Alarmon Shala: Pasojat mund të jenë tragjike, BE dhe SHBA t’ia heqin fitilin “bombës” që e mbanë Vuçiqi në duar

Politika

Alarmon Shala: Pasojat mund të jenë tragjike, BE dhe SHBA t’ia heqin fitilin “bombës” që e mbanë Vuçiqi në duar

Nga: M.Lakna Më: 19 prill 2023 Në ora: 10:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Në pjesën e dytë të bisedës për gazetën “Bota sot”, publicisti dhe veprimtari shqiptar që jeton në SHBA, Hafiz Shala ka dhënë mendimet e tij personale lidhur me marrëveshjen e Ohrit, qasjen e opozitës dhe zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.

Kështu sipas publicistit Shala, me deklarimin e Kryeministrit Kurti se e pranon Marrëveshjen e Ohrit, praktikisht bombën ia la në duar Vuçiqit.

Evropa e SHBA, duhet t’ia heqin fitilin nga ajo bombë që e mbanë Vuqiqi për të mos eksploduar. Pra, është në duart e tyre se, a do t’i hiqet nga dora apo do të përballen me pasoja, jo vetëm në atë Dardani-Serbi por, pasojat në gjeopolitikën e përgjithshme”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se në aspektin e brendshëm, fatkeqësia e madhe është se, faktori politik është tej-skajshmërish i përçarë për shumë arsye.

Njëra është, pushteti të cilët u mashtruan me deklaratat e Escobarit se, nëse qeveria nuk e themelon asociacionin, e bëjmë ne, duke u deklaruar me një lloj alternativën “B” që e joshi opozitën, e cila ishte ne gjendje të nënshkruaj çkado që t’i ofrohej, posaçërisht pas vizitave në Uashington në takim me zotin Escobar, bëhet fjalë për PDK-në dhe LDK-në, të cilët në mënyrë furioze iu vërsulën Kurtit dhe udhëheqjes aktuale ku fitohet përshtypja se, kjo udhëheqje, për dy vite, i shkaktuan dëm këtij shteti dhe këtij populli, më tepër se ish qeveritë dhe pushtetet gjatë 20 viteve të qeverisjes së tyre”, shton ai.

Image
Hafiz Shala

Ai foli edhe për problemin e Kosovës me korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë si pasojë e qeverisjeve të kaluara.

E treta, lufta kundër krimit, korrupsionit dhe pasurimit të jashtëligjshëm të cilën duhet t’u konfiskohet pasuria e jashtëligjshme, është esencialja, sepse, tentimet për të bërë ndryshime në, prokurori, gjyqësi, hetuesi e polici, të cilët, po t’i merrni parasysh vilat në Brezovicë, lënë të kuptoj se, pushteti, drejtësia, prokuroria e hetuesia kanë qenë të kontrolluara e të kapura prandaj, me të drejtë i frikohen drejtësisë së pa kapur”, nënvizon ai.

Për publicistin Shala, është e rëndësishme që kryeministri Kurti së bashku me shtetet e Quintit do të ndërmarrin hapat që shteti të mos u dorëzohet grupeve terroriste atje.

“Besoj se Kryeministri Kurti, zhvillon takime me shtetet e Quintit dhe aty do të bisedohet për hapat të cilat duhen te merren duke e pasur parasysh funksionimin e shtetit dhe mosdorëzimit ndaj shantazhimeve të grupeve terroristo-kriminale në veriun e Mitrovicës, oazë në të cilën zhvillohen të gjitha veprimet kriminale, trafikime të llojeve të ndryshme, duke i shantazhuar qytetarët serb në veri të cilët për 20 vite jetojnë në geto pa kurrfarë të drejtave, pa kurrfarë sigurie, në të vërtetë, të shantazhuar, të rrezikuar dhe të pambrojtur, as nga Serbia e as nga Dardania pasi, ligjin e kanë në dorë grupet mafioze-kriminale të cilat janë të lidhura direkt më Vuqiqin”, u shpreh ai.

Sipas publicistit, qytetarët serbë në veri, janë jashtë çdo demokracie qytetare, prandaj duhet të krijohen kushte që të bisedohet shtruar me ta dhe, t’u bëhet me dije se, ata të cilët nuk e njohin shtetin në të cilin jetojnë, e rrezikojnë ushtrimin e të drejtës së tyre qytetare e kushtetuese.

“Për të arritur paqe dhe stabilitet, Evropa dhe SHBA-t duhet t’ia përkujtojë Serbisë dhe Vuqiqit se, ndaj shqiptarëve kanë ushtruar gjenocid dhe, për të arritur marrëveshje dhe për të krijuar marrëdhënie të shëndosha reciproke ndërshtetërore, Serbia duhet ta ulë kokën e jo të dirigjojë, shantazhojë e të qes kushte sepse, durimit i ka ardhur fundi prandaj, edhe Evropë e Amerikë, mund dhe duhet të ushtrojnë sanksione ekonomike dhe forma të tjera deri të izolimi total”, ka thënë ai.

Prandaj, sipas Shalës, zgjidhja është në duar të këtyre dy kontinenteve të cilat e mbajnë përgjegjësinë si ndërmjetësuese historike për të ofruar zgjidhje, e cila siguron paqe dhe stabilitet.

Përndryshe, pasojat mund të jenë me përmasa tragjike. Urojë dhe shpresojë se, do të mbretërojë vetëdija, përkushtimi dhe humaniteti qe gjeneratat e reja mos t’i lëmë në konflikte historike si ato të deritanishmet”, përfundon Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat