“Deputetët e papërgjegjshëm”/ Kërkohet shpërbërja e Kuvendit

Politika

“Deputetët e papërgjegjshëm”/ Kërkohet shpërbërja e Kuvendit

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 27 prill 2023 Në ora: 07:53
Kuvendi i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ditë më parë është shprehur se legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e meriton të vazhdojë, për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve.

“Qysh po e shoh këtë sjellje të papërgjegjshme të disa deputetëve, nuk po mendoj se kjo legjislaturë e meriton me vazhdua…emrat ata që nuk kanë ardhur”, u shpreh Konjufca.

E kritika të ashpra ndaj kësaj legjislature të Kuvendit po shprehen edhe analistët politikë, sipas të cilëve, kjo është përbërja më e dobët e Kuvendit që nga themelimi i këtij institucioni.

Thirrja e drejtë e Glauk Konjufcës

Image
Analisti Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se deklarata e Konjufecës është një thirrje e drejtë për zgjedhje të reja.

“Padyshim se kjo është legjislatura më e dobët e Kuvendit të Kosovës që nga përbërja e parë organit më të lartë legjislativ të vendit, pra që nga ajo e viti 2001 e deri më tani, dhe thirrja e kryekuvendarit Konjufca që kjo legjislaturë nuk duhet të vazhdoj, është një thirrje normale për së cilin drejtues që do të ishte në krye të kësaj legjislature pasi shihet çdo ditë e më shumë se nuk është produktive për vendin”, shprehet Haziri.

Sipas Hazirit, shumica e deputetëve të kësaj legjislature janë të pa përgatitur profesionalisht.

“Kjo përbërje, nuk shquhet vetëm më mungesa të mëdha të deputetëve në seancat e Kuvendit, por shquhet edhe për një numër jo të vogël të deputetëve të cilët janë të papërgatitur profesionalisht dhe politikisht për të qenë përfaqësues të qytetarëve dhe interesave të tyre. Shihet se këtyre deputetëve iu mungon aftësia për artikulim të një mendimi, janë të pa ide, diskutimet e tyre më shumë iu përngjajnë tyxharëve në panagjurishta, se sa përfaqësueseve të qytetarëve, diskutimet e tyre janë pa sens dhe pa nivel, dhe thjeshtë aty janë për ta bërë zhurmaxhiun dhe rroli i vetëm i tyre është si makineri votuese”, deklaron Haziri.

“Andaj do të ishte mirë që sa më parë të bie perdja e këtij teatri tragjiko-komik, dhe t'i kthehet dinjiteti këtij institucioni përfaqësues të interesit qytetar, dhe do të isha shumë i lumtur nëse kjo legjislaturë së paku ka shërbyer që qytetarët të vetëdisohen se kë po e votojnë dhe kë po e dërgojnë si përfaqësues të tyre në institucionit më të lart ligjvënës siç është Kuvendi i Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

Mungesë respekti

Image
Analisti Faton Mehmeti

Kurse, analisti Faton Mehmeti thekson se mungon respekti për Kuvendin nga ana e deputetëve.

“Është për tu vlerësuar autokritika e Konjufcës për kuvendin, duke theksuar këtu mungesën e respektit ndaj institucionit nga ana e vet deputetëve. Kështu që është i dënueshëm mungesa e deputetëve në seanca të kuvendit. Vlerësoj lartë angazhimin e Konjufcës për të tërheq vëmendjen deputetëve për të qenë më të përgjegjshëm”, thekson Mehmeti.

“Nuk besoj se z.Konjufca bën thirrje për të rrëzuar këtë legjislaturë, i bie sikur të kërkojë vetëvrasje politike, Kështu po përdor gjuhë të ashpër për të ndërgjegjësuar deputetët dembelë”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat