“Loja budallaqe me nënshkrimet dhe duart përballë Kurtit”, profesori britanik “godet” BE-në për tolerancën ndaj Vuçiqit

Politika

“Loja budallaqe me nënshkrimet dhe duart përballë Kurtit”, profesori britanik “godet” BE-në për tolerancën ndaj Vuçiqit

Nga: A.Zh Më: 9 prill 2023 Në ora: 10:39
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Profesori nga University College London, Eric Gordy, ka komentuar lidhur me atë se çka mund të ndodhë nëse Kosova nuk e respekton pikën e Marrëveshjes së Ohrit, që lidhet me vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

Gordy ka thënë për gazetën “Bota sot”, së dështimi i negociatave të Ohrit, do të krijonte avantazh për Serbinë dhe kjo nënkupton që ajo mund të marrë disa lëshime në procesin e dialogut me Kosovën.

“Dështimi i negociatave në Ohër do të kishte krijuar një avantazh afatshkurtër për Serbinë, në kuptimin që Kosova tani perceptohet nga disa aktorë në BE dhe SHBA si palë që pengon një marrëveshje. Kjo mund të nënkuptojë se Serbia merr disa lëshime dhe se Kosova nuk merr disa lëshime që i ishin premtuar”, është shprehur eksperti për Evropën Juglindore.

Por, ai ka argumentuar se pse ky avantazh i Serbisë do të ishte afatshkurtër.

“Ka dy faktorë që e bëjnë këtë situatë të përkohshme: njëri është se propaganda e vrazhdë e Vuçiqit, si loja e tij budallaqe për nënshkrimet dhe duart, do t'i kujtojë BE-së se ai është një partner jo i besueshëm. Tjetra është se në afat të gjatë nuk ka asnjë kusht real për zgjidhjen e mosmarrëveshjes përveç njohjes së Kosovës nga Serbia”, ka theksuar më tej Gordy.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi se nuk do ta zbatojë pjesën e marrëveshjes lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Lidhur me këtë, profesori ka kritikuar Bashkimin Evropian, që sipas tij, është treguar I butë me Vuçiqiq, që ka zvarritur dialogun. Ai nuk e përjashton mundësinë që kjo të vazhdojë edhe më tutje.

“Nëse duam të përdorim të kaluarën si bazë për të bërë parashikime, atëherë ndoshta është e saktë të vërejmë se BE-ja ka qenë jashtëzakonisht e butë me strategjinë e Vuçiqit për të zvarritur procesin e negociatave në pafundësi, kështu që nuk do të ishte krejtësisht e paarsyeshme të pritej se kjo tolerancë mund të vazhdojë. Nga ana tjetër, ndoshta është edhe rasti që lufta në Ukrainë ka kontribuar në një fokus më të madh në Evropë mbi sigurinë dhe nevojën për unitet, dhe se ka sjellë urgjencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe në Evropë. Kjo mund të kontribuojë në një energji më të përqendruar në lëvizjen e proceseve përpara nga ana e Evropës, por ne duhet të jemi të vetëdijshëm për kufizimet në aftësinë e BE-së për të arritur konsensus dhe për të vepruar shpejt”, ka shtuar Eric Gordy për gazetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat