Kërkesat e reja të Serbisë, deputeti i VV-së i “kundërpërgjigjet” Vuçiqit

Politika

Kërkesat e reja të Serbisë, deputeti i VV-së i “kundërpërgjigjet” Vuçiqit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 prill 2023 Në ora: 19:17
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Marrëveshja e Ohrit e pranuar nga të dyja vendet (Kosovë- Serbi), nuk po respektohet nga kjo e fundit.

Zhvillimet e fundit në veri (targat dhe plagosja e serbit), kanë qenë shtysë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të ketë një takim me serbët e Veriut në Rashkë.

Gjatë këtij takimi, ai ka kërkuar reagim urgjent nga BE-ja, autoritetet dhe institucionet e tjera në botë që ta ndalin, sipas tij, menjëherë shkeljen e marrëveshjes nga ana e Kosovës, për targa dhe të mundësohet lëvizja e papenguar e automjeteve me targa legale nga Serbia.

Sipas tij, nëse Kosova e refuzon këtë zgjidhje, pala serbe do të kundërpërgjigjet me “masa të forta dhe adekuate politike për të mbrojtur rendin kushtetues”.

Një kërkesë tjetër e tij është ajo për “formimin e pakushtëzuar dhe urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe, si parakusht për hapat e mëtejshëm në dialog dhe kthimin e serbëve në institucione”.

Pika e tretë e Vuçiq është kërkesa që “forcat policore shqiptare të vendosura ilegalisht në veri të Kosovës të tërhiqen”.

Kurse kërkesa e katërt ishte për zgjedhjet. Ai deklaroi se Serbia nuk do ta lërë në baltë popullin e saj dhe nuk do të dalë kundër Listës Serbe, e cila vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje”.

Këto kërkesa ishin miratuar në Kuvendin e Serbisë të shtunën, ndërsa një reagim ndaj tyre ka pasur Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ajo çka ndodhë në Kosovë vendos Qeveria e Kosovës dhe kuvendi i saj.

“Për formimin e Asociacionit, lejimin e targave KM, largimin e njësive speciale nga veriu e për çka ndodhë në Kosovë vendos Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës”, është shprehur Bajqinovci.

Image
Mefail Bajqinovci
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat