Deklarata e Escobarit për Asociacionin dhe kundërshtimi i Konjufcës – kërkohet ‘ndihma’ e Biden-it! 

Politika

Deklarata e Escobarit për Asociacionin dhe kundërshtimi i Konjufcës – kërkohet ‘ndihma’ e Biden-it! 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 prill 2023 Në ora: 19:59
Gabirel Escobar

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditë më parë ka thënë se pret që të ketë një propozim nga qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.   

“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha zoti Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës. 

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.   

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha zoti Escobar.   

E njësoj si Escobar, nuk mendon edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.   

Ai tha se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për formimin e Asociaoconit pa u arritur njohja nga Serbia.   

“Kjo ka lidhje me këtë procesin negociator me të cilin Kosova tashmë  është pjesë dhe krejt çka ka mbet është që pritet tash takimi i 2 majti që të sqarohet edhe kjo fazë në të cilën jemi. Unë mendoj që në dy binar është e ndërtuar marrëveshja, binari i parë është njohja de facto nga ana e Serbisë ndërsa binari i dytë është Asociacioni të cilin Kosova, Qeveritë e mëparshme dhe një mazhoranc e mëparshme e në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet me tregu që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet me bë asnjë pa u realizuar binari i parë, që është njoha de facto”.   

“Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluar është se ekziston një ekip i menaxhimit. I cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofroj tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke pa përbërjen e këtë menaxhment-team, ku është i përberë edhe nga deputete e Serbisë, kjo është e pa pranueshëm për Kosovën. Unë mendoj nëse ky menaxhmet ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë unë mendoj që me e udhës për Kosovë është që të shkarkohet ky menaxhment”.   

Qarri: Përgjigja më e mirë dhënë z.Escobar erdhi pikërisht nga kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca   

Image
Gani Qarri

Analisti politike Gani Qarri, në një bashkëbisedim me “Bota sot” kritkoi qasjen e emisarëve amerikanë, evropianë dhe të partive opozitare ndaj qasjes së Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë.   

“Stërkeqja ogurzezë e opozitës së inkriminuar, e cila është më në hall se vet Serbia, me sukseset e qeverisjes aktuale të Kosovës, po bënë që edhe ndërmjetsuesit e BE-së, Borell e Lajçak, emisari i lartë amerikan Gabriel Escobar dhe veçanërisht ambasadori i SHBA-ve në Serbi Christopher Hill për të cilin, me turrin që ka marrë kundër Kosovës, unë personalisht nuk arrij më të kuptoj, a është edhe ai vet shtetas serb, apo amerikan, përkundër faktit se vendi ynë është në të drejtën e vet, koalicioni Vuçiq, opozitë e inkriminuar kosovare, Lajçak dhe Hill, t`ia vejnë shkelmin në fyt Kosovës, për ta ngulfatur deri në shkatërrim”, deklaroi ai.   

Qarri potencoi se Escobar do duhej që të merrej me kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe jo të kërkojë me çdo kusht themelimin e Asociacionit. 

“Madje përkundër faktit se në marrëveshjen e dakorduar, emërtimi asociacion nuk ekziston dhe është dakorduar për vetmenaxhim të komunitetit pakicë, dikund në pikat e fundit të marrëveshjes, sot shohim se si me kaq turr të paparë, sa herë e përmend Vuçiqi në Serbi të ashtuquajturin «asociacion» të parët që i vërsulen Kosovës janë shtetasit amerikanë Christopher Hill dhe Gabriel Escobar, sikur ata ta përfaqësonin Serbinë e Vuçiqit dhe jo SHBA-të.   

Kështu që në lidhje me këtë temë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në vend se ti dërgojë vërejtje Serbisë për kërcënimet që u bënë pareshtur serbëve në veri të Kosovës, që të mos dalin në zgjedhje, të cilat do të mbahen këtë të diel, ai kërkon një propozim nga Qeveria e Kosovës, jo për vetmenaxhimin e komunitetit serb, por për «Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe» deri më 2 maj, kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Bruksel”, theksoi analisti.   

Më tej, ai mbështeti deklaratën e Konjufcës lidhur me Asociacion, në të cilën kundërshtoi kërkesën e emisarit amerikan.   

“Prandaj përgjigja më e mirë dhënë z.Escobar erdhi pikërisht nga kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Glauk Konjufca se marrëveshja Kosovë Serbi, është e ndërtuar në dy binar, i pari është që Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe vetëm pastaj Kosova mund të angazhohet për ofrimin e projektit të vetmenaxhimit të komunitetit të pakicës serbe, por jo, pa reciprocitet për shqiptarët në Kosovën Lindore dhe atë gjithsesi vetëm pas arritjes së njohjes nga Serbia,përndryshe, le të thotë kush, çfarë të dojë, Kosova nuk ka asnjë obligim ndaj serbëve as Serbisë” vlerësoi Qarri.   

Ndër të tjera, analisti erdhi me një propozim, duke kërkuar nga Kosova që ta kontaktojë direkt Presidentin Biden në lidhje me dialogun dhe Asociacion dhe të mos pranojë kërkesën e Escobar.   

“Kosova duhet ta kushtëzoj çfarëdo projekti për pakicën serbe, me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, njohjen e Kosovës si shtet të tyre dhe mospërzierjen e Serbisë në zgjedhje dhe asnjë çështje të brendshme të vendit tonë, në të kundërtën duhet të kërkojë kontakt të drejtpërdrejtë me presidentin Biden, e në qoftëse edhe ai, mbështet njëanshmërinë e hapur, pro serbe, të ambasadorit Hill dhe emisarit Escobar, t`ua bëjë me dije se Qeveria Kurti do të ofrojë dorëheqje dhe qoj vendin në zgjedhje të lira të parakohshme, për ta kundërshtuar bosnjëzimin e Kosovës edhe me protesta e demonstrata në rrugë, përderisa SHBA, ta zëvendësoj emisarin Escobar, të ndalohen ndërhyrjet e Serbisë fashiste në Kosovë, të rikthehet në marrëveshjen më të re, njohja e Kosovës nga Serbisa dhe të drejtat e shqiptarëve nën Serbi, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të pakicës së llastuar serbe në Kosovë, përndryshe me hapsirën e pakufishme që po i jepet Serbisë, deri në takimin e 2 majit ne Bruksel, jo që nuk mund të ketë përafrim qendrimesh, por do të dalin në pah kundërshtimet më të mëdha”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”. 

Zogaj: Escobar i është përkushtuar seriozisht ndërmjetësimit në bisedimet Kosovë - Serbi 

Image
Skënder Zogaj

Kurse, në lidhje, me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli edhe opinionisti Skënder Zogaj.  

Së pari, ai tha se Kosova duhet t’i marr seriozisht kërkesat e palës amerikane, në këtë rast të emisarit Escobar, pasi këto rrjedhin nga marrëveshja e arritur në Ohër. 

“I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, iu ka përkushtu seriozisht ndërmjetësimit në bisedimet Kosovë Serbi, dhe kjo prezencë nuk guxon të mos e ketë konsideratën e plotë të palës kosovate, e cila duhet të jetë e vetëdijshme se, faktori amerikan është kyç dhe vendimtar për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së shtetësisë së Kosovës. Siç dihet Marrëveshja e Ohrit ka përcaktuar detyrat konkrete që janë pranuar nga Vuçiqi e Kurti, prandaj, jam i bindur se pala që përpiqet të mos i realizojë, e ka keq, madje shumë keq, sepse, refuzimi ka pasoja të rënda”, deklaroi opinionisti. 

Sipas Zogajt, Asocaicioni duhet të pranohet dhe Kosova të tregohet serioze, ndonëse është një kompromis i dhimbshëm,  

“Manovrimet politike që po ndodhin janë "fatkeqësi" koha nuk pret, janë 24 vjet të mbetjes peng të Kosovës, ndërsa Serbisë i konvenon sepse, e ka "qelepir" çkado që i del e ka fitore! Prandaj, Qeveria e Kosovës propozimin për Asociacionin e Komunave me Shumucë Serbe duhet ta realizojë menjëherë, pa asnjë hamendje në mënyrë që më 2 maj në Bruksel, Kosova të tregojë seriozitetin e duhur, ani pse, është fakt se ky është kompromis i dhimbshëm për Kosovën”, theksoi ai. 

Më tej, opinionisti këtë marrëveshje e cilësoi si të kryer, derisa përmendi mundësinë e eskalimit të zhvillimeve. 

“Mirëpo, eskalimi i zhvillimeve e ka sjellur situatën para aktit të kryer: Asociacioni është punë e kryer, veç vonim e jo shpëtim, dhe vonesën e paguan Kosova. Escobar e ka theksuar datën 2 maj dhe unë mendoj se është paralajmërim ineresant, që mbetet të shihet se si do ta konsiderojnë Vuçiq e Kurti”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat