Refuzimi i propozimit franko-gjerman/ Plan i ri për Kosovën dhe Serbinë? Gabimi i ndërkombëtareve me Vuçiqin...

Politika

Refuzimi i propozimit franko-gjerman/ Plan i ri për Kosovën dhe Serbinë? Gabimi i ndërkombëtareve me Vuçiqin...

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 13 janar 2023 Në ora: 16:13
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman.

“Planin evropian të mbështetur nga Franca dhe Gjermania ne e kemi parë si bazë të mirë për bisedime, ndërsa Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit nacional të sigurisë në Beograd, të mbajtur me 27 tetor 2022, me vendim unanim”, ka deklaruar kryeministri Kurti gjatë ditës së sotme, kur është pyetur se a është plani franko-gjerman i përafërt për marrëveshje finale.

Kurse Këshilltari special i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se Beogradi dhe Prishtina duhet të fokusohen në diskutimet për propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Këshilltari special Chollet theksoi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë të gjitha përpjekjet e bëra për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, duke theksuar se (SHBA) mbron vendosjen e fokusit të agjendës drejt së cilës palët në dialog duhet të fokusohen në bisedimet për planin franko-gjerman si dhe për formimin e shpejtë të Asociacionit”, thuhet në njoftimin pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Refuzimi serb i planit franko-gjerman

Kurse studiuesi i politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi, për gazetën “Bota sot” thotë se refuzimi i propozimit franko-gjerman nga Serbia, ka ardhur pasi ajo e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Image
Seb Bytyçi

“Serbia e ka refuzuar planin sepse nuk pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe ta imponojë formimin e Asociacionit pa njohje reciproke. Krizën e luftës në Ukrainë, Serbia po synon ta shndërrojë në një mundësi, duke kërkuar koncesione nga Perëndimi në këmbim të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”, thotë Bytyçi, i cili nuk e përjashton edhe një plan të ri për Kosovën dhe Serbinë.

“Plani evoluon sipas kërkesave të palëve, dhe sigurisht se do të ketë forma të reja të planit. Fatkeqësisht po ndodhë një heshtje e këtij refuzimi dhe i janë shtuar presionet publike Kosovës për t'i pranuar kërkesat e Serbisë”, shprehet Seb Bytyçi.

Por, a është refuzimi i këtij plani një fitore për Kosovën dhe një disfatë për Serbinë?

Do të duhej të ishte një fitore për Kosovën ky refuzim, por nuk po ndodhë ashtu, për shkak se nuk janë definuar mirë asnjëherë pasojat e refuzimit. Qasja e diplomacisë perëndimore ndaj Serbisë është akomoduese dhe Vuçiq po shihet si faktor stabiliteti për shkak të jostabilitetit që ai e shkakton. Fatkeqësisht, ka një ngjashmëri me mesin e viteve të 1990-ta me Millosheviçin, ku ai u pa si faktor stabiliteti duke nënshkruar marrëveshjen e Dejtonit. Por, kjo qasje u vërtetua si e gabuar, sepse pasoi lufta në Kosovë”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se viti 2023 shihet si një mundësi për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjasat janë të mëdha që gjatë 2023-ës të ketë një marrëveshje, por kjo nuk nënkupton se është marrëveshje finale. Plani franko-gjerman i BE-së, siç është publikuar, nuk është ligjërisht i obligueshëm dhe parasheh dialog shtesë për një marrëveshje tjetër. Ka presion që të arrihet një marrëveshje sa më shpejtë për ta evituar një zonë të re konflikti në Evropë. Mirëpo, nëse i imponohen Kosovës kërkesat e Serbisë, atëherë, Serbia do të inkurajohet në politikat e saj destabilizuese në rajon”, shpjegon studiuesi Bytyçi.

Për fund, Bytyçi tregon masat që bashkësia ndërkombëtare mund të merrë ndaj Kosovës dhe Serbisë në rast të dështimit të dialogut mes dy vendeve.

Nuk ka sanksione të definuara deri më tash, por ato mund të përfshijnë pezullimin e marrëveshjeve me BE-në dhe pengimin e qasjes në fonde të BE-së. Ka indikacione se mund të ketë masa ndaj Serbisë për mossanksionimin e Rusisë, por ende nuk ka asgjë konkrete. Serbia duhet të sanksionohet sepse ia mundëson Rusisë t'i evitojë sanksionet e saj dhe është shndërruar në një kalë të Trojës të Rusisë në Evropë”, shprehet për “Bota sot”, studiuesi i politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi.

Synimi kryesor i Serbisë formimi i Asociacionit

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, Serbia do ta refuzojë çdo plan, i cili parasheh njohjen e shtetit të Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

Serbia refuzon çdo plan që ka në thelb të saj njohjen e Kosovës, të cilin plani franko-gjerman e parasheh në të ardhmen me fokus anëtarësimin e vendit në OKB, BE dhe NATO. Këtë plan Serbia e ka refuzuar, por jo direkt, me tentativat e saj për të ndryshuar pikat kryesore me anëtarësim dhe njohje”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Ai thotë se synimi kryesor i Serbisë është formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Jam i bindur se Serbia s’ka ndonjë plan konkret se si duhet vepruar, thjesht po refuzon derisa të vjen tek plani që ajo synon me asociacionin në thelb, të drejtë vetoje ndaj anëtarësimit të Kosovës dhe mosnjohjen”, thekson Mehmeti.

Por, kur mund të ketë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

Nuk dihet se kur do të ketë marrëveshje përfundimtare, e shoh të vështirë të arrihet gjatë këtij viti, mbase deri në 2025, më herët nuk besoj. Ndonëse varet shumë nga këmbëngulja e SHBA-së në këtë drejtim”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat