Dyshimet për legjitimitetin e zgjedhjeve në veri/ Flasin juristët, tregojnë nëse mund të ketë zgjedhje të reja!

Politika

Dyshimet për legjitimitetin e zgjedhjeve në veri/ Flasin juristët, tregojnë nëse mund të ketë zgjedhje të reja!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 prill 2023 Në ora: 20:12
Foto ilustrim

Zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës u bojkotuan masivisht nga serbët.

Me një pjesëmarrje shumë të ulët dhe bojkotim nga ana e partive politike serbe u zhvilluan zgjedhjet për kryetar të komunave në katër komuna të veriu të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm 1 mijë e 567 qytetarë, apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar e hodhën votën e tyre.

Me gjithë këtë pjesëmarrje kaq të ulët, procesi i zgjedhjeve cilësohet legjitim.

Mirëpo, reagimet ndërkombëtare pas zgjedhjeve pa incidente ishin pozitive.

Nga rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ fituan dy parti shqiptare: Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas këtyre rezultateve kandidatja e vetme nga komuniteti serb fitoi vetëm 5 vota.

Por, ajo se çfarë u vazhdua të diskutohet është legjitimi i këtyre zgjedhjeve.

Për legjitimimin e tyre për “Bota sot”, kanë folur juristët, të cilët shprehen që të njëjtat janë legjitime dhe nuk ka arsye për mos zbatimin e tyre.

Kelmendi: Lista serbe dhe bandat serbo-ruse, pritet që do të veprojnë

Në lidhje me këtë temë, juristi Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, tha që me shumë sukses janë kryer zgjedhjet në veri mirëpo që gjasat të ketë akte terroriste nga Lista Serbe, vazhdon të jetë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në kuadër të qëndrimeve të shprehura nga UE dhe nga SHBA-të nuk pati incidente apo ndonjë veprim tjetër antiligjor. Në veri të Kosovës nuk u shkaktuan konflikte të terroristëve. Megjithatë, duke u mbështetur në ideologjinë nacional-ultrashoveniste serbe, akte terroriste do të bëhen nga Lista serbe dhe nga grupet kriminale serbe e të Vagner-it në veri, që janë të armatosura, sidomos tash pas zgjedhjeve. Sa do të jenë këto intensive, priten të shihen”, u shpreh ai.

Juristi më tej flet për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve, duke theksuar që problem do të ketë kryesisht tek vendosja e pushtetit mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve, si dhe të vet pushtetit, gjithashtu edhe në komuna mund të ketë konflikte.

“Megjithatë, zgjedhjet u mbajtën dhe nga ato pritet të dal pushteti lokal. Sa është ligjor? Duket se pjesëmarrja ishte e ultë. Megjithatë, doli një pushtet. Atë duhet respektuar. Natyrisht se problem do të ketë kryesisht tek vendosja e pushtetit mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve, si dhe të vet pushteti. Nëpër komuna atëherë priten të ketë edhe konflikte. Më 2 maj do të ketë takim tjetër Kurti - Vuçiq. Temat janë nga plani amerikano e franko-gjerman. Këtu është edhe asociacioni si çështje që paraqitet. Pritet të dalin parimet e asociacionit mbi të cilat do të nxirret statuti. Përkundër gjithë kësaj, Lista serbe dhe bandat serbo-ruse, pritet që do të veprojnë. Mundet të vijë edhe deri të veprimet terroriste”, shpjegoi Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Zgjedhjet në veri janë ligjërisht valide

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi tjetër Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që këto zgjedhje janë valide.

Ligjërisht janë valide, dhe prodhojnë rezultat të ligjshëm, po nuk kanë efekt qeverisës demokratik”, tha juristi.

Ai shton që pa zbatim të vullnetit demokratik nuk është e mjaftueshme vetëm validiteti ligjor.

Mungesa zbatimit të politikave në komunë do të jetë sfidë, pa sfiduese është zbatimi i vullnetit demokratik. Pra pa zbatim të vullnetit demokratik, nuk është e mjaftueshme vetëm validiteti ligjor, nuk ka demokraci funksionale”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat