Fushata lobuese kundër Kosovës/ Deputetët: Serbia shkelëse e marrëveshjeve – të zbatohen sanksionet që janë përmendur

Politika

Fushata lobuese kundër Kosovës/ Deputetët: Serbia shkelëse e marrëveshjeve – të zbatohen sanksionet që janë përmendur

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 20 prill 2023 Në ora: 08:38
Këshilli i Evropës

Në marrëveshjen e Ohrit të mbajtur më 18 mars, palët janë dakorduar për normalizimin e marrëdhënieve, dhe mos pengimin e njëra-tjetrës në anëtarësimin e organizata ndërkombëtare.

Por, Serbia është ajo e cila ka nisur fushatën lobuese kundër anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Serbia po lobon për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, e po ashtu po viziton vendet që janë nën ndikimi rus, gjë që përbën shkelje të marrëveshjes së Ohrit.

Për këtë, ka reaguar Presidenca e Kosovës.

“Daçiq po viziton vendet që janë nën sferën e ndikimit rus.

Një veprim i dëshpëruar për të minuar zbatimin e nenit 4 të marrëveshjes me Kosovën.

Serbia do të shkelë nenin 4 nëse voton kundër anëtarësimit të Kosovës në organet ndërkombëtare. Së shpejti do të vihet në provë!”, ka thënë Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani.

Bajrami: Topi është në anën e BE-së si garantues të marrëveshjes

Image
Alban Bajrami

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Bajrami, ajo çfarë po bënë Serbia kundër Kosovës është propagandë, andaj topi është te BE e cila është garantuese e marrëveshjeve.

Bajrami shton se, Serbia nuk do të arrijë ta ndalë Kosovën në asnjë proces integrues.

“Serbia botërisht njihet si shkelëse e marrëveshjeve dhe këtë gjë e ka bërë në vazhdimësi.

Nuk pres asgjë më pak se propagandë e pengim pavarësisht gjithë dakordimit për mospengim, por një gjë është e sigurt tashmë topi është në anën e BE-së si garantues të marrëveshjes për të cilën po e shkelë Serbia dhe se po ashtu është e sigurt që Serbia nuk do të arrijë ta ndalë Kosovën në asnjë proces integrues”, deklaron deputeti i VV-së, Alban Barjami.

Batusha: Nuk ka mbetur më kuptim në arritjen e çfarëdo marrëveshje me Serbinë, përderisa ajo vazhdon të shkel secilën prejt tyre

Image
Agon Batusha

Edhe deputeti tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se ajo çfarë po bënë Serbia është në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit dhe nuk është shkelja e parë.

Ne synojmë të jemi pjesë e Këshillit të Evropës dhe për këtë çdo institucion dhe përfaqësues është duke u angazhuar.

Që Serbia nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruar apo dakorduara kjo nuk është gjë e re. Kjo çfarë po bënë Serbia është në kundërshtim me dakordancën e Ohrit dhe kjo nuk është shkelja e parë që nga takimi i Ohrit. Një sjellje e tillë do duhej të dënohej me ashpërsinë më të madhe nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga ndërmjetësuesi dhe nga mbështetësi e këtij dialogu, pra SHBA. Janë përmendur sanksionet në rast se nuk arrijmë dakordancën dhe në rast se shkelet më pas marrëveshja, por ende nuk kemi parë asgjë”, thotë deputeti.

Sipas tij, Serbia është ajo e cila po shkelë çdo marrëveshje, andaj edhe me Serbinë nuk ka më kuptim arritja e çfarëdo marrëveshjeje.

Ai shton, se me këtë qasje të Serbisë humb besimin në dialog.

“Nuk ka mbetur më kuptim në arritjen e çfarëdo marrëveshje me Serbinë, përderisa ajo vazhdon të shkel secilën prej tyre. Kjo sjellje e humb besimin në dialog, e humb besueshmërinë në marrëveshjet që arrihet dhe aq më tepër po humb kuptimi faktorëve ndërmjetësues apo shteteve që lehtësojnë dialogun përderisa nuk bëjnë asnjë hap në drejtim të qortimit dhe sanksionimit të palës destruktive.

Ne do të vazhdojmë me mirëbesim, me vullnet për të zgjidhur çështjet e hapura dhe me besim në vlerat e parimet demokratike. Por, sjellja e palës tjetër mund të venitë mirëbesimin tonë në këtë proces”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat