Paralajmërimi i kolonelit amerikan Fischer/ Bllok Serbisë! A është kjo rruga e anëtarësimit të Kosovës në NATO?

Politika

Paralajmërimi i kolonelit amerikan Fischer/ Bllok Serbisë! A është kjo rruga e anëtarësimit të Kosovës në NATO?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 11 janar 2023 Në ora: 18:57
Jeffrey H. Fischer

Koloneli amerikan në pension, Jeffrey H. Fischer, pas tensioneve të fundit që ndodhën në veri të Kosovës, ka deklaruar se përshkallëzimi i mëtejshëm i Serbisë do të çojë në përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO së bashku me Finlandën dhe Suedinë.

Së fundi, NATO-ja të përcjell qartë se nëse Serbia dëshiron të vringëllojë me armë si një ishull në detin e NATO-s, atëherë le të jetë ashtu. Megjithatë, Perëndimi nuk do ta lëmojë më sjelljen e saj fëminore. Për më tepër përshkallëzimi i mëtejshëm i Serbisë do të çojë në përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO së bashku me Finlandën dhe Suedinë”, ka deklaruar Fischer, në një shkrim autorial, ku i ka prezantuar NATO-s katër propozime që duhet t’i ndërmarrë në raport me Serbinë.

Momenti i Kosovës

Image

Prof.dr. Enver Bytyçi

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, propozimet e Fischerit janë një udhërrëfyes efektiv për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Koloneli amerikan në pension, Jaffrey Fischer ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës dhe ka dhënë një lloj recete të kuptueshme dhe efektive për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Para pak vitesh kam shkruar dhe kam theksuar se opsioni i zgjidhjes, nëse dështon dialogu midis të dyja vendeve, është e duhet të jetë që shtetet anëtare të NATO-s e të BE-së që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, ta njohin atë dhe të nisë anëtarësimi i saj në këto dy organizata më të rëndësishme ndërkombëtare. Pas kësaj do të vinte natyrshëm pranimi në OKB. Sepse është e pamundur që një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së të mos ishte pjesë e organizatës së Kombeve të Bashkuara. Fischer e ka aktualizuar këtë opsion në rrethana të reja të zhvillimeve evropiane e rajonale”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, ashtu siç ndikoi lufta në Ukrainë në përshpejtimin e pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, ashtu duhet të veprohet edhe me Kosovën pas kërcënimeve të hapura nga Serbia.

Paralelizmi është i qartë: Nëse agresioni rus kundër Ukrainës çoi në përshpejtimin e procedurave të pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, presioni dhe përpjekja e Beogradit për ta destabilizuar Kosovën duhet të çojë gjithashtu në të njëjtin drejtim. SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe vende të tjera me peshë në Aleancën Atlantike kanë të gjitha avantazhet për t'u bërë presion Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë që ato ta njohin Kosovën si reaksion ndaj veprimeve destruktive të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se tri prej këtyre katër vendeve, përkatësisht Greqia, Sllovakia dhe Rumania, nuk kanë kundërshti të mëdha kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Ato mund ta njohin Kosovën me pak ndërhyrje dhe koncesione nga vendet e fuqishme. Spanja pas kësaj do të mbetej e izoluar dhe asnjë vend në Evropë nuk dëshiron të tregohet me gisht si “delja e zezë”! Kësisoj edhe Madridi do të votonte anëtarësimin e Kosovës në NATO. Unë e shoh të mundshëm një angazhim dhe opsion të tillë. Koloneli amerikan thjesht ka dhënë modelin e zgjidhjes pa Serbinë, derisa Serbia jo vetëm ka bllokuar dialogun dhe zgjidhjen, por bën përpjekje për ta zgjeruar konfliktin në rajon”, shpjegon më tej profesor Bytyçi.

Siç thotë Bytyçi, tani Kosova është në momentin më të mirë të saj.

“Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë kategorikisht kundër një konflikti të ri në Ballkan, sepse kjo do t’i ndihmonte dhe shërbente agresionit rus në Ukrainë. Vëmendja e Perëndimit do të spostohej në Ballkan dhe Moska e Kremlini do të merrnin fuqi e përparësi në luftën që bën për pushtimin e territoreve të Ukrainës. Ndërkohë një konflikt midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të mbetej i izoluar. Lufta do të përfshinte edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, para së gjithash Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe e gjitha kjo do të shkonte në favor të një konflikti turko-grek. Nëse ndodhin këto, atëherë edhe NATO-ja merr fund si një aleancë politiko-ushtarake e aftë për të ruajtur ose për të vendosur rendin, rregullin dhe paqen në Evropë dhe në botë”, deklaron Bytyçi.

Sipas Bytyçit, anëtarësimi i Kosovës në NATO është një kërkesë e kohës, dhe këtë moment duhet ta shfrytëzojë Kosova.

“Për këto arsye koloneli Fischer ka shumë të drejtë në rekomandimet që ai jep. Nisja e një procesi anëtarësimi të Kosovës në NATO është imperativ i kohës së sotme. Këtë moment duhet ta shfrytëzojë Kosova, qeveria e saj, presidentja dhe institucionet e tjera të shtetit. Parlamenti, Kryeministri dhe Presidentja duhet të miratojnë sa më shpejt një rezolutë me kërkesën unanime të të gjithë faktorit politik në Kosovë që vendi të nisë procedurat e anëtarësimit në Aleancë. Qoftë dhe ky akt do ta bëjë Beogradin që të rezervohet dhe të tërhiqet nga politikat e tij destruktive në Kosovë”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi bën thirrje që politika dhe diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës të punojnë bashkë për këtë opsion.

“Por, unë nuk pres që të ndodhë kjo, sa kohë që Edi Rama ruan lidhjet e tij specifike, unike, të papërsëritshme dhe jologjike me destruktivistin e Ballkanit, Aleksandër Vuçiqin. Megjithatë mundësitë janë reale dhe momenti është i artë. Vuçiq po e shtyn vetë procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Ai nuk ka e nuk mund të ketë asnjë alibi që ta kundërshtojë këtë proces, sepse në vend të alternativës së tij të luftës, konfliktit e destabilizimit të rajonit, pranimi i Kosovës në NATO është antidoti i menysë që ofron Beogradi!”, deklaron profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Anëtarësimi në vitin 2028

Kurse eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se situata e Kosovës nuk është e ngjashme me atë të Finlandës dhe Suedisë sa i përket anëtarësimit në NATO.

Image
Drizan Shala

“Finlanda dhe Suedia janë në situatë krejt ndryshe nga ajo që është Kosova, për arsye që NATO-ja ka ndërvepruar me dy shtetet e Skandinavisë në shumë misione humanitare ushtarake që janë zhvilluar që nga viti 1994, ndërsa të dyja shtete skandinave nënshkruan marrëveshjen për partneritet për paqe, të cilën Kosova nuk është as së afërmi me nënshkru”, shprehet Shala.

Sipas Shalës, tek në vitin 2028 mund të pritet një anëtarësim i plotë i Kosovës në NATO.

“Sepse NATO-ja përpos që është eksponent ushtarak, ka në veti edhe karakter politik dhe që në atë pjesë Kosova ka veton e shteteve anëtare të BE-së që janë pjesë e NATO-s. Kosova do ta ketë parasysh faktin që pas përmbylljes së procesit të transformimit nga FSK-ja në FAK në 2028, të mund ta bëjë vlerësimin e nivelit të njohurive sipas standardeve të NATO-s dhe tek atëherë të mund të procedohet tutje”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat