“Merre ose lëre”, çfarë pritet të ndodhë në takimin Kurti-Vuçiq më 2 maj?

Politika

“Merre ose lëre”, çfarë pritet të ndodhë në takimin Kurti-Vuçiq më 2 maj?

Nga: P.R. Më: 28 prill 2023 Në ora: 17:00
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq më 2 maj në Bruksel, takim ky nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë.

E sot, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka konfirmuar se në takimin e 2 majit, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, tha Stano.

Se në këtë takim do të flitet për Asociacionin, e thotë edhe analisti politik, Nexhat Haziri.

“Do të jetë një takim ku do të bisedohet konkretisht mbi AKS-në apo tani siç po quhet "vet-menagjimi" , e qe nuk pres qe do te ketë ndonjë rezultat për shkak se procesi i hartimit të draft-statutit po bëhet nga një ekip i përbërë vetëm nga serbët që po tenton t’i shmangë institucionet e Kosovës”, shprehet Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai thotë se garantues të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Nuk besoj se do të dështoj marrëveshja e Ohrit, pasi ajo është garantuar nga SHBA dhe BE, por ajo që pres është faktori ndërkombëtar do t'i imponoj marrëveshjet dhe do t'iu ofroj palëve versionet merre ose lere. Kjo do të jetë edhe sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi palët nuk do të gjejnë ndonjë marrëveshje në mes tyre sidomos rreth kompetencave”, deklaron Haziri për “Bota sot”.

Por a mund të jetë Asociacioni një kurth për Kosovën nga Serbia?

“Tani ne flasim për asociacionin si një nga detyrimet qe dalin me marrëveshjen e Ohrit, pra themelimi i tij në afatin e paraparë, dhe natyrisht që Serbia nëse nuk i përmbushë ambiciet e veta edhe mund të tërhiqet, duke deklaruar se AKS-ja nuk është në përputhje me interesat e saja, sepse në diskursin e Beogradit nuk është çështje kryesore të drejtat e serbëve kosovar, por autonomia territoriale dhe në këtë aspekt ajo mund të bëjë obstruksione, por mendoj se as Washingtoni dhe as Brukseli nuk do të lejojnë dështimin e marrëveshjes së Ohrit, pasi është në pyetje edhe kredibiliteti i tyre”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat