“Formimi i një ‘Republika Serpska’ deri në shkëputje”, analisti tregon qëllimin e Serbisë - ka një mesazh për Kurtin

Politika

“Formimi i një ‘Republika Serpska’ deri në shkëputje”, analisti tregon qëllimin e Serbisë - ka një mesazh për Kurtin

Nga: A.SH Më: 10 prill 2023 Në ora: 21:41
Albin Kurti, foto ilustrim

Në takimin e fundit mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur në Ohër, dyja vendet janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënive mes tyre, por që nuk kanë nënshkruar asnjë dokument.

E, më 23 prill pritet të mbahet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë, ku do të bisedojnë për zbatimin e marrëveshjeve.

Analisti Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Serbia e Vuçiqit po këmbëngul në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, për të themeluar Asociacioni në komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës.

“Serbia kurrsesi të lirohet nga politikat e logjikës të vjetër pushtuese ndaj tokave shqiptare .Dhe, mu për këtë edhe po kërkojnë formimin e “Zajednicës”, fillimisht si autonomi të avancuar. Serbia e Vuqiqit po këmbëngulë te marrëveshjet e Brukselit të viteve të 2013 dhe 2015. Duke i shfrytëzuar këto marrëveshje për të gjetur pastaj në praktikë elemente të reja të ndonjë autonomie evropiane, siç po flitet pas marrëveshjeve gojore të Brukselit dhe të Ohrit. Dhe, ndërkohë serbët po përgatisin planin për të marrë garancione edhe për demilitarizim të Kosovës, që mos të këtë mundësi të formimit të ushtrisë”, thotë ai.

Sipas tij, Serbia po lufton që Kosova mos të ketë asnjë mundësi për bashkim me Shqipërinë.

Tutje, Mulliqi thotë se Kosova duhet t’i ketë parasysh pikat e ndjeshme për Kosovën, që mos t’i pranojë siç është edhe rregullimin e statusit të Kishave Ortodokse Serbe sipas kutit të tyre.

“Serbia do të kërkon marrëveshje që mos të këtë mundësi të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pa marrë qëndrimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të Serbisë. Të gjitha këto duhet t’i ketë parasysh pala e Kosovës në implementimin e çfarëdo forme të asociacionit. Këto pika të cilat do t’i paraqet Serbia janë të pa pranueshme për Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Serbia do të kërkon gjithashtu rregullimin e statusit të Kishave Ortodokse Serbe sipas kutit të tyre.

Edhe kjo temë që do të shtrohet në bisedime, nuk duhet të pranohet nga Kosova. Sigurisht që Serbia për të gjitha këto do të kërkon garanci nga BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Kryeministri Kurti duhet të merr qëndrim të qartë në takimin e radhës me Vuqiqin. Dihet se qëllimi final në gjithë këtë mesele të Serbisë është formimi i një “Republika Serpska” deri në shkëputje. Duhet pasur shumë kujdes që mos të biem në grackat e Serbisë hegjemoniste, e cila me çdo kusht po dëshiron që në finalen e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve të dalë si palë fituese”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat