Anëtarësimi i Kosovës në KiE çështje muajsh apo vitesh? Sinjali pozitiv i ministres Gërvalla

Politika

Anëtarësimi i Kosovës në KiE çështje muajsh apo vitesh? Sinjali pozitiv i ministres Gërvalla

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 prill 2023 Në ora: 08:05
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Së fundi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, raportoi para Komisionit të Kuvendi, ku ndër të tjera tha se është bërë përparim në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës pas dorëzimit të aplikimit në maj të vitit të kaluar. 

Ajo tha se shpreson që ky proces të jetë çështje muajsh, jo vitesh.   

“Një pjesë e madhe e punës gjatë këtij viti do të jetë e fokusuar në anëtarësimin në Këshillin e Evropës ku kemi bërë një progres të mirë deri tani. Presim hapa të tjerë të rëndësishëm me shpresën që anëtarësimi i plotë të jetë çështje muajsh dhe jo çështje vitesh”. 

Ndërkaq, sa i përket aplikimit në Bashkimin Evropian, Gërvalla u shpreh se duhet të bëhet lobim edhe pse thotë si proces do të zgjasë siç ndodh edhe me vendet e tjera.   

Voca: Duhet bërë kujdes për të mos lejuar ndonjë lëshim apo gabim   

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i shkencave dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca.  

Fillimisht, ai u shpreh se në rast se është repsektuar procesi në politikën e jashtme, atëherë edhe anëtarësimi i Kosovës në KiE është i pashmangshëm. 

Image
Doktori i shkencave dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca.  

“Nëse është respektuar procesi i organizimit, funksionimit dhe lobimit në politikën e jashtme, nuk ka se si të mos ketë sukses që Kosova të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës. Duhet bërë kujdes për të mos lejuar ndonjë lëshim apo gabim, meqë kjo do t’i kushtonte politikës së jashtme të Kosovës si dhe vet përforcimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, duhet pasur po ashtu pak fat sepse varet edhe nga momentumi politik në marrëdhënie ndërkombëtare”, deklaroi Voca. 

Edhe sipas tij, gjasat që të ndodhë anëtarësimi në KiE këtë vit janë të mëdha. 

“Sapo të kalojë nga Komiteti i ministrave për votim tek Asambleja e përgjithshme e KiE-së dhe nëse dy të tretat votojnë për pranim atëherë Kosova bëhet anëtare e KiE-së, dhe gjasat që kjo të arrihet këtë vit janë të mëdha”, nënvizoi ligjërues i gjeopolitikës në Paris. 

Ndër të tjera, ai shtoi se mund të merren parasysh edhe raportet me Serbinë, por që gjithsesi fokusi i Kosovës duhet të jetë kryerja e detyrimeve të saj për aspirim euroatlantik. 

“Ka një probabilitet që të merret në konsideratë edhe përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj serb. Politika për fqinjësi të mirë, të lirë dhe demokratike janë vlera dhe koncepte të cilat KiE i promovon dhe ka mision zhvillimin e tyre. Megjithatë, besoj se fokusi do të duhej të ishte që Kosova të kryej detyrimet e saj me një vizion të qartë dhe aspirim euroatlantik që në asnjë mënyrë të mos paraqitet si bllokuese e paqes dhe fqinjësisë së mirë në pjesën e mbetur të Ballkanit perëndimor jashtë BE-së.  Për më tepër, mosmarrëveshjet e pazgjidhura politike që përfshijnë shtetet kandidate nuk e kanë dekurajuar Këshillin e Evropës që të mirëpresë anëtarët e rinj (si p.sh. rasti Armeni - Azerbaijan). Kjo natyrisht që nënkupton se dialogu për fqinjësi të mirë Kosovë/Serbi me ndërmjetësim të BE-së nuk do të duhej të ndërlidhej me procesin aderimit të Kosovës në KiE”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.

Mehazi: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do kishte kuptim pa njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së 

Image
Analisti politik, Sulejman Mehazi

Kurse, analisti politik, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” mbështeti deklarimin e ministres Gërvalla për anëtarësim në KiE, ku tha se në këtë mund të ketë ndikuar edhe nënshkrimi i planit evropian ne Ohër nga Kurti. 

“Dakordimit i presidentit të Serbisë, Vuçiqit  dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me planin evropian në Ohër ka mbushur me energji pozitive qeverinë e Kurtit jo vetëm ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në të gjitha institucionet më të larta botërore, OKB, BE, NATO e gjetiu. Si asnjëherë më parë Shefja e Diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, nuk ka qenë kaq decitive, e cila me bindje optimizmi deklaroi se Kosova jo për disa vite, por për disa muaj do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, deklaroi ai. 

Gjithashtu, Mehazi beson se Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk ka arsye pse ta vonojë anëtarësimin e Kosovës në KiE. 

“Marrëveshja evropiane e Ohridit në mes Serbisë dhe Kosovës ka pastruar të gjitha dilemat luftënxitëse ballkanike dhe evropiane, marrëveshje e cila Kosovën e ka çliruar nga ankthet politike e diplomatike armiqësore serbe. Kemi besim se Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk kanë asnjë arsye ta pengojnë Kosovën për t'u mos u bërë pjesë e KiE, përkundrazi marrëveshja historike e Ohrid ka hapur një faqe të re shpresëdhënese dhe  dashamirëse për t'u pranuar Kosova në këtë Këshill më të lartë Evropian që ia hap Kosovës dyert për t'u pranuar më lartë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dakordimi i planit franko-gjerman në Ohër ia ndalë hovin Serbisë të vepronte kundër Kosovës dhe se qeveria e Kosovës tani më i ka duart e zgjidhura e të lira nga Serbia për të konkurruar e aplikuar në të gjitha nivelet diplomatike evropiane e botërore”, nënvizoi analisti. 

Në fund, ai konsideron se nuk do kishte kuptim anëtarësimi në KiE pa njohjen nga pesë shtetet e BE-së. 

“Megjithatë, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do kishte kuptim pa njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende e mohojnë njohjen e Kosovës, ndoshta simbolika politike e shprehjes së Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se pasi të njihet Kosova nga pesë shtetet e BE-së gjatë muajve në vijim Kosova do bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, pra, procedura diplomatike evropiane e botërore është që Kosova para se të bëhet anëtare e OKB-së së pari duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, dhe Këshilli Evropian ia hap rrugën Kosovës të bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat