Zhvillime të papritura nga Haga/ Kelmendi flet rreth frikës së prokurorëve, kjo është kërkesa e tij

Politika

Zhvillime të papritura nga Haga/ Kelmendi flet rreth frikës së prokurorëve, kjo është kërkesa e tij

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 prill 2023 Në ora: 15:07
Hage (Foto ilustrim)

Gjykimi në Hagë është duke vazhduar ndaj ish- pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot një zhvillim i ri dhe i papritur është bërë publik nga Dhomat e Specializuara të Hagës. Atje, Gjykata Speciale nëpërmjet një vendimi ka kërkuar nga gjykatat në Kosovë transferimin e një lënde për një të akuzuar për krime lufte.

Deri më tash, nuk ka pasur as edhe një informacion se Specialja po e heton ndonjë rast tjetër përveç të akuzuarve që janë aktualisht në Hagë.

Nuk dihet as kush është i akuzuari, e as për çfarë rasti bëhet fjalë. Të gjitha dokumentet janë të redaktuara, dhe si rezultat publiku nuk ka informacione për to.

Ajo që dihet është se vendimi kërkon nga gjykatat në Kosovë që dosja e një të akuzuari për krime lufte, të transferohet në Gjykatën Speciale të Hagës. Ngjashëm sikur në disa raste, lëndët transferohen nga një gjykatë apo prokurori në tjetrën në Kosovë.

Në anën tjetër, analistët politikë kërkojnë që të ngriten aktakuza të reja, gjersa shtojnë se mos profesionalizimi i prokurorëve ka ndikuar që shteti serb të merr forcë.

Analisti politik, Muhamet Kelmendi, thotë se në Kosovë kanë munguar organet dhe qasja ndaj çështjes së madhe, pra ndaj luftës që është bërë në Kosovë.

“Krimi dhe gjenocidi serbo madh në Kosovë, kërkohet të dënohet me formimin e Gjykatës Speciale nga UE. Përgjegjësia penale e dhunueseve dhe të kriminelëve serbë të luftës, nuk është realizuar dhe është larg dhënies së përgjegjësisë. Në krye të shtetit serb gjinden kriminelët e luftës. Si Vuçiq, ashtu edhe Daçiq, Vulin etj., ishin në krye të gjenocidit serbomadh në Kosovë. Ishin urdhërues dhe moderator e mbrojtës të dhunës. Në anën tjetër, Republika e Kosovës, doli nga lufta e shkatërruar dhe e dëmtuar. Mungonin organet dhe qasja ndaj kësaj çështje të madhe. Nuk kishte kuadro dhe as mekanizma profesionalë të organizuar për t’u marrë me dhunën dhe me krimet e gjenocidin serbomadh në Kosovë organet e UNMIK-të dhe të EULEX -të nuk kishin vullnet për t' u marrë me lëndët e tilla, me gjenocidin e shtetit serb. Së këndejmi, nuk u kualifikua dhuna ndaj shqiptarëve në gjenocid. U dhanë qëndrime për krime të luftës, por ato organe nuk kapen organizatorët, planifikuesit dhe ekzekutorët e gjenocidit në Kosovë. Faktet flasin se UE dhe të tjerët u " kënaqën" me kapjen e kryekriminelit gjenocidial, Sllobodan Milloshevicit. Madje as ky gjykim nuk përfundoi. Shkaku i vdekjes!!?? Organet e UNIMIK-të në Kosovë dhe EULEX i kapën shqiptarët. Tamam sikurse të kishin bërë gjenocid nga shqiptarët”, pohon Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë ishin frikacak dhe të dëgjueshëm ndaj atyre që kanë ardhur në Kosovë.

“Kriminelët serbë mbeten të lirë dhe u graduan në Serbi nëpër postet e ndryshme të shtetit. Organet e Kosovës ishin në amulli. Gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë ishin frikacak dhe të dëgjueshëm të të ardhurve në Kosovë. Ata e bënë atë çka u thanë të ardhurit. Kjo gjendje e përcjelli Kosovën në vazhdimësi. Kurrë këto organe nuk u liruan nga frika dhe nga dëgjueshmëria e nënshtrimit. Edhe tash kur ekziston Prokuroria Speciale e Kosovës për krime të luftës kemi heshtje. Shumë pak ose fare kemi aktakuza ndaj kriminelëve serbë dhe të tjerëve”, thekson ai.

Kelmendi tregon fakte e dëshmi për luftën në Kosovë.

Sipas tij, prokurorët kanë frikë që të ngrisin aktakuza.

“Në Kosovë janë mbi 70 masakra të bëra ndaj popullsisë civile. Në çdo masakër ka nga 30 të vrarë, e të masakruar, të djegur dhe, deri në 500 veta në Mehe të Gjakovës. Kemi mbi 1300 fëmijë të masakruar. Në mes të tyre edhe bebe nën moshën 1 vjeçare. Mbi 13 mijë civilë të vrarë. Rreth 20 mijë gra, vajza dhe burra të përdhunuar dhe rreth 150 mijë objekte, si shtëpi, çerdhe, shkolla, dyqane, ambollanta, xhami etj. të shkatërruara. Këto janë faktet. Dëshmitë ekzistojnë. Fakte ka. Ende kemi dëshmitarë të gjallë. Pse po vonohen me aktakuza? Këtu nuk ka asnjë arsyetim. Kushtet duket se qeveria ua ka plotësuar mjaft mirë.. Prokurorë mjete dhe financa ka Prokuroria Speciale. Natyrisht jo të bollshme, por për gjendjen ekonomike të Kosovës të mjaftueshme. Këtu kemi një përgjigje: Prokurorët kanë frike të ngërsin aktakuza. Nuk dua të them se janë vegla të ndokujt? Kjo me siguri se jo! Mirëpo të frikësuar nga politika, nga faktorët relevantë të jashtëm, sidomos nga UE-a, me siguri këtej kemi ngecje të punës dhe pak aktakuza”, vlerëson Kelmendi.

Ai thotë se mos profesionalizim i prokurorëve ka ndikuar që të mos ketë aktakuza, gjersa shton se mos veprimi i luftës dhe gjenocidit ndaj Serbisë i dha forcë shtetit serb për të vazhduar politikën neofashiste ndaj shqiptarëve.

“Këtu ka ndihmuar shumë edhe mos profesionalizmi i prokurorëve. Dobësitë e tyre në nxerrjen e provave dhe dembelia e madhe në punë. Kemi po ashtu edhe faktin e mos vlerësimit adekuat të provave nëpër proceset gjyqësore nga gjykatat e vendit. Rastet e vrasjeve dhe djegieve të dhjetëra vetave të shqiptarëve dënohen me 10 a 15 vjet burg. Ky është kulmi i poshtërsisë së gjyqtarëve. Asgjë nuk e arsyeton atë veprim të gjykatave. Të gjitha këto janë fakte që kanë ndikuar që shumë pak të kemi raste të krimit të luftës dhe të gjenocidit të ndriçuara nga organet e drejtësisë në Kosovë. Ndërsa, faktori vendas, ndërkombëtar, si UE , SHBA-të, Anglia etj., nuk krijuan Gjykatë të Veçantë a Speciale kundër shtetit serb për krimet e bëra në Kosovë. Ky mosveprim kundër krimit të luftës dhe gjenocidit ndaj Serbisë i dha forcë shtetit serb për të vazhduar politikën neofashiste ndaj shqiptarëve. Ndërsa, i frikësoi organet e Kosovës të merren me këto vepra të rënda penale. Kështu mbeti deri më tash krimi serbomadh dhe gjenocidi pa përgjegjësi”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat