Rasti i Shtërpcës, serbët vranë fëmijët e vet në Kosovë, por shqiptarët kurrë se bënë këtë!

Politika

Rasti i Shtërpcës, serbët vranë fëmijët e vet në Kosovë, por shqiptarët kurrë se bënë këtë!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 janar 2023 Në ora: 10:15
KFRO-i në veri

Më 6 janar Policia e Kosovës kishte njoftuar se dy persona, njëri 11-vjeçar dhe tjetri 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës.

Sipas njoftimit, ndaj tyre është shtënë me armë zjarri nga një i dyshuar, i cili ishte me një automjet të udhëtarëve, në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt.

Lidhur me rastin PK-ja ka identifikuar e më pas ka arrestuar të dyshuarin me inicialet Azem Kurtaj, i moshës 33-vjeçare nga Kaçaniku.

I dyshuari është pjesëtar i FSK-së, ndërsa deklarata e tij për arsyet e plagosjes ende nuk është bërë publike.

Rasti i “Shtërpcës” rikthen në kujtesë vrasjen e gjashtë vetave, fëmijë dhe të rinj serbë, 5 nxënës dhe një student, në kafiterinë “Panda” në Pejë, në vitin 1998, krim i pa zbardhur ende.

Krimin, i cili është kryer më 14 dhjetor të vitit 1998, autoritetet e atëhershme të shtetit serb e patën quajtur akt terrorist dhe për të i patën fajësuar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Serbia para pak vitesh e pranoi zyrtarisht se rasti “Panda” ishte kryer nga vetë shteti serb.

Rreth tri javë më parë, autoritetet e tanishme të larta të Serbisë kanë paralajmëruar se lidhur me krimin në Pejë, nuk ka argumente se e kanë bërë shqiptarët dhe se opinioni në Serbi do të ballafaqohet me lajme të tmerrshme lidhur me këtë rast.

Mania kolektive për të "dënuar krimin"

Duke folur për një ndërlidhje të mundshme për rastet, analistët politikë thonë se nuk janë të njëjtë, kjo pasi rasti në Shtërpcë është vetëmbrojtje.

Analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se “Panda” ka qenë një aksion i projektuar dhe ekzekutuar nga strukturat e sigurimit shtetëror të Serbisë, me qëllim të vënies së fajit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Duhanajt, rasti i plagosjes në Shtërpcë është rast i izoluar dhe duhet hetuar mirë, para se të dilet në konkluzione.

“Për mendimin tim, rasti i plagosjes së dy të rinjve, pjesëtarë të komunitetit serb në Shtërpcë, dhe rasti "Panda" i cili kishte ndodhur në Pejë nuk kanë asgjë të përbashkët. “Panda” ka qenë një aksion i projektuar dhe ekzekutuar nga strukturat e sigurimit shtetëror të Serbisë, me qëllim vënien e fajit UÇK-së. Ata vranë fëmijët serbë të Kosovës për qëllime propagande, duke u munduar ta paraqesin UÇK-në si organizatë "terroriste". Rasti i plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë, është rast i izoluar dhe i cili duhet hetuar mirë, para se të dilet në konkluzione. Edhe në këtë rast u vërejt mania kolektive për të "dënuar krimin", pa e ditur aspak rrjedhën e ngjarjeve”, ka deklaruar Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Ai e quan rast të rëndë plagosjen në Shtërpcë, por sipas tij, duhet të zbardhen rrethanat dhe pastaj të merren masat e përgjegjësisë.

“Natyrisht që është rast i rëndë dhe se duhet hetuar deri në fund në mënyrë që të zbardhet e vërteta. Por, të dilet me konkluza e akuza kuturu, nuk është as e drejtë, as nuk i shërben as vendit e as zbardhjes së rastit. Tek pasi të zbardhen rrethanat duhet të dalin edhe masat e përgjegjësisë, të cilat duhet të zbatohen pa e marrë parasysh aspektin politik, as emocional. Kosova duhet të tregoj gatishmëri dhe aftësi për ta menaxhuar, zbardhur dhe zgjidhur një rast të tillë, i cili po ashtu mendoj që duhet trajtuar me prioritet maksimal, sepse çdo keqinterpretim i shkon në dëm Kosovës”, thekson Duhanaj.

Gjersa autoritetet e larta të Qeverisë së Serbisë patën deklaruar se ka informata që çojnë drejt dyshimeve se hetimet lidhur me krimin në kafiterinë “Panda” në Pejë, nuk janë bërë në mënyrën profesionale të dëshiruar dhe se këto autoritete janë duke punuar lidhur me këtë çështje.

Në Shtërpcë nuk ka pasur sulm, por vetëmbrojtje

Në anën tjetër, për rastin në Shtërpcë opozita serbe akuzon për inskenim presidentin Aleksandër Vuçiq, kurse politikanët në Kosovë kanë bërë thirrje për ruajtje të qetësisë dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë ta zbardhin rastin.

Ish-agjenti i SHIK-ut dhe njohës i rrethanave politike në vend, Naim Miftari, thotë se në Shtërpcë nuk ka pasur sulm, por vetëmbrojtje.

Ai këto i quan lodra të dirigjuara nga Beogradi, gjersa ka kërkuar që me rastin të merret edhe EULEX-i edhe AKI-ja.

“Në rastin e Shtërpcës nuk ka pasur sulm, por vetëmbrojtje. Akti është bërë në vetëmbrojtje nga sulmi dhe pengimi i lëvizjes së lirë në rrugët shtetërore nga serbët e dalldisur dhe të dehur, por edhe lodra të dirigjuara nga Beogradi, vetë paraqitja e akterit që çuditërisht del tejet edhe pjesë e FSK-së, shfaq shumë dyshime. Dhe pos prokurorisë në këtë rast duhet të ftohet edhe EULEX-i në ekspertizë, por të angazhohet edhe AKI-ja pasi ka shumë dyshime”, thotë Miftari.

Image
Naim Miftari

Miftari pohon se duhet të hetohet pjesëtari i FSK-së, por ai ka shtuar se ka informacione se serbët e kanë provokuar.

Sipas tij, nëse do të ishte sulm me qëllim vrasjeje, ata do të goditeshin në kokë.

“Pse jo të hetohet edhe pjesëtari i FSK-ës. Ka shumë rastësi në këtë rast, plus shumë reagime të koordinuara në mes vetit dhe nëse vërtetohet se pjesëtari i FSK-së ishte futur rastësisht në këtë sherr, pasi kam informacione 100 % se serbët e dalldisur provokuan çdo njeri që në atë kohë ka rastisur në atë pjesë të rrugës. Nëse vërtetohet se pjesëtari i FSK- ës rastësisht udhëtonte në atë kohë dhe se shtiu me armë në ajër dhe në tokë në vetëmbrojtje, pjesëtari i FSK-së duhet të mbrohet e të rikthehet në punë dhe në familjen e tij, pasi që nëse do të ishte një sulm i organizuar me qëllim vrasje, siç po thotë propaganda e Beogradit, disa media edhe në Kosovë dhe ministri Rashiq në Prishtinë, atëherë do të goditeshin në kokë serbët e plagosur. Dhe një fakt që askush s’po e përmend, shqiptarët nuk vrisnin fëmijë kurrë, gjatë krejt historisë, nuk kanë vrarë fëmijë të askujt as të armikut serb”, përfundon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat