Shpresë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve – Qeveria Kurti ndërmerr një hap të madh për këtë çështje

Politika

Shpresë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve – Qeveria Kurti ndërmerr një hap të madh për këtë çështje

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 prill 2023 Në ora: 12:06
Albin Kurti dhe Glauk Konjufca

Çështja e personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha, ku edhe pas 24 vitesh të përfundimit të luftës, ende nuk janë zbardhur këto raste.

Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të Kosovës, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë më 1998/99.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës e ka bërë një hap të madh sa i përket kësaj çështjeje, ku vetëm ditë më parë miratoi një projektligj që mundëson nisjen e procedurave për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me seli në Hagë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 26 prill tha se aderimi në këtë komision do të rrisë mundësitë e bashkëpunimit rajonal për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ICMP-ja ka qenë e angazhuar në Kosovë që nga vitet e para të pasluftës.

“Kosova, me aderimin në këtë komision, zgjeron rrjetin e organizatave ndërkombëtare në të cilat është anëtare dhe konsolidon subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar, vepron në bazë të konkluzave të aprovuara në samitin e Londrës më 2018 për Ballkanin Perëndimor, ku është përkrahur prioritizimi i çështjes së personave të zhdukur”, tha ai.

"Prandaj, aderimi i Kosovës në këtë organizatë do t’i jepte shtysë zbardhjes së fatit të personave të zhdukur", shtoi Bislimi.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndërkombëtare, por nuk është pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara.

Mandati i këtij komisioni është që të ofrojë bashkëpunimin e qeverive dhe autoriteteve të tjera me synim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur – kryesisht shqiptarë.

Bejta: Problemi i të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është dashur me qenë një prej temave më me prioritet për secilën Qeveri

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti i Kuvendit nga Lista Guxo, Nasuf Bejta.

Image
Nasuf Bejta

Fillimisht, tha ai, çështja e personave të zhdukur është dashur të zgjidhej kohë më parë, nga qeveritë e kaluara.

Sipas tij, kjo do duhej të ishte një nga prioritetet kryesore për secilin qeveri.

“Personalisht mendoj se problemi i të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është dashur me qenë një prej temave më me prioritet për secilën Qeveri. Prapë po theksoj mendimin tim personal se në lidhje me këtë problem kemi gabuar që në start sepse Qeveritë tona është dashur me ngulm të kërkojnë nga faktori ndërkombëtar që të zbardhet fati i të pagjeturve, duke ushtruar trysni Serbisë meqë ajo me orkestrim të programuar e ka bërë këtë krim ( gjenocid)”, deklaroi ai.

Deputeti nga Lista Guxo, kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për tolerimet që ia kanë bërë ndër vite shtetit serb.

“Mendoj se faktori ndërkombëtar, duke e njohur politikën e kahershme serbe e anashkaloj pak këtë problem (nga inferioriteti ynë, Serbia u ledhatua si në të gjitha etapat e historisë).Besoj thellë, se sikur Qeveritë e mëparshme të kërkonin më heret këtë që po e bënë Qeveria Kurti rreth të të pagjeturve, fati i tyre do të zbardhej më herët”, theksoi Bejta.

Ndër të tjera, kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur e vlerësoi si përpjekje të mirë për zbardhjen e të pagjeturve.

“Besoj dhe shpresoj se kryeministri Kurti, në këtë drejtim po mundohet të bëjë më të mirën e mundur, prandaj edhe procedurën për anëtarësimin e Kosovës në këtë Komision Ndërkombëtar e shoh si një mundësi më shumë në përpjekjen tonë për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Populli thotë “më mirë vonë se sa hiq”. Duhet të punojmë të gjithë në këtë drejtim, e kemi obligim. Të shpresojmë edhe pse Serbia gjatë gjithë historisë e ka hedhur gurin e ka ditë ta fshehi dorën në sytë e krejt botës”, përfundoi deputeti Nasuf Bejta për “Bota sot”.

Zogaj: Aderimi në këtë Komision ka rëndësi shumë të madhe për shpejtimin e procesit dhe përmbylljes së çështjes së të zhdukurve

Kurse, opinionisti Skënder Zogaj tha se anëtarësimi i Kosovës në ICMP është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën.

Image
Skënder Zogaj

“Integrimi Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare është kushti esencial i funksionalitetit të shtetësisë së Kosovës, prandaj, nisja për anëtarësim në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) me seli në Hagë, do të jetë shumë i rëndësishëm, kur dihet se, po afrohet një çerek shekulli dhe fati i mbi 1600 personavr të zhdukur gjatë luftës në Kosovë ende nuk dihet, për më tepër, është vështirë të zbardhet, sepse, Serbia do ta mbajë gjendjen të kushtëzuar për përfitime të reja ndaj Kosovës”, theksoi ai për “Bota sot”.

Krahas kësaj, opinionisti potencoi: “Së këndejmi, aderimi në këtë Komision ka rëndësi shumë të madhe për shpejtimin e procesit dhe përmbylljes së çështjes së të zhdukurve. Qeveria Kurti mendoj unë, duhet të angazhohet në të gjitha fushëveprimtaritë për ndërlidhje sa më të forta e të ngushta të bashkëpunimit me subjektet ndërkombëtare, sepse kështu shpejtohen proceset integruese dhe efektet e integrimit. Kosova e ka të sprovuar sa shumë i ka penguar dhe kushtuar mosnjohja e pavarësisë nga 5 vendet d BE-së!?! Është koha që, të punohet më shumë dhe jo vetë të miratohen projektligje për nisjen e procedurave por të krijohen ekipe njerëzish që lobojnë nëpër vendet e ndryshme të botës”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Kujtojmë se dje në Kosovë u shënua Dita Kombëtare e të Zhdukurve nga lufta e fundit 1998/99.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë.

Krerët shtetërorë dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës bënë homazhe para pllakës përkujtimore për të zhdukurit, që gjendet afër Kuvendit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se zhdukja me dhunë e mijëra qytetarëve të Kosovës, përfshirë fëmijë, “ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli”.

“Kjo është një ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të [ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviqit. Në ditët si kjo duhet ta kuptojmë jo vetëm se sa e rëndësishme është që të kërkohet kthimi i të gjithë të zhdukurve me dhunë, por mbi të gjitha se sa e rëndësishme është që ta vëmë në vend drejtësinë për ta”, tha Osmani përmes një deklarate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat