Plani i Fatmir Limajt me Sami Lushtakun – Luftë fraksionesh në PDK?

Politika

Plani i Fatmir Limajt me Sami Lushtakun – Luftë fraksionesh në PDK?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 18 janar 2023 Në ora: 15:47
Limaj bashkë me anëtarë të PDK-së

Pasi dështoi që ta kalojë pragun zgjedhor prej 5% në zgjedhjet e kaluara, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj po synon që të rikthehet në ish shtëpinë e tij, PDK.

Së fundi, Limaj është shfaqur në shoqërinë e vazhdueshme të Sami Lushtakut, njeriu i cili kishte thënë se Fatmir Limaj duhet të rikthehet në PDK.

Fillimisht Limaj u shfaq në një darkë në Kleçkë me Lushtakun dhe eksponentë të tjerë të PDK-së, darkë në të cilën nuk kishte assesi se si të mungonte mishi e luksi, ajo që i ka karakterizuar për gjithë këto vite Limajn e Lushtakun.

E vetëm pak ditë pas kësaj darke, Limaj me Lushtakun e të tjerët u shfaqën nga shtëpia e deputetit të PDK-së, Ardian Kastratit. Por, kësaj radhe pa mish e luks.

“Sonte në shtëpinë time mirëprita disa nga personalitetet kryesore të UÇK-së të cilëve historia ju dha një rol sakrifikues në luftën tonë çlirimtare. UÇK-ja NA BASHKON! Mbi këtë bashkim Kosova i korri dy sukseset më të shënuara në histori: ÇLIRIMIN nga Serbia dhe PAVARËSINË. Mbi këtë bashkim të gjitha gjeneratat e reja në politikë e kanë më të lehtë për të krijuar platforma politike, të cilat do të prodhojnë perspektiva zhvillimore për ekonominë dhe mirëqenien sociale të këtij vendi. UÇK NA BASHKON!”, shkroi në faqen e tij në Fb deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, duke dërguar një mesazh të qartë, për bashkimin e sërishëm me Limajn.

Por jo të gjithë në PDK po e mirëpresin këtë ide, madje duke e kundërshtuar hapur rikthimin e Limajt. Njëri nga këta, që nuk e dëshiron rikthimin e LImajt, është kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ai i cili ka thënë se është kundër kthimit të atyre që i kanë sharë dhe fyer figurat historike të PDK-së.

“Jo, unë e them JO, me plotë gojën, për njerëzit, të cilët vetëm për parime s’u larguan nga PDK-ja. Për ta nuk duhet të ketë vend PDK-ja, për njerëz të cilët s’lanë fjalë të zezë pa thënë e pa bërë kundër PDK-së, për figurat e saj historike, historike jo vetëm për PDK-në, por edhe për Kosovën, më së paku e kanë vendin në PDK. PDK-ja është parti e madhe, e vlerave të mëdha, e punëve të mëdha, në etapat më të rëndësishme të rrugëtimit tonë, nga çlirimi, proceset negociatore, të cilat kulmuan me Shpalljen e Pavarësisë, pastaj edhe etapa pas Pavarësisë. Arritje, të cilat mbajnë vulën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të personaliteteve drejtuese të saj, z. Thaçi e z. Veseli. PDK-ja, ka lidership, ka kombinimin e mirë të traditës të gërshetuar me modernen, ka figura të jashtëzakonshme, të cilët kudo ku kanë qenë dhe çfarëdo përgjegjësie (të rëndësishme) që kanë pasur, kanë shkëlqyer”, ka thënë ndër të tjera Lladrovci.

Luftë mes fraksionesh

E gjithë këtë, analisti politik Faton Mehmeti e sheh si luftë mes fraksioneve në PDK.

Image
Faton Mehmeti

“Ka kohë që brenda PDK-së janë disa fraksione në tentativa për të marr drejtimin e partisë. Lushtaku është në konflikt të hapur me fraksionin e Memlit dhe Vlora Çitakut, pavarësisht se nuk dallojnë nga mendësia. Samiu po përdor edhe disa të larguar nga PDK-ja për të fituar fuqi më të madhe në tentativa për të qenë protagonist në drejtimin e partisë”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, pjesë e grupit të Lushtakut është edhe Adem Grabovci dhe Xhavit Haliti.

Sami Lushtaku pas vetes ka edhe Adem Grabovcin, Xhavit Halitin dhe tërë kupolën e klanit "Pronto". Po zihet diçka e fortë brenda PDK-së, kësaj partie që po shkon në ndarjen e padiskutueshme”, shprehet Mehmeti.

Më tej, ai thekson se pavarësisht se kush e merr udhëheqjen e PDK-së, nuk pritet asgjë pozitive nga PDK-ja.

“PDK-ja është parti e krimit dhe korrupsionit dhe si e tillë s’ka si të ketë diçka pozitive nga ajo, pavarësisht kush e merr drejtimin e saj. Të dyja klanet brenda saj nuk dallojnë nga njëra tjetra, synimi i tyre është udhëheqja e partisë dhe potencialisht zhvatja e vendit nëse vijnë në pushtet”, deklaron Faton Mehmeti.

Rikthimi përmes Sami Lushtakut

Për analistin tjetër Nexhat Haziri, rikthimin në PDK Fatmir Limaj po e synon përmes Sami Lushtakut.

Image
Nexhat Haziri

“Lëvizjet e fundit të Fatmir Limajt dhe takimet me eksponent të fuqishëm të PDK-së, siç është Sami Lushtaku, Adem Grabovci dhe të tjerët që cilësohen si grada e vjetër në këtë parti, është më së e qartë që nxjerrin në pah tentimin e Fatmir Limajt për t’u rikthyer në PDK. Thënë sinqerisht një rikthim eventual i Limajt në PDK duke e marr lidershipin do t’i jepte një dinamikë tjetër kësaj partie politike dhe një rol më aktiv opozitar në krahasim me lidershipin aktual në krye me Memli Krasniqin, udhëheqja e së cilit po tregohet shumë inerte dhe pa vizion për t’ia kthyer PDK-së fuqinë e dikurshme politike që kishte në skenën politike kosovare, apo që PDK-ja të jetë parti garuese për pushtet”, nënvizon Haziri.

Sipas Hazirit, kryetari aktual i PDK-së, Memli Krasmiqi, nuk e ka mbështetjen e fuqishme nga të ‘fortit’ e PDK-së.

“Rikthimin e Limajt në PDK dhe eventualisht marrjen e lidershipit të asaj partie, nuk e shoh se mund të përcillet me ndonjë tronditje, për arsye që PDK-ja akoma udhëhiqet nga eksponentë të fuqishëm të saj ndër vite, dhe Memli Krasniqin, kryetarin aktual të saj nuk e shoh se ka mundur ta fuqizoj pozicionin e tij si kryetar, dhe duket se nuk e ka edhe mbështetjen e fuqishme nga strukturat partiake, sidomos nga degët, të cilat akoma mbahen nga njerëzit e fuqishëm të gardës së vjetër politike të kësaj partie”, shprehet Haziri.

Për fund, Haziri e sheh një tjetër njeri si kryetar të ardhshëm të PDK-së, pavarësisht tentimit të Limajt.

“Ai që mund ta sfidonte Fatmir Limajn në garën për lidershipin e PDK-së dhe t’ia prishte llogaritë në synimin e tij, është kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili gëzon një mbështetje të madhe jo vetëm në strukturat organizative të PDK-së, por edhe tek anëtarësia e gjerë. Në rast se Limaj do ta ketë ka mbështetjen apo arrin ta siguroj këtë mbështetje edhe nga Bedri Hamza, atëherë nuk e shoh problematik rikthimin e tij në PDK dhe marrjen e lidershipit të kësaj partie”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat