Gjykata Speciale heq ‘njollën e zezë’ nga UÇK-ja/ Analistët: U krijua për individët, historia nuk rishkruhet

Politika

Gjykata Speciale heq ‘njollën e zezë’ nga UÇK-ja/ Analistët: U krijua për individët, historia nuk rishkruhet

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 prill 2023 Në ora: 08:02
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi më 3 prill. Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

I gjithë ky proces po përcillet me vëmendje të madhe, ku natyrisht polemikat, debatet dhe reagimet nuk po mungojnë aspak.

Kjo ka bërë që shteti i Kosovës të përfshihet në gjithë këtë proces, ku disa Specialen e cilësojnë si “njollë të zezë” për të, e disa si shkak për largimin e kësaj ‘njolle’.

I gjithë ky diskutim po bëhet mbi atë nëse në Hagë po gjykohet edhe UÇK-ja, jo individët.

Preqi: Procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mund të ndikojë në imazhin e Kosovës, por edhe mund ta pastrojë imazhin e UÇK-së

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” foli për procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe ndikimi i tij në imazhin e Kosovës.

Image
Dedë Preqi

Fillimisht, u shpreh se nuk duhet të quhet UÇK ndërmarrje kriminale, vetëm për faktin se po gjykohen disa individë të saj.

Nuk do duhej që ish-krerët e UÇK-së, të quhen me epitetin e një ndërmarrje kriminale, sepse në fakt po gjykohen vetëm disa individ të saj, dhe epitetet e tilla i japin vetëm kundërshtarët e saj, sepse UÇK, ishte një Ushtri Çlirimtare, e cila u formua për mbrojtjen e njerëzve të pa mbrojtur dhe çlirimin e Kosovës nga regjimi serb.

Metoda dhe forma e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duket e rëndë dhe përmbajtja e saj nuk ka një substancë të qartë, nëse aktakuza është ngritur në bazën e rrethanave dhe propagandën e Dick Martit, për trafikim organesh, duke i dhënë një «njollë të zezë» UÇK-së, dhe një imazh të keq Kosovës, që në këtë rast të kësaj Gjykate Speciale, një akuzë e tillë nuk përmendet fare. Këtu na jep me dyshue se kjo Gjykatë Speciale, është bërë e rëndësishme më shumë për dikënd tjetër, apo e ka domethënien e një favori ndaj Serbisë, sepse kjo formë e gjykimit bëhet vetëm nga etnia shqiptare, dhe barra e përgjegjësisë për keqtrajtimet dhe vrasjet e njerëzve gjatë luftës bie mbi supat e UÇK-së, gjegjësisht mbi anëtarët e saj”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Preqi vlerëson se do duhej që pjesëtarët e regjimit serb të japin llokari për vrasjet e shqiptarëve dhe serbëve të pafajshëm.

Po ashtu, shpreson se në fund të gjykimeve UÇK do ta marrë epitetin si një Ushtri e pastër dhe çlirimtare.

Shumica e krimeve gjatë regjimit serb në Kosovë, janë kryer nga vetë serbët, duke marrë parasysh edhe vrasjet e serbëve nga vetë vrastarët serb, duke ua mveshur dhe duke i dënuar shqiptarët e pa fajshëm, sikur në rastin «Panda» në Pejë dhe shumë raste tjera, të cilat krime kohën e fundit i kanë pranuar edhe vetë, sikur e ka pranuar edhe vetë kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Prandaj, gjykimi ndaj ish-liderëve të UÇK-së, do të ishte i motivuar politikisht dhe nëse i referohemi akuzave të Dick Martit dhe akuzave të Serbisë, ka dyshime se shumica e dokumenteve me akuza që i janë dërguar Hagës, ndaj të akuzuarve, janë të fabrikuara dhe të falsifikuara nga politika e Beogradit, për të njollosur dhe demantuar rrolin dhe luftën çlirimtare të UÇK-së.

Disa herë luftëtarët e UÇK-së, po përballën me të kaluarën e luftës së saj dhe për të vendosur drejtësinë në binarët e vet, sikur edhe tani në Dhomat e Specializuara të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, duke i akuzuar disa individ të UÇK-së, ndër ta edhe ish-krerët e saj, por pas këtyre proceseve dhe duke i besuar drejtësisë së kësaj Gjykate, edhe lufta e UÇK-së, do të merr epitetin e vërtetë si një Ushtri e pastër dhe çlirimtare”, nënvizoi opinionisti.

Më tej, ai kishte disa kritika për Specialen e të cilat lidheshin me akuzat për trafikim organesh gjatë kohës së luftës.

Gjithashtu, ai përmendi edhe metodën e frikësimit të dëshmitarëve.

Mirëpo, kjo Gjykatë Speciale, sikur po e luan një rol tjetër, duke i ndezë motorët tjerë, dhe akuzat e ngritura kinse për trafikim organesh në kohën e luftës, ato nuk janë më të drejtpërdrejta, por kalojnë përmes një hallke dhe përllogaritjeve tjera, dhe janë zëvendësuar me akuza që kanë për qëllim të sqarojnë krimet apo vrasjet politike të shqiptarëve dhe të tjerëve gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, të cilat thuhet se lidhen me individët që po gjykohen tani në Hagë.

Dhe në këto rrethana, ndryshon edhe marrëdhënia e njeriut me veprën e tij, dhe sikur kjo marrëdhënie po bëhet jo e drejtpërdrejtë, herë abstrakte e herë dhe jo objektive, sepse njeriu nuk është më në gjendje ta përjetojë atë, por thjeshtë e përllogarit dhe e kontrollon në një mënyrë, por nëse njeriu nuk është gjë tjetër veçse ajo çka përjeton, çdo të bëhet me këtë njeri kur përmbajtja e veprave të tij nuk do të jetë më objekt i përjetimit të tij, kur dihet se, disa dëshmitar janë të frikësuar dhe i ndryshojnë kallëzimet e tyre, të tjerët janë larguar sepse nuk janë më të gjallë dhe ka prej tyre edhe të fabrikuar, apo të paguar nga Serbia, që të dënohet për krime UÇK-ja, por jo edhe Serbia”, shpjegoi Preqi.

Ndër të tjera, bazuar në analizën e tij opinionisti potencoi se procesi gjyqësor në Hagë mund të ndikojë në imazhin e Kosovës, por do ta pastrojë vetë imazhin e UÇK-së.

Nëse përgjegjësit e veprave, do të thotë të përgjigjen për atë çka kanë bërë dhe të dënohen, si zhvendosje e faktit konkret në fushën e miratimit moral dhe etik të drejtësisë, dhe anasjelltas, që mund të dalin edhe si të pafajshëm, dhe çka do të ndodhë me përgjegjësinë, nga se një proces i tillë me një formë shumë të prekshme për qytetarët e Kosovës, në mesin e së cilës është i pranishëm akoma roli i traditave të vjetra dhe kanunare, atëherë duhet të gjenden dhe mendohen edhe formula të tjera, të cilat do të krijojnë një marrëdhënie harmonike, por jo edhe të zgjojnë dis-harmoni në këtë mes shoqëror, i cili mund të ringjall pasoja të pa dëshiruara.

Procesi gjyqësor në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mund të ndikojë në imazhin e Kosovës, por do ta pastrojë vetë imazhin e UÇK-së, duke nënkuptuar më të, jo një gjykim të saj, por thjeshtë gjykimin e individëve të saj, dhe në kuptimin më të përgjithshëm të këtij procesi, roli i UÇK-së, nuk e ka vetëm kuptimin e saj zanafillor, por përpjekja e saj për të ruajtur dhe sakrifikuar jetën për lirinë dhe pavarësinë e njerëzve të robëruar, ka më shumë se një bazë të së drejtës themelore të mbrojtjes së ligjshme të një populli dhe vendi”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mulliqi: Zhvillimet negative të pasluftës kanë ndikuar që të formohet Gjykata Speciale

Image
Skënder Mulliqi

Kurse, analisti politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se imazhi i Kosovës më shumë është dëmtuar pas luftës, kur ndodhën vrasje të shumta politike, se sa nga procesi në Hagë.

Sipas tij, me vrasjet e pasluftës u krijuan përçarje politike, ku më pas edhe ‘lulëzoi’ krimi dhe korrupsioni në vend.

“Shikuam shumë debate lidhur më temën e procesit gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK në Hagë. Po ndahen mendime të ndryshme se sa do të ndikojë ky proces në imazhin e Kosovës. Të kthehemi pak prapa. Unë mendoj së imazhi i Kosovës është zvetnuar, kur ndodhën vrasjet për motive të ndryshme, dhe për motive politike. Shfaqja e krimit të organizuar të pas luftës në Kosovë, bëri që proceset politike dhe rrjedhat ekonomike të shkojnë më shumë për së mbrapshti se sa për së mbari. Na ndodhën përçarjet partiake të cilat reflektuan keq edhe në pushtete, reflektuan keq edhe në mirëqenie dhe zhvillim. Po ashtu fenomeni i krimit të organizuar ndikoi në pasurimin e qarqeve të caktuara të njerëzve të politikës dhe të biznesit. Organet tona të drejtësisë pas vitit 2008 kur edhe u bë shpallja zyrtare e pavarësisë së Kosovës, edhe pse i kanë të gjitha kompetencat nuk funksionuan ashtu si duhet, e që nuk është pritur. Nuk u lufta kurrë sa duhet krimi i organizuar dhe korrupsioni etj.”, deklaroi analisti.

Tutje, Mulliqi tha se zhvillimet e pasluftës e ‘sollën’ Specialen, ku përfaqësuesit e shtetit atë kohë dështuan ta formojnë një gjykatë krime lufte në Kosovë.

Këto zhvillime negativ të pasluftës kanë ndikuar që të formohet edhe Gjykata Speciale. Është kjo gjykatë një etnike e para e kësaj natyre! E kemi pasur TPI-në, në Hagë për krime të luftës , por ishte gjykatë për të gjitha republikat e dala nga ish-Jugosllavia. Sikur të kishim pasur tamam shtet funksional dhe ligjor, unë mendoj se nuk do të kishim ardhur deri të formimi i Gjykatës Speciale. Organet tona kanë pasur mundësi të formojnë një gjykatë për pretendime të krimeve të luftës në Kosovë, e nuk e bënë. Prandaj, tash jemi këtu ku jemi dhe duhet pritur se si po zhvillohen proceset gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë. Këtë realitet nuk ka mundësi më askush të zhbëjë, së prapa kësaj gjykate qëndrojmë së pari ne vet, se është votuar në Kuvend, dhe qëndrojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtar” nënvizoi ai.

Po ashtu, Mulliqi beson se nuk dëmtohet imazhi i Kosovës, pasi në Hagë po gjykohen individët dhe jo UÇK-ja si tërësi.

Edhe kur bëhet fjalë se a do të ndikon ky proces gjyqësor në zbehjen e imazhit të Kosovës, kemi mendime të ndara. Shume analistë dhe burrështetas edhe të Evropës mendojnë, se u shpallen fajtor apo jo krerët e luftës, nuk do të vije në pyetje imazhi i Kosovës, se bëhet fjalë për individ, e jo për UÇK-në si tërësi, të cilën edhe e ka përmbajte bota demokratike gjatë luftës dhe e ka ndihmuar edhe NATO më bombardimet e caqeve ushtarake kriminale serbe në Kosovë, dhe në Serbi. Amerika dhe shtetet mike të Evropës , nuk do të kishin lejuar sigurisht që të formohet një gjykatë e tillë më pretendime të njollosjes së luftës tanë të drejtë dhe çlirimtare, ashtu sikur nuk do të kishin lejuar që ata vete të shpallen fajtor pse e ndihmuan UÇK, dhe popullin e Kosovës. Nuk ka asnjë logjikë që dikush vetë veten ta shpallë fajtor, së bashku më shpalljen e UÇK–së fajtore”, vlerësoi Mulliqi.

Në fund, shtoi se historia e shqiptarëve nuk rishkruhet vetëm me një rast gjyqësor kundër disa komandantëve të saj.

Fakti që në Kuvend më shumicë votash u vendos të formohet gjykata, duhet besuar së paku në korrektësinë e saj. Historia e lavdishme e UÇK-së si dhe lufta për liri e shqiptarëve nuk rishkruhet vetëm me një rast gjyqësor kundër disa komandantëve të saj. Por, megjithatë duhet pritur përfundimi i punës të gjykatës e cila mendohet së do të funksionojë edhe disa vite, vetvetiu do të jap përgjigje në shumë pyetje hipotetike, edhe në pyetjen se a po penalizohet UÇK –ja siç po ka mendime apo jo”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat