Prapaskenat e takimeve të Gjuriqit në Amerikë, sinjal për Kosovën – ja çfarë po përgatitet “pas perdeve”!

Politika

Prapaskenat e takimeve të Gjuriqit në Amerikë, sinjal për Kosovën – ja çfarë po përgatitet “pas perdeve”!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 prill 2023 Në ora: 08:01
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Tash e një kohë, Serbia ka filluar me një fushatë politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka intensifikuar lobimet e saj kundër shtetit të Kosovës.

Së fundi, ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë me këshilltarin special në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, për datat e mundshme për fillimin e dialogut strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë.

Këtë ai e ka quajtur një “hap të rëndësishëm dhe do të përfaqësojë një fazë të re në bashkëpunimin institucional”.

“Do të krijohet një mekanizëm konkret në të cilin do të futet rregullësia e bashkëpunimit dhe lidhja e institucioneve tona të ndryshme me qëllim arritjen e liberalizimit të vizave me SHBA-në dhe një marrëveshje për taksimin e dyfishtë, e cila do të hapë derën për biznesmenët amerikanë në Serbi dhe biznesmenë serbë në Amerikë”, tha Gjuriq për median serbe.

E natyrisht, këto lobime serbe kanë ngjallur reagime dhe shqetësime në Kosovë, marrë parasysh se SHBA-të janë një nga aleatet më të fuqishme të vendit tonë.

Kësisoj, analistët për “Bota sot” komentuan këto lobime serbe, ndryshimin e strategjistë politike të SHBA-së dhe raportet e tyre me Kosovën.

Elezaj: Ndryshimi i politikës amerikane ndaj Serbisë nuk do ketë ndonjë pasojë në raportet tona me Amerikën

Opinionisti Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot” foli për lobimet serbe në SHBA dhe takimin e fundit të Gjuriqit me Chollet.

Image
Rexhep Elezaj

Fillimisht, ai beson se kjo ka të bëjë me një plan të ri amerikan për Serbinë.

“Para se të bëhet fjalë për lobime serbe në SHBA, përfshirë takimin e fundit të ambasadorit të Serbisë në Uashington me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan, z. Derek Chollet, do thosha se më përpara kemi të bëjmë me plan dhe strategji të re amerikane ndaj Serbisë, të cilën Uashingtoni ka kohë që e ka paralajmëruar, se qëndrimi amerikan ndaj Serbisë, krahasuar me vitet e kaluara, ka pësuar ndryshim të madh si në përmbajtje, ashtu dhe në praktikë”, deklaroi opinionisti.

Sipas Elezajt, me emërimin e Hll si ambasador në Serbi, u dha sinjal i qartë se Amerika ka filluar ta ndryshojë qasjen ndaj ktij shteti.

“Në kontekst të pyetjes tuaj, unë do thosha se politika amerikane ndaj Serbisë shenjat e para të ndryshimit të saj i ka dhënë që kur për ambasador në Beograd e kishte emëruar z. K. Hill, i cili përveç përvojës së madhe diplomatike, ai njihet edhe si mik i Serbisë, qoftë për shkaqe personale, qoftë për simpatinë e tij të hapur ndaj Serbisë. Bile, ai këtë miqësi e ka shpërfaqur disa herë qëkur e ka marrë postin e ambasadorit në Beograd, diku para gati dy viteve, siç ishte deklarata e tij e njohur në një televizion serb; “se ai personalisht në Konferencën e Rambujesë (1999) nuk ka qenë për pavarësinë e Kosovës, veçse për autonomi substanciale nën Serbi”, më pas deklarata tjetër e tij para pak muajve; “se ka ndjerë dhimbje dhe keqardhje të madhe për vdekjen e serbëve nga bombardimet e NATO-s”, derisa në anën tjetër, K. Hill, në vazhdimësi ka drejtuar kritika dhe ka bërë presion mediatik mbi qeverinë e Kosovës rreth asociacionit, targave, etj”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, opinionisti përmendi edhe disa investime amerikane në shtein serb, ku tha se në gjithë këtë afrimi të SHBA-së me Serbinë ka ndikuar lufta ruse në Ukrainë.

“Po ashtu, nuk duhet harruar, sidomos investimet amerikane në Serbi, ku sipas deklaratave të pushtetarëve të Beogradit, kalojnë vlerën prej miliarda dollarësh, investime këto që do vazhdojnë me intensitet të shtuar sipas dinamikës strategjike amerikane në rajon. Duke shtuar patjetër faktin, se agresioni rus në Ukrainë (24. Shkurt 2022) si dhe vazhdimi i luftës deri më sot, pa dyshim, ka pasur ndikim të madh në afrimin amerikan me Serbinë, duke marrë parasysh qëndrimin pro-rus të saj, madje e cila ende nuk ka vendos masa ekonomike ndaj Rusisë, ndaj të cilës DASH-i gradualisht i ka zbutur qëndrimet e saj, mbase deri në përkëdhelje politike, me qëllim të vetëm që Serbinë me çdo kusht mos ta lejon që t’i bashkohet Rusisë”, theksoi Elezaj.

Më tej, ai beson se këto lobime serbe në Amerikë, kanë efekt për faktin se janë në pyetje disa interesa strategjike të SHBA-së në Evropë, veçanërisht në Ballkan.

Pra, Uashingtoni zyrtar është duke i ofruar asaj ndihma të mëdha financiare, siç ishte nënshkrimi i marrëveshjes për partneritet të Serbisë me Këshillin ekonomik të SHBA-ve, kur iu dhanë mbi një miliard dollarë, etj. Madje, sipas shumë indikatorëve politik amerikanët po punojnë që Serbinë ta fusin edhe në NATO, duke e joshur me investime të reja dhe ndihma tjera ekonomike, me qëllim që mos ta lejon bashkëngjitjen e saj sferës së interesave ruse në Evropën qendrore dhe Ballkan, duke e ndihmuar Serbinë që sa më shpejtë të anëtarësohet në BE.

Po ashtu mendoj, se sikur të mos ishin në pyetje interesat strategjike të Amerikës në Evropë, përfshirë Ballkanin perëndimor, lobimet serbe në Uashington nuk do kishin pasur ndonjë efekt, dhe për këtë janë të vetëdijshëm plotësisht pushtetarët serbë, të cilët këtë afrim midis tyre me mjeshtri të madhe po e paraqesin si sukses të madh të politikës dhe diplomacisë serbe, dhe atë gjithnjë në prizmin e kthimit të amerikanëve kundër pavarësisë së Kosovës..”, shpejgoi opinionisti.

Krahas kësaj ai vlerëson se ndryshimi i strategjisë politike amerikane ndaj Serbisë nuk do ketë ndonjë pasojë në raportet tona me Amerikën.

“Se, a mund të ndikojnë marrëdhëniet gjithnjë e më të mira të Serbisë me SHBA-të në dëm të raporteve Kosovë-SHBA, marrë parasysh strategjinë dhe politikën amerikane në Ballkanin perëndimorë, sidomos në planin e ndarjes së sferave të reja të interesit midis Lindjes dhe Perëndimit, mendoj se ndryshimi i politikës amerikane ndaj Serbisë nuk do ketë ndonjë pasojë në raportet tona me Amerikën, ndonëse asnjëherë nuk duhet besuar politikanëve neo-kriminelë të Serbisë, të cilët do bëjnë dhe ndërmarrin çdo gjë që ta zhbëjnë pavarësinë e Kosovës dhe ripushtimin e saj të serishëm..”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Duhanaj: Ka kohë që Serbia me çdo kush është duke kërkuar afrinë me perëndimin, gjegjësisht me SHBA-të

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se Beogradi me çdo kusht po kërkon që të afrohet me Amerikën.

Kësisoj, ai bëri ndërlidhje me raportet e Kosovës me SHBA-të dhe ndikimin e Serbisë në marrëdhëniet tona.

“Jo vetëm tani, por ka kohë që Serbia me çdo kush është duke kërkuar afrinë me perëndimin, gjegjësisht me SHBA-të. Për fat të keq, ketë nuk mund ta pohojmë për vendin tonë. Qeveria e Kosovës e ka zbehur në masë të madhe koordinimin dhe bashkëpunimin me ta dhe kjo gjë mund të na hakmerret rëndë. Ne akoma nuk e kemi përmbyllur fazën e shtet-ndërtimit dhe për këtë duhet të jemi koshient se në çdo fazë mund të detyrohemi të bëjmë kompromise ndaj interesave serbe, gjë që edhe po e bëjmë vazhdimisht.

Shembull konkret e kemi situatën me targat, ku SHBA i kërkoj Kryeministrit Kurti ta shtyjë afatin e zbatimit për 10 muaj, për t'i dhënë hapësirë marrëveshjes. Çfarë bëri Kurti, e mohoj kategorikisht, duke u thirrur në zbatimin e ligjshmërisë. Ajo që ndodhi me pastaj ishte vetëm degradim i shtetit të Kosovës”, potencoi analisti.

Duhanaj, kritikoi qasjen e kryeministrit Kurti në raport me Serbinë dhe situatave të krijuara në veri.

Kryeministri Kurti me vetëdije të plotë zgjodhi rrugën e konfrontimit, rrugë e cila i konvenoi vetëm Serbisë. Në veri u shkaktuar tensione e barikada, të cilat Qeveria nuk arriti t'i qetësoj. Përkundrazi, ndodhi një dezintegrim i plotë i serbëve në veri.

Si pasojë e këtij dezintegrimi, u rrit çmimi në dialog, ku pala serbe e shfrytëzoi duke insistuar në pamundësinë e një bashkëjetese.

Si rezultat i këtij "budallaki" , ndoshta edhe të qëllimshëm, kemi një marrëveshje me asociacion”, potencoi ai.

Në fund, analisti tha se bazuar në konfrontimet e mëparshme, Serbia po kërkon që të përfitojë nga kjo situatë dhe t’i afrohet Amerikës.

Tani nuk duhet të na befasoj përpjekja e Serbisë për t'u ofruar sa me shumë me SHBA, sepse konfrontimi me ta u ka kushtuar me Kosovën.

Ata e kanë kupruar rolin në të cilin duhet luajtur për të përfituar, gjë që për fat të keq, nuk mund ta pohojmë për institucionet aktuale kosovare.

Në ketë kontekst, uroj të këndellemi dhe të kemi kujdes të shtuar, sepse askush nuk ka nevojë për ne, përderisa ekzistenca jonë është e varur nga Perendimi”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat