“Tërmeti politik”/ Vota pro e Malit të Zi për Kosovën - ja çfarë po tenton të bëjë Serbia!

Politika

“Tërmeti politik”/ Vota pro e Malit të Zi për Kosovën - ja çfarë po tenton të bëjë Serbia!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 prill 2023 Në ora: 18:58
Këshilli i Evropës.

Partive pro serbe në Mal të Zi nuk iu ka pëlqyer vota e Malit të Zi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. 

Për shkak të kësaj vote këto parti e kanë ftuar kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dirtan Abazovq, të jep sqarime në Komisionin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Parlamentit të Malit të Zi. 

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës e mbështeti dërgimin e kërkesës për votim tek Asambleja e saj Parlamentare më 24 prill, për të cilën votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për. 

Seanca dëgjimore e Abazoviqit u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik pro-rus (DF), ata të Partisë Popullore Socialiste pro-serbe (SNP) dhe Demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiq. 

“Të na shpjegojë metodën, me të cilën është vendosur që të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë tepër lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Lekiq në takimin e Komisionit. 

A flet kjo për ndikimin e konsiderueshem të Serbisë në Malin e Zi? 

Qarri: Seanca e 3 majit nuk do të ndryshoj asgjë 

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri. 

Ai u shpreh se kryeministri Abazoviq gjatë vizitës në Kosovë është shprehur që do ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se marrëdhëniet mes dy shteteve nuk duhet të prishen. 

Vet fakti se kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Driton Abazi (abazoviq), gjatë vizitës treditore që i bëri vendit tonë, premtoi publikisht se shteti të cilin ai drejton, do të votoj "Për" anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deshën apo jo, partitë pro-ruse dhe ato pro-serbe në këtë vend, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përveçse se të votohej edhe nga Mali i Zi, ashtu siç u premtua nga kryeministri, pro-anëtarësimit të Republikës së Kosovës në KE. 

Kryeministri i një vendi, përderisa ushtron këtë post të lartë shtetëror, ai nuk mund të veprojë më si anëtar as kryetar partie, por ka marrë përsipër një pozitë dhe përgjegjësi shumë më të madhe, i cili obligohet që ti kryej detyrimet dhe mbajë premtimet e dhëna dhe nuk mund të sillet e manipulojë si një anëtar apo edhe kryetar partie, përderisa nuk zbret në pozicione partiake ku lejohen edhe veprime kalkuluese.

 Për aq më tepër Kosova dhe Mali i Zi, pa marrë parasysh problemet e brendshme ndërpartiake, “luftërat” e minoriteteve dhe grupeve ekstremiste të partive, në pozitë e opozitë, për dominim, nuk mund të prishin marrëdhëniet e mira ndërshtetërore dhe ndryshojnë, apo edhe acarojnë raportet ndër-fqinjësorë, siç bëjnë thirrje segmentet politike pro-serbe, për interesa çasti, në qasjet e partive konkurrente, të cilat luftojnë me çdo mjet për të ardhur në pushtet”, u shpreh ai. 

Më tej, analisti thekson që seanca e 3 majit nuk do të ndryshojë asgjë në lidhje me këtë çështje. 

Kështu që, megjithëse Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi, ka caktuar për datën 3 maj seancën dëgjimore të kryeministrit në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, lidhur me mbështetjen që përfaqësuesi i Malit të Zi i dha Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës,kjo nuk do të ndryshojë asgjë, ngase votimet në Këshillin e Evropës nuk mund të tërhiqen dhe përsëriten, sa herë që partitë ekstremiste të një vendi minor e me popullsi pak më tepër se gjysmë-milionëshe, reagojnë negativisht, kur dihet mirë, se vendimet shtetërore nuk mund të diktohen as dirigjohen nga minoritetet qoftë ai edhe serb e pro-rus. 

Në anën tjetër, as që habit një reagim i tillë, kur shihet se seanca dëgjimore e Abazoviqit u mbështet, pikërisht nga deputetët e partisë pro-ruse, si "Fronti Demokratik" (DF) dhe ata të Partisë Popullore Socialiste pro-serbe (SNP) me sugjerimin e vet kryetarit serb, të Komisionit, Miodrag Lekiq, i cili megjithëse është vetëm kryetar parlamenti, pretendon sikur të ishte mbret i Malit të Zi, që atij ti shpjegohet votimi dhe ti kërkohet leje për çdo gjë”, shpjegon Qarri. 

Ndërsa, iniciativën për këtë senacë analisti e komenton duke thënë që se jo vetëm Miodrag Lekiq por edhe udhëheqja pro-serbe e Malit të Zi,është e ndikuar fort nga Serbia. 

Prandaj arsyetimi i kësaj zhurme të kotë, se vendimi pro Kosovës, qenka marrë shumë lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, flet hapur se jo vetëm Miodrag Lekiq por edhe udhëheqja pro-serbe e Malit të Zi,është e ndikuar fort nga Serbia, ku së fundi, edhe për president të këtij vendi, u votua një serb. 

Kurse e ashtuquajtura seancë dëgjimore, përveçse nuk mund të ndryshojë asgjë dhe nuk mund të detyrojë as tërheqjen e votës, vet tendenca do të konsiderohej akt tërësisht jo serioz, i një shteti mish-mash, për shkak të luftërave për dominim, të kombësisë serbe ndaj popullit autokton malazez dhe kombësive tjera përbërëse të këtij vendi”, foli Qarri për “Bota sot”. 

Haziri: Vota nga Mali i Zi pro antarësimit të Kosovës në KiE, është meritë e Abazoviq 

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti tjetër politik Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që vota pro e Abazoviqit ka shkaktuar një “tërmet” në  skenën politike dhe kjo natyrisht që Milatoviq do të mundohet të ndryshojë. 

Vota nga Mali i Zi pro antarësimit të Kosovës në KiE, është meritë e kryeministrit aktual të Malit të Zi, zotit Dritan Abazoviq, dhe natyrisht kjo votë ka shkaktuar një tërmet politik në skenën politike malazez, sidomos në qëverinë e kryesuar nga z. Abazoviq . Kjo vije përshkak se tani në Malin e Zi kemi një konfigurim të skenës politike pas zgjedhjeve presidenciale atje, ku një kandidat që mbështet nga forcat politike serbe pro ruse, Jakov Milatoviq fitoi, dhe natyrisht këto forca politike pro ruse do të mundohen ta ndrrojnë kursin politik të shtetit malazez në raport me Kosovën”, theksoi ai. 

Në fund, Haziri shton që nuk pres që pas kësaj seance dëgjimore në të cilën është thirrë kryeministri Abazoviq, të prodhoj një vendim për tërheqje të njohjes së Kosovës nga ana e Malit të Zi. 

Politikë kjo që do të dizjanohet në Moskë dhe Beograd. Por nuk pres që pas kësaj seance dëgjimore në të cilën është thirrë kryeministri Abazoviq, të prodhoj një vendim për tërheqje të njohjes së Kosovës nga ana e Malit të Zi, por do të mund ti sherbej vet kryeministrit Abazoviq për pozicionin e tij politik dhe aleancat për zgjedhjet e qershorit. Nuk mendoj se Abazoviq do të mund ta vazhdoj apo ta ndjek orientimin pro perëndimor dhe pro stabilitetit në rajon duke qenë në çfarëdo koalicioni me partitë serbe si FD, SNP, dhe partive të tjera, objektivi i të cilave është Mali i Zi si një shtet satelit i Serbisë që duhet të jenë nën orbitën ruse”, përfundoi Haziri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat