Pas bojkotit të zgjedhjeve, eksperti i sigurisë nxjerr në pah veprimet e ardhshme të Listës serbe - ja çka paralajmëron

Politika

Pas bojkotit të zgjedhjeve, eksperti i sigurisë nxjerr në pah veprimet e ardhshme të Listës serbe - ja çka paralajmëron

Nga: A.Zh Më: 26 prill 2023 Në ora: 21:56
Pamje nga veriu i Kosovës, 23 prill 2023

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, ka thënë se me zgjedhjet lokale të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, ndodhi ajo që pritej.

Sipas ekspertit, të dielën nuk pati incidente në Kosovë, pasi Lista serbe, me strukturat e shërbimit sekret serb nuk patën arsye për të eskaluar situatën në veri të vendit

“Në veriun e Kosovës u organizuan zgjedhjet lokale për jashtëzakonshme, për shkak se kishin dhënë dorëheqje kryetarët e këtyre katër komunave. Ndodhi ajo që edhe pritej. Kemi parë që Lista serbe, e cila udhëheq me serbët lokalë në veriun e Mitrovicës, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe gjithashtu nuk pati incidente, për shkak që ky subjekt politik apo strukturat e regjimit sekret serb e mbajtën situatën nën kontroll dhe nuk kishin një arsye për të eskaluar situatën”, ka thënë Elezi për “Panoramën”, përcjell Bota sot.

Megjithatë, ai nuk përjashton mundësinë për veprime të dhunshme nga Lista serbe në të ardhmen.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm se mospjesëmarrja e serbëve do të konsiderohej më shumë një justifikim për aktivitete të dhunshme në të ardhmen, kur institucionet e Republikës së Kosovës do të tentojnë që të funksionalizojnë përfundimin e këtyre zgjedhjeve, duke dërguar zyrtarët/kryetarët e komunave në zyret e tyre dhe duke tentuar që këta kryetarë të ushtrojnë të drejtën, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”, ka theksuar më tej eksperti i sigurisë.

Ai ka rikujtuar se përkundër pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në këto zgjedhje, ato do të njihen nga SHBA dhe se të njëjtat janë organizuar në mënyrë dekomratike.

“Fatkeqësisht në zgjedhje pati një pjesëmarrje shumë të ulët, me çka nënkupton se kemi pasur reagimin e atyre të cilët, siç thashë, po planifikojnë një situatë të rëndë pas këtyre zgjedhjeve, të cilët thanë se nuk do të mund të udhëheqen këto komuna me 1 apo 2 për qind të pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Siç e ka thënë edhe përfaqësuesi i SHBA-së para zgjedhjeve, se do të njihen këto zgjedhje, ashtu edhe deklaroi sepse në fund të fundit, në aspektin e demokracisë, zgjedhjet janë organizuar në mënyrë demokratike, nuk janë shënuar incidente, kanë pasur të drejtë vote të gjithë qytetarët në këto komuna, por që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë”.

Ai ka parashikuar edhe veprimet e ardhshme të Listës serbe, duke paralajmëruar protesta dhe barrikada të reja në veri.

“Vet presidenti serb, dy ditë para zgjedhjeve deklaroi se Kurti po “pushton katër komunat me shumicë serbe”. Ky mandat është i shkurt dhe Lista serbe ishte e interesuar që të pengojë procesin e dialogut me arsyen e udhëheqjes së re komunale shqiptare në këtë zonë dhe do të thirren në atë se “ne kemi 98% serbë dhe vetëm 2% shqiptarë”. Do të kemi tentim që përmes protestave apo edhe barrikadave të mos lejohet që të instalohen kryetarët e komunave dhe deputetët e zgjedhur në komuna”, është shprehur Elezi, përcjell Bota sot.

Ai ka treguar edhe arysen se pse zgjedhjet u organizuan në rrugë magjistrale, larg vendbanimeve të serbëve në veri.

“Në fakt, është gjithmonë një mundësi që situata në këto komuna të mbahet e tensionuar dhe ashtu do të ndodhë, ju e keni parë që zgjedhjet janë organizuar në rrugë magjistrale, larg vendbanimeve dhe jo në qendra votimi. Me siguri kjo u bë për arsye operative dhe sigurie, sepse nëse do të kishte pjesëtarë të Policisë së Kosovës në qendrat e votimit me pjesëtarë serbë, padyshim se mund të kishte incidente”, ka pohuar eksperti.

Ndër tjerash, Elezi ka theksuar se zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës ishin më të shtrenjtat në botë. Sipas tij, një votë e një qytetari ka kushtuar më shumë se 3 mijë euro./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat