Asociacioni, kompromisi më i vështirë - Kosovës i bëhet thirrje që të mos lëshojë pe: Ja pse ndërkombëtarët po e “joshin” Serbinë

Politika

Asociacioni, kompromisi më i vështirë - Kosovës i bëhet thirrje që të mos lëshojë pe: Ja pse ndërkombëtarët po e “joshin” Serbinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 shkurt 2023 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Trysnia ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi po shtohet çdo ditë e më tepër.

Për marrëveshje mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ka folur edhe Sekreatri Amerikan, Antony Blinken.

Ai ka thënë se udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës do të "bëjnë kompromise të vështira" për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat do të sjellin siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

"Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t'i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, shkroi Blinken.

Formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë ka marr epitetin si “kompromis i vështirë”, por se cilat do të jenë apo a do të ketë kompromise të tjera të dhimbshme ende nuk dihet.

Analisti Rexhep Elezaj, në një pronocim për “Bota sot” ka thënë se Kosova që kur është çliruar ka bërë compromise, duke filluar nga plani i Marty Atihsarit.

Ai thotë se pakica serbe në Kosovë ndihet e barabartë me të drejtat sikur shumica e popullisisë shqiptare.

“Çështja e kompromiseve të dhimbshme të cilat janë kërkuar të bëhen nga ana e palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë përgjatë dialogut dhjetëvjeçarë midis tyre, ka disa vite që është prezentë në vokabularin diplomatik të zyrtarëve të BE-së në Bruksel dhe atyre në SHBA, gjoja si kusht i domosdoshëm për arritjen e marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve fqinjësore midis Kosovës dhe Serbisë.

Por, thënë të vërtetën, dhe, duke pasur parasysh gjithmonë faktin, se Kosova qëkur është çliruar në qershor të vitit 1999 e deri në pavarësimin e saj (17 shkurt 2008) ka bërë kompromise tejet të dhimbshme, siç ishte pranimi i Planit të M. Ahtisarit për pavarësinë e saj të mbikëqyrur si dhe duke pranuar statusin e shtetit multi-etnik, e, ku pakicës serbe prej afër 5%-ind do i jepet statusi i barabartë me 93% të shumicës shqiptare, të drejta këto të cilat nuk i gëzon asnjë minoritet tjetër në botë, pastaj dhënia e statusit të eksterritorialiteti kishave ortodokse serbe në Kosovë, si dhe 10 vendet e rezervuara për deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës dhe atë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, etj., pa asnjë mëdyshje, kanë qenë kompromiset më të dhimbshme që i ka bërë Kosova ndaj minoritetit serb, pikërisht ndaj një minoriteti, i cili gjatë luftës në Kosovë (1998/99) ka qenë në shërbim të plotë të ushtrisë dhe policisë se regjimit kriminal të Millosheviqit, të cilët kanë bërë masakra të tmerrshme ndaj 2 milion shqiptarëve të pambrojtur..!?

thoni ju lutemi, cili minoritet në botë, duke qenë gjenetikisht dhe etnikisht pjesë e një shteti dhe një populli, siç është Serbia, e cila ka bërë gjenocid ndaj 2 milion shqiptarëve në Kosovë, ku pas mbarimit të luftës do favorizohet, privilegjohet dhe bëhet pjesë e organeve të shtetit të cilin as nuk e pranojnë si të pavarur dhe as si shtet të tyre, t’iu kenë dhënë të drejta kaq të mëdha, sikur serbëve në Kosovë..!?”, pyet analisti.

Image
Rexhep Elezaj

Kurse, për deklaratën e Blinken thotë se duhet të shikohet në një kontekst më të gjerë gjeo-strategjik.

Elezaj thotë se Serbisë po i bëhet një joshje politike, që me çdo kusht ta ndajnë nga ndikimi rus.

Tutje, shton se përveç formimit të asociacionit, Kosova nuk duhet të pranojë më kurrfarë kompromisesh tjera, sado që të jetë i madh presioni eventual ndërkombëtarë.

“Ndërsa, deklaratën e sekretarit të SHBA-ve, z. Blinken, “se palët në dialog do bëjnë kompromise të vështira për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis tyre”, mbase duhet shikuar në një kontekst më të gjerë gjeostrategjik, kur të kihen parasysh interesat dhe strategjia afatgjate amerikane në rajonin e Ballkanit perëndimorë dhe më gjerë në Evropë, në veçanti kur thotë, “se shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, pa e përmendur këtu Kosovën, për mua kjo e nënkupton faktin e qartë, se miqtë tanë amerikanë e kanë ndryshuar kursin e tyre të deritanishëm “negativ” ndaj Serbisë, e që ndryshe quhet joshje politike ndaj saj, e që me çdo kusht atë shtet duan ta ndajnë nga ndikimi rus në kuadër të luftës në Ukrainë si dhe të konkurrencës globale në armatim dhe dominim të burimeve të pashfrytëzuara natyrore në Lindje të kontinentit evropian drejt Rusisë dhe Kinës.

Mbase ky ledhatim amerikan ndaj Serbisë tanimë është duke ndodhur në vepër, nënshkrimi memorandumit mes SHBA-ve dhe Serbisë për mirëkuptim në mes të State Departmentit të SHBA-ve dhe Ministrisë së jashtme të Serbisë, i nënshkruar para 2 muajve nga Ivica Daçiqi dhe ambasadori K. Hill në Beograd, nga i cili regjimi i Beogradit do fitojë donacion në vlerë prej një miliardë dollarësh, investimet e firmave amerikane në Serbi, etj. E gjithë kjo përkëdhelje vjen për shkak të realizimit të interesave dhe strategjisë afatgjate të SHBA-ve në Ballkanin perëndimorë dhe më gjerë, si bazë strategjike në ballafaqim me aspiratat e Rusisë cariste për zgjerim të saj kolonial drejtë Berlinit, Ëarshavës dhe Beogradit.

Jam krejtësisht i bindur në qëndrimin, se pala e Kosovës, përpos formimit të AKS-së pa kompetenca ekzekutive, ashtu siç ka thënë vetë funksionari i lartë i DASH-it, z. Derek Chollet, “se në Kosovë nuk do lejojmë të ketë një Republika Srpska”, nuk duhet të pranojë më kurrfarë kompromisesh tjera, sado që të jetë i madh presioni eventual ndërkombëtarë!”, përfundon Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat