Analiza e zgjedhjeve në veri/ Ja kush e fitoi sfidën, ky ishte mesazhi i Perëndimit për Serbinë

Politika

Analiza e zgjedhjeve në veri/ Ja kush e fitoi sfidën, ky ishte mesazhi i Perëndimit për Serbinë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 26 prill 2023 Në ora: 20:56
Albin Kurti

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, pas zgjedhjeve të zhvilluara në katër komunat në veri të Kosovës, tashmë është krijuar një panoramë e re politike në vend.

“Tashmë kaloi atmosfera e frikshme e zhvillimit të zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Është shpallur rezultati i zgjedhjeve dhe Bashkimi Evropian i konsideroi ato si zgjedhje ligjore, por edhe si zgjidhje e përkohshme e krizës politike të bojkotit të strukturave politike të serbëve të Kosovës. U zgjodhën katër kryetarë të rinj të komunave, ndër ta një boshnjak dhe tre shqiptarë. Ose dy përfaqësues të partisë në pushtet, Vetëvendosjes së zotit Kurti dhe dy kryetarë të tjerë të kandiduar nga Partia Demokratike e Memli Krasniqit. Natyrisht që është krijuar një panoramë e re politike. Është një ngjarje që dëshmoi gjithashtu jo vetëm për krijimin e kësaj panorama, por edhe faktin se Kosova ka sovranitet në veri të vendit”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë ai, me zgjedhjet e zhvilluara, Kosova e mbrojti sovranitetin territorial të saj.

Image
Enver Bytyçi

“Sfidën nuk e fitoi edhe kësaj radhe qeveria e Kosovës, qëndrimet e së cilës duhen vlerësuar pozitivisht e ndoshta shumë pozitivisht. Sfidën për territorin e fitoi sërishmi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse ato për herë të parë u pozicionuan në krah të së drejtës së Kosovës dhe institucioneve të saj për sovranitet në veri. Pra përkrahën përpjekjet për të zhvilluar zgjedhje pa Listën Srpska, përkrahën edhe idenë që qeveria Kurti ta mbrojë sovranitetin e integritetin territorial në këtë pjesë të vendit”, deklaron Bytyçi.

Bytyçi thotë se në këto qëndrime të faktorit ndërkombëtar perëndimor ndihmoi nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit më 18 mars 2023.

“Kjo marrëveshje e pranuar nga Serbia dhe e certifikuar nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjithashtu e mbështetur edhe nga Uashingtoni, e shkruan të zezën të bardhë. Kosova është e pavarur, unike, territor dhe kufijtë e të cilës janë të paprekshëm. Pra njeh klauzolat e kushtetutës së Kosovës për pavarësinë, shtetin, shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial dhe kufijtë. Bazuar në këtë marrëveshje Brukseli dhe Uashingtoni e patën më të lehtë të ishin legalë dhe fer në mbështetje të zgjedhjeve edhe në kushtet e bojkotit të shumicës serbe”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.

Por a janë zgjidhje këto zgjedhje?

“Jo! Janë mjet për të kapërcyer një ngërç në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Ndërkohë qëndrimi i Perëndimit ndaj këtyre zgjedhje kishte dhe ka edhe një mesazh: Të krijojë besimin te autoritetet e Kosovës se asociacioni do të ketë mbështetje të sinqertë nga ana e tyre dhe se nuk do të lejohet që asociacioni të përdoret si kalë Troje për të cenuar integritetin territorial të Kosovës. Por kjo nuk do të thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëhen tashmë të shkujdesur dhe të mos vrasin mendjen edhe për pasojat negative të krijimit të asociacionit”.

“Nëse nuk do të kishte një përkrahje të tillë ndërkombëtare, duhet ditur se gjatë ditëve të votimit dhe pas saj në Veri të Kosovës do të kishte trazira, më të ashpra e më të egra sesa në rastet e mëparshme. Kjo na çon në mendimin se të gjitha aksionet destructive të Aleksandër Vuçiq në Kosovë kishin një lloj mbështetje të heshtur të aktorëve perëndimorë, me qëllim që ta detyronin kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës të pranonte zgjidhje të konfliktit në tavolinë. Për t’u thënë se “Ju të vetëm nuk mund të bëni zgjidhje paqësore”! Ndërkohë që konflikti është i dëmshëm për të gjitha palët”, shton profesor Bytyçi.

Ai thotë se Kosova duhet të bëjë kujdes vetëm për asociacionin, me qëllim që të mos preket funksionaliteti i shtetit.

“Fakti që presidenti serb dhe pala e Beogradit u mbajtën nën kontroll në këtë rast nga ana e Bashkësisë Perëndimore dëshmon se tashmë nuk ka rrugë tjetër, përveç zgjidhjeve përmes Marrëveshjes së Ohrit. Kosova duhet të bëjë kujdes vetëm për asociacionin, me qëllim që të mos preket funksionaliteti i shtetit. Të tjerat, edhe nëse pranohen, riparohen rrugës. Por a do të vazhdojë për një periudhë të gjatë kjo statuskuo që krijuan zgjedhjet e së dielës së kaluar? Absolutisht jo! Nuk mundet që për një periudhë të gjatë të mbahet ekuilibri dhe harmonia midis komuniteteve nën drejtimin e kryetarëve të komunave të pakicës. Nuk ndodh kjo sidomos kur kemi parasysh qëndrimin dhe agresivitetin e Beogradit dhe disa serbëve vendor”, shprehet Bytyçi.

Por a janë një sukses i qeverisë Kurti zgjedhjet e zhvilluara në veri të Kosovës, pa pjesëmarrjen e Listës Serbe?

“Nëse jetëgjatësia e këtyre kryetarëve të komunave të zgjedhur të dielën e shkuar do të jetë deri në zgjedhjet e radhës të komunave në Kosovë, unë këtë do ta quaja një sukses të jashtëzakonshëm. Por do të ketë problem. Me ligj, edhe kryetarët serbë të komunave serbe do të duhej të vendosin aty flamurin e shtetit të Kosovës. Kryetarët e rinj do të jenë të detyruar ta bëjnë këtë. Por në këtë rast a do të ketë konflikt?! Duhet menduar mirë dhe duhet maturi e mençuri në çdo hap që hidhet. Këto çështje duhen zgjidhur në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Është më mirë kështu, sepse nuk implikohen në konflikt kryetarët e rinj të zgjedhur”, nënvizon Bytyçi.

“Qytetarët duan shërbime. Por a do të jenë të aftë kryetarët e komunave të zgjedhur t’i zgjidhin këto problem? Duhet parë. Nëse problemet nuk zgjidhen për shkak të mungesës së financimeve, qeveria e Kosovës duhet ta zgjidhë thesin e parave dhe të akordojë fonde të posaçme për këto komuna. Si për investime në infrastrukturë, ashtu edhe për hapjen e vendeve të punës dhe kontrollin e territorit. Do ketë ndoshta probleme me funksionimin e policisë komunale. Si do të zgjidhet kjo çështje? Për gjithçka duhet një plan, duhen alternative, dihen ide dhe projekte të posaçme. Serbët duhet të kuptojnë e të mësojnë se shteti i Kosovës është aty për ta me gjithçka”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat