Kosova në rrugë të mbarë drejt integrimeve/ Kalimi i fazës për në KiE i dha goditje të rëndë Serbisë

Politika

Kosova në rrugë të mbarë drejt integrimeve/ Kalimi i fazës për në KiE i dha goditje të rëndë Serbisë

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 26 prill 2023 Në ora: 19:01
Logoja e Këshillit të Evropës. Fotografi nga arkivi.

Të hënën Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

Nga ana tjetër ministrja e Punëve të Jashtme Doniak Gërvalla ka thënë se ky vendim përbën një hap historik.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook.

Këtë lajm e mirëpritën edhe presindetja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Sot në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova brenda më pak se një jave e ka konfirmuar rrugën e saj evropiane.

Ai, në mbledhjen e sotme të qeverisë, e ka përmendur liberalizimin e vizave dhe pranimin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Edhe këtë javë çdo qytetar i Kosovës është ndjerë më evropian dhe më afër Evropës, liberalizimi i vizave kishte ngecur për katër vjet. Me shumë punë dhe angazhim veçanërisht në raport me vendet hezituese, arritëm të zhbllokojmë këtë proces. Kosovarët do të mund të udhëtojnë edhe në 32 vende të tjera, përfshirë edhe Bullgarinë e Qipron edhe pse nuk janë pjesë e zonës shengen”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se Kosova do t’i përmbush të gjitha kriteret që nevojiten për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kosova e mori pranimin për aplikim me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Në këtë arritje të madhe kanë ndikuar edhe tri vlerat fondamentale të KiE-së që i kemi përmbushur. E konfirmojmë se jemi në rrugën e duhur se Kosova i përket unionit të Evropës”, ka thënë Kurti.

Kelmendi: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës e kanë ndërlidhur shtetet Evropiane me realizimin e planit franko-gjerman

Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se ky është një vendim i rëndësishëm për procedurën e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Image
Muhamet Kelmendi

“Komiteti Ministror i KE me vendimin e marrë të hënën vetëm e ka përcjellë kërkesën e Kosovës në Ansamblenë Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ky është një vendim i rëndësishëm në procedurën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Natyrisht se ka mbetur çështja në Anssamblenë Parlamentare për t'u votuar. Është e domososhme të përmendim këtu shtetet që votuan kundër të hënën në Komiterin Ministror të Këshillit të Evropës. Pesëshja evropiane ( shih: Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron) votuan kundër. Serbia ishte kundër. Kësaj vote iu shtua vota e Hungarisë që e ka njohur shtetin e Kosovës dhe votoi kundër”, thotë ai.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës medohet se është i ndërlidhur me raportet me shtetin serb.

“Mendohet se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i ndërlidhur ngushtë me raportet me shtetin serb. Me kohën e aplikimit të planit franko-gjerman dhe të aneksit është ndërlidhur edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Përkunder kësaj, një votë e tillë në Komitetin Ministror të Këshillit të Evropës është shumë pozitive dhe ndikon dukshëm në përmirësimin e pozitës së Republikës së Kosovës në Evropë”, deklaron ai.

Më tej, Kelmendi potencon se kjo çështje nuk e hap rrugën dhe ka pak ndikim në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, e as shtetet që nuk e kanë njohur Kosovësn, nuk do ta njohin me këtë.

“Mirëpo, kjo nuk e hap rrugën dhe shumë pak ndikon në anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, në Interpol dhe në zhvillimin pozitiv të Kosovës në kuadër të UE-së. Njohja e shtetit të Kosovës nga shtetet e UE-së që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës nuk realizohet me këtë.

Poashtu kjo nuk ndikon as në pranimin e Kosovës në OKB. Megjithatë, kjo është gjë shumë pozitive dhe ndikon shumë në imazh dhe në pozitën e Kosovës në Evropë dhe në botë”, përfundon profesori.

Mulliqi: Kosova ka shënuar progres

Analisti Skënder Mulliqi, shprehet se pas liberlaizimit të vizave ky është një lajm historik për Kosovën.

Image
Skender Mulliqi

"Pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, Këshilli i Evropës e pezulloi këtë shtet për të vazhduar të jetë anëtare e saj. Këtë mundësi të vendit vakant është duke e shfrytëzuar Kosova për t’u bërë pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të BE-së. Pas lajmit për liberalizimin e vizave, Kosovës i erdhi një tjetër lajm i mirë që është vendim historik, siç ishte përkrahja nga shumica e shteteve që shënojë etapën e parë të procesit për anëtarësim të Kosovës në KiE. Në njoftim të Këshillit thuhet se vendimi i 24 marsit është bazuar në marrëveshjen e Brukselit dhe në marrëveshjen e Ohrit. Nga vendet e BE-së nuk votojë Hungaria e Viktor Orbanit, e cila po vazhdon me politikat e saj pro ruse dhe proserbe. Ishin edhe disa shtete të cilat votuan kundër anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, dhe disa të tjera abstenuan për të mos i numëruar se cilat ishin ato”, thotë ai.

Sipas tij, tash fati i Kosovës është në duar të Asamblesë së Përgjithshme, megjithëse ai kritikon qeveritë e kalaura që thotë se nuk kanë punuar sa duhet andaj kemi mbetur të izoluar në diplomaci.

“Fati i Kosovës tash është në duart e Asamblesë së Përgjithshme, e cila cakton kushtet përmes të cilave shtetet mund të anëtarësohen në Këshillin e Evropës, nëpërmjet të drejtës së vetos. Këshilli i Evropës është organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinent, e themeluar në vitin 1949, me seli në Strasburg të Francës. Ajo përfshin 46 shtete anëtare, 27 prej të cilave janë pjesë e Bashkimit Evropian. Këshilli i Evropës avokon për lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e tubimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Kosova me liberalizim të vizave dhe me këtë avancim për inkuadrim në Këshilllin e Evropës, ka bërë hapa konkret për në BE. Këto hapa na kishin munguar deri më sot nga ish pushtetet e korruptuara që i kishim. Nuk kishim politika parimore avancuese në planin e jashtëm dhe kjo ishte me ndonjë arsye pse ngecëm të inkudrohemi në shumë organizma relevant të Evropës.

u përmbushëm kushtet e parashtruara nga Kosova, dhe nuk kishim as diplomaci dhe diplomatë të karrierës. Mbetem për shumë kohë të izoluar nga bota demokratike, mbetëm pa njohje të reja, madje na ndodhën edhe çnjohje me lobimin e Serbisë, edhe pse ajo ishte zotuar më marrëveshjet e firmosura që mos të lobon kundër Kosovës. Edhe tash Vuqiq nuk po i zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe të atë të Ohrit”, deklaron Mulliqi.

Në fund, ai thekson se Kosova ka shënuar progres dhe proceset janë kthyer në anën e saj.

Mulliqi flet edhe për takimin e 2 majit, për të cilin thotë se Asociacioni nuk duhet të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë.

"Tash kemi hy në një fazë të re, ku punët po shkojnë më mirë më klasën e re politike në pushtet. Proceset kanë filluar për së mbari si në planin e brenshëm zhvillimor po ashtu edhe në politikat e jashtme. Edhe kur bëhet fjalë për bisedimet e zorshme më Serbinë, nga defanziva politike, Kosova ka shënuar progres duke i kthyer proceset në anën e Kosovës. Axhendat e bisedimeve nuk po na i cakton Serbia e Vuqiqit. Ish pushtetarët na lanë si barrë të rëndë edhe Asociacionin të cilin e nënshkruan në Bruksel, Thaçi dhe Mustafa në vitet 2013 dhe 2015.

Asociacioni me kompetenca ekzekutive, të cilin po e kërkon Serbia e Vuçiqit nuk duhet të lejohet në takimin e radhës më 2 maj që do ta kenë Kurti dhe Vuçiqi në Bruksel. Me liberalizimin e vizave dhe më hapin konkret që është bërë për inkuadrim në Këshillin e Evropës, Kosova, do të jetë afër që të inkuadrohet edhe në strukturat të tjera të BE-së. Unë një hap konkret dhe shumë pozitiv të Kosovës e konsiderojë mbajten e zgjedhjve lokale në katër komunat me shumicë serbe.

Ky hap i ka treguar edhe njëherë tjetër Serbisë dhe Rusisë, se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Me aspiratat e Republikës së Kosovës drejt strukturave evropiane, pranimi në Këshillin e Evropës është një hap domethënës drejte anëtarësimit në Bashkim Evropian, kur dihet se asnjë shtet nuk mund të pranohet në BE, pa u pranuar në KiE”, përmbyll Mulliqi për “Bota sot” .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat