“Thirrje sorrash nga figura kontroverse”, kritikohet Molliqaj dhe protesta e paralajmëruar

Politika

“Thirrje sorrash nga figura kontroverse”, kritikohet Molliqaj dhe protesta e paralajmëruar

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 mars 2023 Në ora: 08:02
Grafite kundër Kurtit

Të shtunën në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të mbahet protestë pas pajtimit të Kosovës dhe Serbisë për marrëveshjen e normalizimit të raporteve.

Partia Social Demokrate e cila është organizatore e kësaj proteste, thotë se marrëveshja e cila është nënshkruar në Ohër është e dëmshme për Kosovën dhe kësisoj Kurti nuk ka mandate ta bëjë atë.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka ftuar qytetarët që t’i bashkangjiten protestës, pasi sipas tij, marrëveshja është mashtrim dhe e rrezikshme për demokracinë dhe qytetarinë.

“Marrëveshja e mbrëmshme është e dëmshme për Kosovën. Kurti nuk ka mandat për këtë marrëveshje. Mashtrimi është i madh dhe i rrezikshëm për demokracinë dhe qytetarinë. Prandaj të gjithë që jeni kundër marrëveshjes dhe kundër mashtrimit ju ftojmë në protestë, të shtunën në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”!”, ka shkruar Molliqaj, të dielën, pas pajtimit për marrëveshje.

Edhe partitë opozitare në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për arritjen e pajtueshmërisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Partitë kanë kritikuar kryeministrin Kurti, por kur janë pyetur nga gazeta “Bota sot”, nëse do t’i bashkëngjiten PSD-së në protestë për ta kundërshtuar marrëveshjen, kanë refuzuar të përgjigjen.

Analistët politikë thonë se të protesta e PSD-së është thirrje sorrash, ndërsa kryetari i saj është figurë kontraverse që kërkon vëmendje, pasi që figura e tij publike është zbehur.

Zogaj: Kjo protestë nuk e ka qëllim marrëveshjen e Ohrit, por e ka qëllim thellimin e kaosit

Image
Skënder Zogaj

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se protesta është pafytyrësi e skajshme nga ata që i kanë shkaktuar plagë të rënda vendit.

Sipas Zogajt, qytetarët e Kosovës që kanë pak mend, duhet ta kuptojnë se prej atyre që i kanë shkaktuar plagë të thella, të mos presin shërim.

“Paralajmërimi i protestës së Partisë Social Demokrate është një thirrje sorrash që qershitë që i ka glacuar tash fton për ngrënien e tyre! Kjo është një pafytyrësi e skajshme nga ata që i kanë shkaktuar plagë të rënda vendit dhe popullit, por ende nuk janë kënaqur, kështu që tentojnë të gjejnë argatë për ta vazhduar hapjen e gropës, edhe më të madhe, e më të thellë për trupin shumë të lënduar të Kosovës. Qytetarët e Kosovës që kanë pak mend, duhet ta kuptojnë se, prej atyre që nuk i kanë bë asnjë të mirë Kosovës, por përkundrazi që i kanë shkaktuar plagë të thella, nuk mund të priten që tash të bëhen shëruesit e saj! Jo,jo,jo!”, shprehet Zogaj.

Ai dyshon që në protestë do të bashkangjiten partitë tjera opozitare, gjersa shton se qëllimi i PSD-së është t’i vënë flakë kasolles së dikurshme.

“Kjo protestë nuk e ka qëllim marrëveshjen e Ohrit, por e ka qëllim thellimin e kaosit, dhe këtë duke u fshehur prapa protestës, ku PSD shpreson se do të ketë mendjelehtë që do të dalin të marrin pjesë në protestë. Unë jam thellësisht i bindur se asnjë nga partitë e tjera, nuk ka shkalluar deri në masën që të mos e kuptojë qëllimin e aventurës së re të aventurierëve të vjetër që kanë ikur nga VV dhe tash duan që kasolles së dikurshme t'ia vënë flakën”, pohon Zogaj.

Partia Social Demokrate në banerin që lajmëron protestën shkruan “Dorëhiqu”, gjersa shihet edhe hija e kryeministrit Kurti.

Një dorëheqje të kryeministrit e ka kërkuar edhe kryetari i partisë opozitare Nisma Social Demokrate, Fatmir Limaj.

Duke folur rreth marrëveshjes në Ohër, Limaj të martën ka deklaruar se ajo është vazhdimësi e asaj që ndodhi në Bruksel në shkurt, pra pranimi i planit franko- gjerman.

Sipas tij, të pranohet marrëveshja ku pranohet fakti që statusi i Kosovës është i pa zgjidhur, është devijim dhe kryeministri i Kosovës duhet të jap dorëheqje.

“Kjo në Ohër ka qenë më shumë diskutim për implementimin e asaj që ka ndodhur në Bruksel, pra nuk kishte asgjë befasuese pas asaj që ka ndodhur atje. Të futet të lexojë dhe të pranojë një marrëveshje që pranon faktin që statusi i Kosovës është i pa zgjidhur, është devijim dhe kryeministri i Kosovës duhet të jep dorëheqje”, ka deklaruar Limaj në televizionin publik.

Edhe partia e tij, ka refuzuar të tregojë nëse do t’i bashkangjiten protestës së PSD-së.

Mulliqi: Dardani po e akuzon pa bazë kryeministrin

Image
Skënder Mulliqi

Kurse, analisti politik Skëndër Mulliqi thotë se kryetari i PSD-së, është figurë kontraverse dhe partia e tij do të pësojë më keq se dikur LDD.

“Kryetari i PSD është figurë kontraverse e skenës politike në Kosovë. Nuk është treguar konsistent në qëndrimet e veta. Ai së bashku më disa shokë në LVV , që ishin ndër më të priviligjuarit, ikën nga orekset materiale për të formuar partin të re politike PSD-në. Nëse Dardani ka menduar së do të dëmtojë LVV më largimin e tij, është mashtruar rëndë. Ai e ka dëmtuar veten e askënd tjetër, së në LVV ishte sekretar organizativ ku kishte peshë. Ky subjekt politik nuk gëzon reputacion dhe do të pëson edhe më keq së dikur LDD-ja e Nexhat Dacit, në zgjedhjet e radhës”, deklaron Mulliqi.

Protestat e dikurshme të VV-së, ku ishte pjesë edhe Molliqaj, sipas Mulliqit, dallojnë shumë në kohë dhe në hapësirë me protestat e organizuara tani.

“Protesta që organizoheshin dikur nga LVV , kur edhe Dardani ishte pjesë e saj, dallojnë shumë në kohë dhe hapësirë nga protestat që po e organizon PSD –tash. Protestat e LVV kishin taban së bëheshin në kohën kur ish pushtetet e tash opozita, të cilët nuk punuan mirë për qytetarët dhe as nuk punuan mirë në planin e jashtëm politikë. Dihet së u nënshkruan marrëveshje të këqija për Kosovën si, Demarkacioni më Mal të Zi, Fusnota famoze e Edita Tahirit, dhe u nënshkrua nga Thaçi dhe Mustafa, Asociacioni më kompetenca ekzekutive për komunat më shumicë serbe. Dhe, çdo proteste e organizuar nga LVV si parti opozitare atëherë ishte më vend duke i kundërshtuar këto marrëveshje, së po shihet tash së sa të dëmshme kishin qenë ato marrëveshje, të cilat na prunë gati para aktit të kryer. Me atë kauzë politike që më duket së ishte e drejtë edhe LVV erdhën në pushtet”, thekson Mulliqi.

Protesta e PSD-së do të jetë minoritare, sipas Mulliqit, gjersa shton se mund t’i bashkangjitet PDK-ja, pasi që kryetari i PSD-së ka logjikë vepruese njëjtë si PDK.

“Tash shtrohet pyetja çfarë janë këto protesta të cilat po i organizon Molliqaj, si kjo e paralajmëruar për të shtunën? Mendoj se edhe kjo protestë do të jetë minoritare siç ishin edhe disa protesta të organizuara më parë nga PSD-ja. Lumir Abdixhiku i LDK-së nuk ka shpreh gatishmëri që t’i bashkangjitet kësaj proteste, sikur që edhe PDK dhe AAK. Ka mundësi që PDK të bëhet bashkë në këtë protestë edhe pse zyrtarisht nuk janë shprehur pro. Dardani me logjikën e tij vepruese politike po mendon gati si PDK-ja, dhe kjo logjikë nuk do t’i sjellë ndonjë sukses si subjekt politikë i ri i formuar. Molliqaj pa reshtur po lëshon akuza të rënda në adresë të kryeministrit Kurti, më shumë së nuk është vete aty, dhe për ta shfrytëzuar situatën politike së bashku më PDK dhe LDK për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Tjetër, Dardani po e akuzon pa bazë kryeministrin duke e bërë fajtor për diçka që nuk është. Ai e dinë mirë së kush e ka pru Asociacionin të dera, sigurisht që jo Albin Kurti, i cili po bënë përpjekje të mëdha të shpëtojë atë që shpëtohet si thuhet, kur dihet se më çfarë presioni ndërkombëtar po ballafaqohet, lidhur më dy marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015”, deklaron Mulliqi.

Ai kundërshton deklaratat e kryetarit të PSD-së, gjersa shton se ai këtë e bën për vëmendje, pasi që është zbehur si figurë publike.

“Po të ishte Dardani në vend të Kurtit, nuk do të kishte bërë siç thonë as lavrën e miut në bisedime më Serbinë. Kjo krekosje e tij është më shumë për të përqendruar vëmendjen nga ai, i cili tashme është zbehur si figurë publike. Kryeministri ka qenë i gatshëm për të nënshkruar planin franco-gjerman në takimet e Brukselit dhe të Ohrit, e nuk ka firmos asgjë për Asociacionin siç pretendon Dardani. Nuk është e saktë së Kosova ka vetëm obligime, ndërsa Serbia ka marrë atë që ka dashur siç thotë Molliqaj. Po të ishte ashtu atëherë presidenti serb, Vuçiqi do të kishte firmosur aneks marrëveshjen në Ohër. Këtë nuk e bëri së edhe pse nuk thuhet në plan decidivisht, Serbia më pranimin e planit të BE-së, e pranon pavarësinë e Kosovës. Dhe, deklarata tjetër skandaloze e kreut te PSD-së, se ”Besojmë që protesta është mjeti i vetëm duke pasur parasysh që opozitë nuk ka në Kosovë”. Kjo lenë dilema sa çka në fakt po mendon lideri i PSD-së? Mu për këtë edhe protesta e të shtunës duket së do të jetë protestë e zbehtë, vetëm e PSD-së”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat