Serbia fillon ‘aksionin’ në Amerikë, i tërhiqet vëmendja Kosovës – përmenden raportet Rama-Vuçiq!

Politika

Serbia fillon ‘aksionin’ në Amerikë, i tërhiqet vëmendja Kosovës – përmenden raportet Rama-Vuçiq!

Nga: A.Morina Më: 13 prill 2023 Në ora: 22:47
Flamujt e Kosovës dhe Amerikës

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë me këshilltarin special në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, për datat e mundshme për fillimin e dialogut strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë.

Këtë ai e ka quajtur një “hap të rëndësishëm dhe do të përfaqësojë një fazë të re në bashkëpunimin institucional”.

“Do të krijohet një mekanizëm konkret në të cilin do të futet rregullsia e bashkëpunimit dhe lidhja e institucioneve tona të ndryshme me qëllim arritjen e liberalizimit të vizave me SHBA-në dhe një marrëveshje për taksimin e dyfishtë, e cila do të hapë derën për biznesmenët amerikanë në Serbi dhe biznesmenë serbë në Amerikë”, tha Gjuriq.

Ky takim vjen pas disa lobimeve të fuqishme serbe në Amerikë dhe tentativave të Serbisë për t’u afruar me aleatin më të fuqishëm të Kosovës.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” foli për lobimet serbe në SHBA.

Fillimisht, ai nuk u shpreh i befasuar me këtë qasje të Vuçiqit dhe përfaqësuesve të tjerë të Serbisë.

Mirëpo, ai përmendi edhe se si Vuçiq nuk ishte pranuar shpesh për vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Image
Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi

“Nuk është surprizë tashmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej kohësh punojnë që Serbinë ta shkëpusin nga orbita ruse e ta ankorojnë me politikat strategjike rajonale të saj. Duket si e vështirë arritja e këtij afrimi, por në fakt nuk është krejtësisht ashtu. Është provuar se pas përdorimit të forcës ka shumë më tepër efekt ofrimi i karrotës ose kombinimi i presionit dhe karrotës njëkohësisht. Pra, pas bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë dhe rrëzimit të regjimit të Milosheviçit u hap rruga e afrimit në marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Serbisë.

Dekada e fundit ka qenë më e suksesshmja në këtë rrugë. Sepse Aleksandër Vuçiç e kuptoi që mbështetja amerikane i siguron atij jetëgjatësi në pushtet. Prandaj dhe ndërtoi urat e komunikimit me Uashingtonin. Publiku është mbajtur larg këtij rrugëtimi. Nuk dihen shumica e tentativave diplomatike dhe diplomatike për krijimin e klimës së marrëdhënieve të mira midis të dy vendeve. Madje, Vuçiç është lejuar të dalë e të demonstrojë në 24 marset e këtij dhjetëvjeçari kundërshtitë e tij me NATO-n dhe bombardimet e saj kundër Serbisë. Është lejuar që ta vizitojë shpesh Moskën e ta pres po ashtu shpesh presidentin Putin në Beograd. Është lejuar që të vazhdojë marrëdhëniet e ngushta ushtarake dhe ekonomike me Moskën. E ndërkohë nuk është pranuar shpesh në vizita në SHBA”, deklaroi profesori.

Sipas Bytyçi u kthye pas në kohë, në vitin 2020, kur Vuçiq dhe Hoti shkuan në Shtëpinë e Bardhë.

Ai beson se si pasojë e kontakteve të shtuara, presidenti serb ka premtuar se ai do të pranojë ofertën amerikane të integrimit në strukturat euro-atlantike

“Vizita e parë e Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë ishte ajo e 4 shtatorit 2020, kur presidenti Trump i thirri zotin Hoti të Kosovës dhe zotin Vuçiç të Serbisë për marrëveshjen e njohur tashmë. Pra, diplomacia u kujdes që ta mbajë larg zotin Vuçiç nga pikëpamja e përceptimit publik e ndërkohë i shpeshtoi kontaktet e hapura e sekrete me presidentin e Serbisë. Në këto kontakte të shtuara Vuçiç vazhdimisht ka premtuar se ai do të pranojë ofertën amerikane të integrimit në strukturat euro-atlantike. Madje pranoi edhe ofertën e pranimit në Partneritetin për Paqe të Aleancës Atlantike. Tani kemi ardhur në momentin kur ushtria serbe dhe ajo amerikane do të bëjnë së shpejti stërvitje të përbashkëta.

Prandaj nuk është surprizë që SHBA-të dhe Serbia do të nisin bisedimet për të ndërtuar një partneritet strategjik midis tyre. Ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriq, është dërguar atje pikërisht për të shënuar kthesën e këtyre marrëdhënieve. Karta e liberalizimit të vizave nga SHBA-të me Serbinë është më e efektshmja për të joshur Beogradin në këtë projekt”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, profesori komentoi dy çështje, ku fillimisht paralajmëroi se kërkesat Vuçiq për ta kompensuar Serbinë me diçka nga Kosova në këmbim të ankorimit të saj në strukturat euro-atlantike mund të merren në konsideratë.

“Por për mu aka dy çështje ende të panjohura:

“Së pari, cili është çmimi që mund të paguajë Kosova për këtë afrim midis Fuqisë më të Madhe të globit dhe Serbisë, një vendi që ka vrarë qytetarë amerikanë dhe ka bërë përpjekje madje të asgjësojë aeroplanët e saj bombardues, si Amerika. Kosova u çlirua nga SHBA-të dhe Aleanca Atlantike. Kjo e bën të padiskutueshme shkëputjen e saj prej Serbisë. Pra unë nuk pres që në këmbim të ndryshimit të kursit nga ana e Serbisë kjo të shpërblehet me rikthimin e Kosovës nën sovranitetin e Beogradit. Kam përshtypjen se edhe po ta duan këtë shqiptarët, Serbia nuk do ta pranonte.

Por më duhet të tërheq vëmendjen se kërkesat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për ta kompensuar Serbinë me diçka nga Kosova në këmbim të ankorimit të saj në strukturat euro-atlantike mund të merren në konsideratë. Psh ndarja e Kosovës do të ishte kërkesa themelore e Beogradit. Pikërisht kjo gjë duhet njohur së paku nga ana e autoriteteve të Kosovës. Këtë përfundim e nxjerr nga fakti se zgjidhja e konfliktit Kosovë-Serbi do të ishte përfunduar me kohë, nëse vërtet do të donin të ishin në një mendje Fuqitë e Perëndimit. Pse nuk qenë asnjëherë bashkë këto Fuqi? Sepse ka një projekt përtej Kosovës, por që me shumë mundësi Kosovës i duhet ta paguajë një çmim”, shpjegoi Bytyçi.

Më tej, ai konsideron se Serbinë e ka kapluar frika se Rusia mund të humbë luftën në Ukrainë, për këtë po tenton të ndërtojë marrëdhënie strategjike me Amerikën.

“Së dyti, është enigmë se sim und të reagojnë Rusia dhe presidenti i saj, Vladimir Putin. Në Kremlin e njohin këtë fakt. E dinë se Vuçiç bën lojë të dyfishtë midis Lindjes e Perëndimit. Dhe derisa filloi lufta në Ukrainë ishte e panjohur se nga do të anonte peshoorja. Tani në Beograd kanë frikë se Rusia do ta humbë luftën dhe për këtë shkak po shpejtojnë të ndërtojnë marrëdhënie të reja strategjike, kësaj radhe me Uashingtonin. Por nuk e dimë sesa do ta shqetësojë ky fakt Moskën, e cila pa Serbinë e humbet plotësisht kontrollin në Ballkan. A do ta pranojnë lehtësisht këtë akt të Beogradit?! Çfarë do të ndodhë e si do të reagojnë?! Eshtë ende për të parë se çfarë do të ndodhë”, u shpreh profesori.

Në fund, Bytyçi kërkoi një unifikim politikë në Kosovë, derisa kishte disa kritika për kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Ai tha se Rama ka rënë në ujdi që Kosova të ndahet ose të shërbejë si koletaral i ndryshimit të kursit serb.

“Në këto situata më e pakta që duhet të bëjnë shqiptarët e sidomos politika në Kosovë është kohezioni dhe unifikimi i qëndrimeve. Nuk duhet lejuar që të përçahet klasa politike dhe opinion publik. Fatkeqësisht Edi Rama është pozicionuar me kohë pro përpjekjeve të Vuçiç në këtë lloj kursi, madje edhe me kërkesat e tij që çmimin e ndryshimit të këtij kursi ta paguajë Kosova. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë ka rënë në ujdi që Kosova të ndahet ose të shërbejë si koletaral i ndryshimit të kursit serb drejt perëndimit. Kjo ka ndodhur, sepse Edi Rama nuk ka asnjë lloj sentimenti nacional. Sentimenti dhe ndjenja e tij është e lidhur vetëm me pushtetin dhe pasurinë. Dhe në këmbim të këtyre dy elementëve makutërie ai nuk ka pasë asnjë dhimbje për ta bërë Kosovën kurban të suksesit të Vuçiç në marrëdhëniet e tij me SHBA-të. Kjo është një prej arsyeve pse DASH e mbështet qeverisjen mafioze e arrogante të Edi Ramës në Shqipëri dhe toleron makutërinë e tij në korrupsion dhe bashkëpunimin me mafien ndërkombëtare”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat