit serb”, shton tutje ai. 

Sipas Latifit, drejtësia e Kosovës ka dështuar në zbardhjen e kësaj vrasjeje dhe shumë vrasjeve tjera politike, dhe tani familjarët shpresat i kanë tek Gjykata Speciale, e cila përfshin hetimet deri në fund te vitit 2000. 

Kjo siç shprehet ai mundësin ti zbulojë vrasësit dhe kriminelët ta marrin denimin e merituar. 

Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të punojnë pareshtur që t’i zbardhin të gjitha rastet, paqe për familjet dhe Kosovën nuk do të ketë pa u zbardhur vrasjet politike. Pa kurrëfarë dileme, kjo ishte vrasje politike dhe ishte goditje e rëndë për familjen, QIK-un dhe gjithë Kosovën. Mendoj se, edhe në kuptimin profesional pati ndikime vrasja e tij, sepse ishte strumbullari i QIK-ut. Jemi dëshmitar kur Qendra për Informim e Kosovës (QIK) në kohën kur udhëheqej nga Enver Maloku ishte shndërrua në një Agjenci Informative Kombëtare të përmasave evropiane dhe më gjerë e cila ishte e vetmja dritare informative për shqiptarët. Me të cilën në mënyrë vullnetare, dhe me përkushtim bashkëpunuan shumë veprimtarë politikë, komisioner për të drejtat e njeriut, gazetar nga të gjitha viset shqiptare e deri te ajka intelektuale e kohës sa ishte gjallë Enveri. Ku prej vitit 1993 e deri në vdekje e drejtoi me shumë sukses këtë Qendër, e cila u bë hal në sy e okupatorit serb. Për fat të keq drejtësia e Kosovës ka dështuar në zbardhjen e kësaj vrasje dhe shumë vrasjeve tjera politike, dhe tani familjarët shpresat i kanë tek Gjykata Speciale, e cila përfshin hetimet deri ne fund te vitit 2000, e cila ka mundësin ti zbuloj vrasësit dhe kriminelët ta marrin denimin e merituar. Pra është brenda periudhës së kompetencave që Kuvendi i Kosovës i ka dhënë Specialës. Mbi të gjitha është në interes të vendit që populli të kuptoj kush është vrasësi e kush janë çlirimtarët”, thotë ai. 

Ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, ndër të tjera tha që adresa e vrasësit është e qartë, vrasësi dhe adresa e vrasësve të Enver Malokut është e kthjelltë si dita me diell, e ai është dorë e zgjatur e okupatorit serb. 

Mendoj se adresa e vrasësit është e qartë, vrasësi dhe adresa e vrasësve të Enver Malokut është e kthjelltë si dita me diell, e ai është dorë e zgjatur e okupatorit serb. Është po ajo adresë që ka vra Fehmi Aganin dhe Xhemail Mustafën dhe shumë atdhetarë të tjerë të vendit. Gjithashtu edhe organet vendore, prokuroria vendore dhe organet e drejtësisë në Kosovë duhet të dëshmojnë në vepër në ndriqimin e këtyre rasteve, sepse është në interes të vendit jo vetëm e familjeve dhe jo vetëm bashkëveprimtarëve, por të Kosovës që këto çështje të zbardhen një herë e përgjithmonë dhe ata që i kanë bërë këto ta marrin dënimin e merituar. 

Lavdi dhe i përjetshëm mbetet kujtimi për të”, përfundoi Latifi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat