Pritjet nga takimi i 27 shkurtit, a ka rrezik për “lëshime” nga pala e Kosovës?

Politika

Pritjet nga takimi i 27 shkurtit, a ka rrezik për “lëshime” nga pala e Kosovës?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 shkurt 2023 Në ora: 08:02
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Bota ndërkombëtare demokratike po bën vazhdimisht thirrje për formimin e Asociacionit serb në Kosovë.

Më 27 shkurt pritet të mbahet takimi mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e dialogut e ku pritet të diskutohet edhe për formimin e Asociacionit në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur shkurt mbi takimin e radhës.

Ai ka thënë se nga ky takim presin të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecin mbi bazën e propozimit evropian.

Për formimin e Asociacionit, Kurti ka paraqitur 6 pika, mbi të cilat sipas tij duhet të formohet, përndryshe ai nuk do të nënshkruajë marrëveshje tjetër.

Kryeministri e ka përmendur gjithashtu edhe çështjen e Asociacionit, duke thënë se janë pesë fjali të preambulës me 10 nene.

Ai ka shtuar se beson që do t’i përmbahen propozimit që kanë marrë dhe jo interesit të njërës palë.

Kurti ka thënë se për gjëra të tjera nuk mund të flasin tani edhe për shkak se kjo varët nga ndërmjetësit e dialogut.

Pas të hënës do të mund të dimë se çka e ku”, ka thënë ai.

Kelmendi: Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke është bazë e paqes në Ballkan

Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se në takim dy tema janë, plani franko-gjerman dhe Asociacioni, duke shtuar se këtë të fundit SHBA e ka shtuar si kusht për dialog.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas ftesës së bërë nga z. Borell, temë e dialogimit është plani gjermano-francez. Këtë e ka qartësuar ndërmjetësi i UE-së. Natyrisht, se edhe asociacioni do të bëhet temë. Kjo për faktin, se SHBA-të e kanë paraqitur asociacionin si parakusht për dialogim mbi planin e UE-së. Kuptohet se shumë varet çështja nga aktorët e takimit më 27.02.23 në Bruksel.

Çështjet do të paraqiten në radhitjen:

1.Asociacioni dhe

2. Plani gjermano-francez”, thotë ai.

Ai shton, se Kosova nuk duhet ta pranojë këtë plan të punës, duke thënë se Asociacioni duhet të shkojë me planin franko-gjerman.

Këtë rend të punës nuk mundet Kosova të pranon. Asociacioni duhet të shkojë me planin gjermano-francez dhe me njohjen reciproke në qendër. Çdo rend tjetër është i rrezikshëm për Kosovën dhe për atë nuk duhet pranuar. Paqja realizohet me marrëveshje që në qendër e ka njohjen reciproke dhe me garanci nga Uashingtoni dhe Brukseli. Kështu ndërtohet paqja në Ballkan”, shprehet ai.

Duhanaj: Mbetet dyshuese qasja e Kryeministrit të Kosovës

Analisti Leon Duhanaj ka thënë se takimi mes Kosovës dhe Serbisë, i paraprin edhe shumë takime mes liderëve ndërkombëtarë me ndikim në proces, por që Duhanaj shpreh dyshimet e tij për qasjen e Kurtit në këtë çështje.

Image
Leon Duhanaj

“Edhe përkundër faktit të intensifikimit masiv të agjendës ndërkombëtare karshi dialogut Kosovë-Serbi. Madje këtij takimi të caktuar në mes të Kryeministrit të Kosovës, z. Kurti dhe Presidentit të Serbisë, z. Vuciq, i paraprinë edhe shumë takime mes liderëve respektiv dhe akterëve ndërkombëtarë si fasilitues në proces, nuk është që kemi ndonjë perspektivë të qartë rreth ndonjë epilogu të suksesshëm.

Në njërën anë kemi deklarata nga të dyja palët, të cilat kanë qasje pozitive karshi planit franko-gjerman dhe nga ana tjetër kemi kundërshti të mëdha rreth temave për të cilat në kuadër të po atij plani do të ishin të pajtuar.

Në ketë kontekst, mbetet dyshuese qasja e Kryeministrit të Kosovës, i cili po operon në gjithë këto zhvillime, pa asnjë platformë të qartë dhe pa asnjë gram transparencë në proces.

Në ketë kontekst dhe bazuar në këtë qasje edhe aktiviteti opozitarë bëhet i pamundur dhe i çorientuar”, deklaron Duhanaj.

Sipas tij, opozita dhe pozita duhet të jenë më ta bashkuara në proces të mëdha për vendin.

Në këto momente kur ka deklarata për ndonjë marrëveshje të mundshme, edhe po të ishin të gjitha partitë parlamentare të bashkuara, kishte me qenë e dëshirueshme të jenë edhe më unike, e lëre që sot nuk kemi asnjë fije bashkëpunimi nga Qeveria e aq më pak transparencë.

Në ketë situatë, druaj që përpos që Qeveria Kurti do t'i pranoj të gjitha propozimet, ajo do të na shndërrohet në modelin Syriza në Greqi, ku do të pranojë edhe gjërat të papranueshme e të paimagjinueshme.

Pleqtë kanë thënë "aty ku thonë ka dredhëza shumë, merre shportën e vogël". Edhe tek ne, sa më i zhurmshëm "patriotizmi", aq më i madh rreziku që do të bëjnë lëshime edhe më shumë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat