E injoroi tërësisht Abazoviqin për shkak të deklaratës për Demarkacionin, vjen paralajmërimi për Haradinajn: Gabim shumë i madh!

Politika

E injoroi tërësisht Abazoviqin për shkak të deklaratës për Demarkacionin, vjen paralajmërimi për Haradinajn: Gabim shumë i madh!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 prill 2023 Në ora: 20:53
Dritan Abazoviq

Ditë më parë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës refuzoi ta takojë kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq.

Arsyeja e refuzimit të këtij takimi nga kreu i Aleancës u tha se kishte të bënte me qëndrimin e kryeministrit malazez Abazoviq rreth Demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe çështjeve të tjera që lidhen me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

“Kryetari i AAK-së ka pasur një kërkesë nga qeveria e Malit të Zi për takim, por ka refuzuar pikërisht për arsye të qëndrimeve të Abazoviq”, ka thënë një zyrtar i AAK-së.

Por, cili është qëndrimi i Abazoviq për Demarkacionin dhe çfarë kishte thënë kryeministri malazez për këtë çështje që e bëri Haradinajn t’ia refuzojë takimin.

Dy javë pasi ishte zgjedhur kryeministër i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në një intervistë për media kishte deklaruar se çështja e Demarkacionit është e mbyllur dhe nuk sheh mundësi për rishikim të çështjes.

Unë në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Kjo është çështja aktuale”, deklaronte Abazoviq.

Ai kishte thënë se në Mal të Zi konsiderohet çështje e mbyllur dhe nuk ka asnjë debat rreth çështjes, pavarësisht se në Kosovë çështja kishte ngjallur debate.

“Për Mal të Zi ajo është e mbyllur kur është nënshkruar, këtu nuk ka sjellë asnjë debat, e di se në atë kohë ka sjellë debat në Parlamentin dhe Mediat e Kosovës, këtu nuk ka sjellë debat. A është bërë ndonjë gabim, është korrekte apo jo korrekte, nuk e kam atë njohuri, pa marrë parasysh, kjo është një përgjigje gjenerale, unë jam për çdo problem që e kemi dhe do të paraqiten gjëra të tjera në të ardhmen dhe unë jam për t’i kryer me një bindje se vetëm me dialog dhe respektim ndërmjet shteteve me tregim të respektit mundemi me ardhur tek konkludimet dhe solucionet që janë të mira për dy palët.”, kishte deklaruar Abazoviq.

Duket, se Haradinaj ende vazhdon të mbajë ‘inate politike’ me Abazoviqin, sa që vendosi ta injoroj tërësisht gjatë kohës sa ishte për vizitë në Kosovë.

Preqi: Haradinaj, për fajet e tij refuzoi takimin me kryeministrin Dritan Abazoviq

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Image
Dedë Preqi

Fillimisht, u shpreh se mundësia e njeriut për ta keqpërdorë pushtetin tregon që në startim të parë dhe lë përshtypjen jo të mirë në mënyrë të vazhdueshme.

“Meqenëse ende nuk ekziston një përkushtim i vërtetë dhe i efektshëm lidhur me përdorimin e pushtetit, por prirja për ta trajtuar këtë përdorim pushteti si një proces i domosdoshëm në shoqërinë njerëzore po bëhet sot gjithnjë e më i theksuar, dhe përmes pushtetit po krijohen përvoja të hidhura dhe të hamendësuara në favor të interesit dhe të përfitimit personal dhe klanor.

Prandaj, duket se njeriu ndoshta edhe ai modern nuk është i edukuar ta përdor në mënyrë të drejtë pushtetin, dhe ndodh që ndërgjegjësimi për një problem të tillë i mungon vëmendja dhe kufizohet te rreziqe të tjera të jashtme apo të brendshme, por mundësia e njeriut për ta keqpërdorë pushtetin tregon që në startim të parë dhe lë përshtypjen jo të mirë në mënyrë të vazhdueshme, atëherë kuptohet se pushteti nuk është në duart e njeriut të duhur dhe të logjikës së shëndoshë, që kërkon një ndryshim më adekuat”, deklaroi ai.

E këtë fenomen, Preqi e ndërlidhi me shqiptarët dhe pushtetin e pasluftës, ku sipas tij kishte një lloj huliganizmi i klaneve partiake në krye të pushtetit.

“E njëjta gjë do të ndodhte edhe me shqiptarët, apo të themi më troç, kur kemi të bëjmë me pushtetin e pas luftës në Kosovë, me faktin se shoqëria e jonë kurrë ndonjëherë nuk e kishte lirinë dhe kapacitetet e saj të bëhet funksionale dhe vetëqeverisëse, në këtë vend shpërtheu një lloj revanshizmi i egove, apo një lloj huliganizmi i klaneve partiake në krye të pushtetit, duke e keqpërdorë jo vetëm lirinë edhe gjakun e dëshmorëve që e flijuan jetën e tyre për këtë të drejtë sublime, por me avazin e tyre do të humbte kuptimin e vet edhe trolli i të parëve tanë, që të vihet në dyshim apo të bëhen pazare me tokën tonë stërgjyshore.

Ndoshta mund të thuhet se këtu bëhet fjalë për shfaqje të skajshme të problemeve të shoqërisë tonë kosovare, dhe akoma kemi të bëjmë me konsolidimin dhe zgjidhjen e disa problemeve në shtetin tonë, që na i ka lënë lufta zvarrë, për të cilat kërkohet angazhim edhe më i madh në sanimin e tyre”, theksoi opinionisti.

Po ashtu, ai bëri një vlerësim për politikanët që e udhëhoqën Kosovën, por ndaloi dhe foli më shumë për kreun e AKK-së, Ramush Haradinajn.

“Por, nga do që të nisemi, brazën e qeverisjes e kemi filluar mbrapsht deri më tani, duke filluar nga kryeministri Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe të tjerët, që vetëm u pasuruan në kurriz të popullit, duke u ndalur te Albin Kurti, që ky i fundit, thuhet se nuk ka as shtëpi të vetën, por duhet pritur vlerësimin dhe efektin që shënon edhe ky kryeministër, duke veçuar vetëm presidentin historik Ibrahim Rugova, i cili mbetët i përjetshëm si lider i unitetit tonë kombëtar e njerëzor i këtij vendi, që ka gjasa se ka lënë një pasardhëse të denjë siq është sot zonja Vjosa Osmani.

Do ndalemi te z. Ramush Haradinaj, që këto ditë e refuzoi takimin me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që do të thoshim për fajet e veta, por si një ish-kryeministër i Kosovës, dhe bartës i vlerave të lirisë, i cili rrjedh edhe prej një familje atdhetare, që dha kontribut të çmueshëm dhe sakrifikoi për lirinë e këtij vendi bashkë me familjen dhe vëllezërit e tij, një përgjegjësi e tillë duhet ta shpiej në vend në mënyrën e trajtimit të tërë kësaj vlere që ekziston, që të bëhet edhe më e kuptimshme në ecuritë dhe jetën e përditshme të këtij vendi dhe këtij populli”, nënvizoi Preqi.

Në vazhdim, opinionisti i vlerësoi raportet Kosovë-Mali i Zi, derisa mbështeti deklaratën e Abazoviq për çështjen e Demarkacionit.

“Kosova dhe Mali i Zi, kanë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale në mes vete, që prej pranimit të këtij vendi, që njohi Kosovën, si shtet demokratik dhe sovran, dhe po ashtu kur Dritan Abazoviq, e mori postin e kryeministrit të këtij vendi, deklaroi se çështja e ndërlikuar e Demarkacionit në mes këtyre dy vendeve është trajtuar njëherë, dhe atëherë kur ky njeri nuk e kishte një post të tillë udhëheqës, prandaj edhe këtë çështje e sheh si një kapitull të mbyllur.

Edhe pse sot ekziston një farë mirëkuptimi në mes këtyre dy vendeve, sikur kjo marrëdhënie nuk duhet të merr një acarim të mundshëm për shkak të gabimeve tona, dhe nëse duhet ta fajësojmë Malin e Zi, për shënimin e Demarkacionit, është e vërtetë se kemi të drejtë si popull të ngrisim zërin tonë, sepse janë bërë gabime të rënda dhe shkelje e të drejtave tona, por vetë ia kemi dhënë 8300 hektarë tokë tonat këtij vendi dhe tani nuk duhet ti mbyllim sytë, apo ta lëmë sot Dritanin si një kryeministër fajtor i këtij vendi, për një çështje që sot nuk mundet ta trajtoj në rrethana të tilla”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, Preqi tha se është shumë e vështirë që të rishikohet çështja e Demarkacionit, pasi ajo ka kaluar në duar e ish-kryeministri Haradinaj, e që sipas tij ky I fundit duhet të pendohet për një marrëveshje të tillë.

“Dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, zonja Donika Gërvalla, një çështje të tillë e ngriti, që çështja e Demarkacionit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, të rishikohet edhe njëherë, mirëpo një gjë e tillë sikur ka ndodhur njëherë dhe është shumë vështirë të vije në pikën e fillimit, sepse një përgjegjësi në mënyrën e trajtimit të kësaj çështje ka kaluar nëpër duar tona dhe të vetë ish-kryeministri Haradinaj, i cili duhet të pendohet për një marrëveshje të dëmshme për popullin dhe shtetin e Kosovës, dhe ndërgjegjësimi për një gjë të tillë është i vonuar.

Kosova si shtet sovran dhe i pa varur ka humbur shumë tokë, sa i përket shënimit të vijave kufitare me fqinjët e vet, dhe që në Demarkacionin me Maqedoninë Veriore, ajo i humbi me qindra hektarë tokë, po ashtu me Malin e Zi, edhe më shumë, por çka do të bëjë me fqinjin verior Serbinë, e cila ka pretendime të pa mëshirshme pushtuese dhe gllabëruese të këtij vendi, po sikur Kosova, aq e vogël, do të kishte territor aq të mjaftueshëm, që do t’ua shuante apetitet gjithë fqinjëve të vet”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Burjani: Refuzimi i Haradinajt për Abazoviqin, gabim i madh diplomatik e ndërshtetëror

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, analisti politik, Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” u tregua i ashpër me Haradinajn.

Sipas tij, vendimi për ta refuzuar takimin me Abazoviqin nuk ishte i drejt, madje këtë e cilësoi një gabim të madh diplomatik.

“Pa kuptim, nuk ka sens, pikërisht për atë temë e shumë tema të tjera ishte dashur ta takoj, me mos takim nuk zgjidhet asgjë, kjo është ABC-ja e politikës, nuk duhet të ketë mos kuptim as keqkuptim, nëse është kjo arsyeja e mos takimit, atëherë është gabim i madh diplomatik e ndërshtetëror’, deklaroi ai.

Më tej, analisti kishte disa kritika të ashpra për Haradinajn dhe mënyrën e tij të të bërit politikë.

“Atij nuk duhet t’i nxinet për të madhe se si është ‘mbret’ në këtë subjekt, ku të gjithë njerëzit që i shkojnë pas janë “rrogëtar” të tij. E siç e dini në gjuhën popullore “rrogëtari” s’ka të drejt as me folë e lëre më me vepru. Ramushi është partia, ata të gjithë i ka shpërblyer për argat që kanë kryer punë për të, subjekt autoritar dhe i pa dobishëm për shtetin, por pse me qel markete në fshat, më mirë me jetua si sulltan nga vota e qytetarëve, gabimet që kanë bërë votuesit, po ia shohin sherrin që 20 vjet, pra pa vetëdijësim të qytetarëve gjithmonë do t’i vuajnë pasojat”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat