Lista Serbe në prezantimin ushtarak të Serbisë/ Serbia po imiton lëvizjet e Rusisë - Dërguan dy mesazhe

Politika

Lista Serbe në prezantimin ushtarak të Serbisë/ Serbia po imiton lëvizjet e Rusisë - Dërguan dy mesazhe

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 prill 2023 Në ora: 08:04
Lista Serbe në prezantimin ushtarak të Serbisë

Të shtunën Lista Serbe ishte prezente në prezantimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Serbisë me emrin “Granit 2023”.

Përveç presidentit serb, në vendngjarje prezent ishte edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Për këtë ka pasur reagime nga Presidenca e Kosovës e po ashtu edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Nga Presidenca kanë thënë se “Lista Srpska nuk do të jetë kurrë një përfaqësues autentik i serbëve të Kosovës, por më tepër një mjet në shërbim të regjimit të Serbisë”.

“Në vend që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit dhe të punojnë për mirëqenien e serbëve të Kosovës, ata vendosin të bëjnë një ekskursion dhe të pozojnë si kloun para disa armëve. Patetike!”

Kurse, kryeministri Kurti, ka thënë se në vend se në Batajnicë të ngrihet një memorial për viktimat e luftës, Serbia zhvillon stërvitje ushtarake.

“Në një varrezë masive në Batajnicë, u fshehën trupat e 744 shqiptarëve të Kosovës, përfshirë këtu 46 anëtarë të familjes Berisha. Në vend të një memoriali për viktimat e luftës, Serbia po zhvillon atje stërvitje ushtarake për ‘Ditën e Forcave të Armatosura’”.

Halimi: Lista Serbe dorë e zgjatur e Serbisë

Armend Halimi, nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, ka thënë se Serbia po ndjek lëvizjet e Rusisë, para pushtimit të Ukrainës.

Image
Armend Halimi, nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS

Por, që Halimi thotë se në rastin tonë është ndryshe dhe këto mbesin vetëm kërcënime, duke shtuar se gjasat për sulm real janë minimale duke e ditur se NATO, ka ngrit kapacitetet dhe nivelet e gatishmërisë.

“Lëvizja e forcave ushtarake brenda vendit si kërcënim ndaj një vendi tjetër konsiderohet në kuadër të diplomacisë imponuese, nëpërmes së cilës synohet imponimi për pranim të kërkesave, dhe nëse ato nuk realizohen kalon nga një kërcënim në sulm. Serbia me këto lëvizje po imiton lëvizjet e Rusisë para pushtimit mbi Ukrainën. Por në rastin tonë, këto pra mbesin vetëm si kërcënim në suaza të diplomacisë imponuese, ndërsa për sulm real gjasat janë minimale për arsye edhe të rrjedhës së luftës në vetë Ukrainë, pra, sfidës para së cilës gjendet aleat dhe mbështetësi kryesor i Serbisë, Rusia, ngase aleanca më e madhe ushtarake në botë siç është NATO, ka ngrit kapacitetet dhe nivelet e gatishmërisë ndaj çfarëdo kërcënimi rus mbi Evropën”, ka thënë ai.

Kurse, sa i përket Listës Serbe ai thotë, se i është ngushtuar fushëveprimi andaj po kthehet nën pushtetin e Vuçiqit.

“Andaj, Serbia para këtij realiteti nuk mund të mbështet në suportin rus, e aq më pak të niset vetëm mbi forcat vetanake, të cilat ja sfidon veç Ushtria e Kosovës, mos të flasim edhe për KFOR-in. Pra, krejt në fund, Serbia me këto veprime është duke përkeqësuar imazhin e saj, njëherit duke u rikthyer si ajo e viteve të 90-ta në rrafsh diplomatik, kurse Lista Serbe si dorë e zgjatur e saj duke qenë se i është ngushtuar fushë veprimi, sigurisht që edhe pritet të kthehet siç po ndodh nën folenë e saj, pra nën pushtetin e Vuçiqit”, përfundon Halimi për “Bota sot”.

Tahiraj: Lista Serbe, mision ka destabilizimin e Kosovës

Analisti Saim Tahiraj në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka thënë se Lista Serbe e ka pasur dhe e ka të qartë misionin e saj, vetëm destabilizimin e Kosovës me veprimet e veta kriminale.

Image
Analisti Saim Tahiraj

Ai shton, se më e keqja e kësaj është se veprimtaria e tyre kriminale gjoja në të drejta të serbëve iu ‘shit’ edhe Bashkësisë Ndërkombëtare, duke gjetur mbështetjen e tyre, e duke u barazuar xhelati me viktimën.

“Historiku i veprimtarisë së Listës Serbe, që nga themelimi i saj e gjerë më sot, ka treguar qartë dhe sheshazi se është instrument në duart e Vuçiqit dhe vuçiqave tjerë. Misioni kryesor i saj ka qenë dhe mbetet destabilizimi i Kosovës me veprimet e veta kriminale kundër policisë së Kosovës, barrikadimin e dhe bllokimin e rrugëve, kërcënime, shantazhe, djegie të pasurisë private, plagosje dhe vrasje, bojkotimin e institucioneve të Kosovës dhe veprimeve tjera shkatërruese. E gjithë kjo veprimtari kriminale bëhet në emër të kërkesave gjoja për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës. Fatkeqësisht kjo veprimtari kriminale në emër të drejtave serbe, gjëja të munguar, ju shit mirë një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Në vazhdimësi gjetën mbështetjen e tyre, deri në atë shkallë sa që u barazua xhelati serb me viktimën shqiptare”, shprehet ai.

Duke folur mbi veprimet e Listës Serbe, Tahiraj thotë se pjesëmarrja e saj në prezantimin e forcës së Serbisë, nga atje ajo i dërgon dy mesazhe: Ta mbrojnë atë pjesë të veriut dhe mos t’i njohin institucionet e Kosovës.

Nganjëherë me veprimet e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare u krijua përshtypja se shqiptarët janë agresori që bëri gjenocid mbi serbët e jo siç ishte realiteti i kundërt, që xhelati Millisheviq me tërë aparatin shtetërorë bëri gjenocid mbi shqiptarët. Ky prezantim i forcave të armatosura të Serbisë në Batajnicë e ka simbolikën e vetë sepse pikërisht nga aty dyshohet se janë zhdukur shumë shqiptarë që edhe sot konsiderohen si të pagjetur. Pjesëmarrja e Listës Serbe në këtë prezantim të forcës ushtarake serbe e ka mesazhin e qartë se ne edhe me forcën ushtarake do e mbrojmë atë pjesë të veriut të Kosovës të cilët e konsiderojnë si pjesë të Serbisë. Gjithashtu dërgohet mesazhi i dytë në prag të zgjedhjeve në komunat veriore se ne nuk njohim institucionet e Kosovës dhe nuk pranojmë vendimet e tyre, por institucionet tona që marrim dhe zbatojmë vendimet e tyre janë ato të Serbisë. Nuk e di se edhe çka duhet të bëjnë këto banda kriminale të rreshtuara në Listën Serbe dhe të dirigjuara nga krye banditi Vuçiç, që Bashkësia Ndërkombëtare ta kuptojë realitetin dhe t’i thotë njëherë e përgjithmonë STOP. Ka ardhur fundi kur këtyre bandave dhe kryebanditit Vuçiç t’i ndalojnë përfundimisht veprimin dhe dirigjimin e tyre”, deklaron ai.

Në fund, ai ka një thirrje për qeverinë, për të cilën thotë se duhet të ndërrojë strategjinë dhe të veprohet seriozisht dhe me vendosmëri.

“Një pjesë të fajit dhe përgjegjësisë e kanë edhe institucionet tona në vazhdimësi, në të gjitha pushtetet e të gjitha partive politike që nuk reaguan në momente kur duhej vepruar seriozisht dhe jo në aventura siç vepruan. E njëjta gjë po ndodhë edhe me këtë qeveri si ato paraprake. Duhet ndërruar strategjia e veprimit nga institucionet e Kosovës dhe të veprohet seriozisht dhe me vendosmëri, mjaft u përkëdhelën dhe u mbrojtën bandat kriminale të Listës Serbe! Kthjellu Bashkësi Ndërkombëtare nuk zgjidhet problemi i veriut me banda dhe krye banditin Vuçiç që vet i krijoj dhe vazhdon t’i komandoj ato”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat