A po përgatit Serbia skenarë të rinj për destabilizimin e veriut të Kosovës, pas zgjedhjeve të rregullta të 23 prillit?

Politika

A po përgatit Serbia skenarë të rinj për destabilizimin e veriut të Kosovës, pas zgjedhjeve të rregullta të 23 prillit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 prill 2023 Në ora: 17:54
Pjesëtarë të KFOR-it në Mitrovicën e Veriut ditën kur u mbajtën zgjedhjet për kryetar të komunës, më 23 prill.

Zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës janë mbajtur të dielën, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e ulët.

Sipas KQZ-së, prej gjithsej 45.095 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut, vetëm 3,47 për qind e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit.

Të dhënat e KQZ-së tregojnë se në Mitrovicën e Veriut votuan gjithsej 837 qytetarë apo 4,62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, në Leposaviq votuan 141 votues apo 1,06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5,78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2,92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Serbia dhe Lista serbe bënin thirrje vazhdimisht që qytetarët t’i bojkotojnë zgjedhjet, ndërsa që ka pasur bojkot dhe dalje të ulët të qytetarëve ka pranuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Fajin për këtë bojkot ai e ka lënë te “fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri.”

“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen. Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, pret që zgjedhjet në katër komunat veriore të anulohen.

“Unë mendoj se institucionet në Prishtinë dhe bashkësia ndërkombëtare së shpejti do të duhet ta pranojnë realitetin dhe se këtu do të duhet të organizohen zgjedhje në të cilat njerëzit do të votojnë”, ka thënë Jablanoviç për Deutsche Ëelle.

Juristët thonë se rezultatet duhet pranohen, gjersa shtojnë se nga ato zgjedhje ka dal pushteti lokal.

Burjani: Nuk do të ketë anulim

Image
Blerim Burjani

Juristi politik, Blerim Burjani, thotë se nuk do të ketë anulim të zgjedhjeve.

Sipas tij, rezultati është kushtetues dhe ligjor.

“Duhet të pranohen zgjedhjet, rezultati zgjedhor është legal, dhe është kushtetues dhe ligjor, i mbështetur në parime demokratike. Pra, nuk do të ketë anulim, bashkësia ndërkombëtare është deklaruar tash çfarë pikëpamje do të ketë OSBE /ODIR, Këshilli i Evropës, duhet të presim edhe raportet e organizatave ndërkombëtare”, deklaron Burjani.

Pas rezultatit të zgjedhjeve në veri kanë reaguar edhe nga BE.

Stano: Vota në veri nuk ofron zgjidhje politike afatgjata për komunat përkatëse

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, ka thënë se zgjedhjet në Veriun e Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për komunat përkatëse.

Ai ka shtuar se kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është urgjente.

”Vota në veri nuk ofron zgjidhje politike afatgjata për komunat përkatëse. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione dhe themelimi i Asociacionit/Bashkësisë janë urgjente sikurse është dialogu serioz ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri”, ka shkruar Stano në Tëitter.

Mulliqi: Platformat e vjetra politike të kohës së Millosheviqit, që po zbatohen edhe nga Vuqiqi, nuk do të lejohen

Image
Skënder Mulliqi

Ndërsa, analisti Skënder Mulliqi, thotë se zgjedhjet duhet të pranohen përkundër daljes së ulët së votuesve.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare kësaj radhe u tregua më e matur.

“Mjaftë gjatë u shtye mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat më në veri pas daljes së serbëve nga institucionet e Kosovës. U shtynë këto zgjedhje për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të shoqëruara me incidente të ndryshme, të sponzorizuara nga Beogradi zyrtar, Grupi kriminal rus Ëagner, shërbimet sekrete dhe nga Lista Serbe. Kjo e fundit shumë gjatë u tolerua në obstrukcionet e saja karshi institucioneve të Kosovës, ku janë edhe pjesë e saj. Pas thirrjes së vazhdueshme për bojkot të këtyre zgjedhjeve të cilat ishin relativisht të qeta, ishte dashur që kjo listë të përjashtohet nga jeta politike dhe institucionale e Kosovës. Po dihet së ku ishte dhe ku është qëllimi i thirrjes për bojkot të zgjedhjeve. Asociacioni është synim i politikave serbe në përgjithësi. Tjetër. Kjo listë njëjtë si Vuçiqi po e kërcënojnë veriun e vendit me luftë. U panë të rreshtuar në krahë të ushtrisë serbe. Edhe pse dalja ishte e vogël ku fituan kandidatët e partive politike shqiptare, besoj dhe ishte dashur që zgjedhjet të pranohen, edhe pse kryetari i Partisë Serbe të Kosovës, Aleksadër Jabllanoviqi së bashku më Vuqiqin dhe Listën Serbe po i kontestojnë ato. Kësaj radhe bashkësia ndërkombëtare u tregua më e matur, duke i konsideruar më të drejtë zgjedhjet si legjitime, për faktin se jemi shtet sovran dhe i pavarur”, thotë Mulliqi.

Sipas Mulliqit, Serbia dhe ata serbë që ndikohen nga politikat ditore të Vuçiqit duhet të kuptojnë dhe të pranojnë Kosovën si shtet të tyre, sepse është në interes të tyre.

“Unë, mendoj se forcave shoviniste serbe u është dhënë një grusht i fortë më mbajtjen e zgjedhjeve. U dëgjuan po ashtu zëra nga organet kompetente evropiane (BE) së këto zgjedhje duhet të jenë afat shkurtra si mundësi për kthimin e serbëve në institucione. Por, megjithatë ishte diçka e mirë kësaj radhe që nuk u pranua logjika serbomadhe në Kosovë. Sipas deklarimeve të deritashme të disa zyrtarëve të lartë të BE-së, do të pranohen rezultatet e këtij procesi zgjedhor. Besoj se nuk do të vjen në shprehje thirrja e Jabllanoviqit për mos njohje të rezultateve. Prandaj, nuk ka asnjë arsye që mos të pranohen këto rezultate të zgjedhjeve që ishin demokratike dhe ligjore. Serbia dhe ata serbë që po ndikohen nga politikat ditore të Vuqiqit, duhet të kuptojnë dhe të pranojnë Kosovën si shtet të tyre, se edhe është në interesin e tyre. Jabllanoviqi është ai që para do kohe kishte fyer rënd gratë shqiptare, dhe nuk bëhet tjetër.

Faktori ndërkombëtar ishte dashur që mos të lejojë Vuçiqin dhe Listën Serbe të provojnë zgjedhje të reja paralele, si justifikim se të parat ishin gjoja jo legjitime për shumicën e serbëve. A po ka mundësi që të tentohet që të bëhen skenarë të reja për destabilizim, se gjoja këto zgjedhje me struktura të reja, nuk duhet të lejohen të funksionojnë. Platformat e vjetra politike të kohës së Millosheviqit, që po zbatohen edhe nga Vuqiqi, nuk do të lejohen. Edhe diçka kur jemi këtu. Të gjithë tashmë e dinë së qëllimi i Serbisë dhe Vuqiqit së bashku më Putinin është ndarja e Kosovës përmes “Zajednicës” famoze. Më së shumti nga ky kënd edhe duhet shikuar bojkotimin e zgjedhjeve nga partitë dhe Lista Serbe”, shton Mulliqi.

Rezultatet

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna.

VV-ja do të udhëheqë në Mitrovicën e Veriut me kandidatin e saj, Erden Atiq, i cili fitoi 519 vota apo 66,5 për qind të votave, ndërsa pas tij janë renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi, që mori 186 vota apo 23,8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 75 vota apo 9,6 për qind.

Edhe në Leposaviq, kandidati i VV-së për kryetar, Lulzim Hetemi mori 100 vota apo 73,5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind.

Sipas rezultatit të KQZ-së, PDK-ja do të udhëheqë në Zubin-Potok, ngase kandidati i saj, Izmir Zeqiri, fitoi ngushtë ndaj kandidatit të VV-së, Flatron Hasani. Zeqiri mori 196 vota apo 52,1 për qind, kurse Hasani pati 180 vota apo 47,9 për qind.

Po ashtu, PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Komunën e Zveçananit ku Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind të votave, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind. Sllagjana Pantoviq, serbja e vetme që garoi në këto zgjedhje, mori gjithsej pesë vota apo 2,6 për qind.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, nuk aplikoi për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit për herë të parë që nga formimi i partisë më 2013, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat