Neglizhenca e Ekipit Menaxhues për Asociacionin “shenjë e keqe”, vjen thirrja për Kurtin para 2 majit

Politika

Neglizhenca e Ekipit Menaxhues për Asociacionin “shenjë e keqe”, vjen thirrja për Kurtin para 2 majit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 prill 2023 Në ora: 07:59
Albin Kurti

Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë takim, Ekipi Menaxhues do të prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit.

Anëtarët e Ekipit Menaxhues, sipas kryeministrit Kurti, nuk janë të njohur për publikun, ashtu siç nuk dihet as përmbajtja e statutit që ata kanë hartuar.

Përveç që nuk njihet përbërja e tërë e ekipit, ata nuk i janë përgjigjur ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, i cili i ka ftuar në takim.

Gjersa, Ekipi Menaxhues e ka për detyrë t’i përgjigjet kësaj ministrie, analistët thonë se përpjekja neglizhuese e këtij Ekipi është shenjë e keqe, gjersa shtojnë se kryeministri duhet të gjejë bashkëpunëtorë që do të angazhohen në marrjen e përgjegjësive për hartimin e statutit.

Zogaj: Duhet të përkrahet kryeministri Kurti

Analisti politik, Skënder Zogaj, fajëson edhe opozitën për çështjen e asociacionit, kjo pasi sipas tij, ata sillen armiqësisht ndaj interesave të vendit dhe të popullit.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, kryeministri duhet t’ia vë pikën këtij problem siç e sheh dhe e vlerëson ai.

“Çështja e asociacionit po problematizohet me dhe pa arsye, dhe çuditërisht, të gjitha subjektet politike e kanë humbur busollën e po sillen tmerrësisht armiqësisht ndaj interesit të vendit dhe popullit, të përhumbur nga interesat meskine partiake dhe rrugaçërore, sepse, çështjet madhore nuk guxojnë të politizohen! Albin Kurti e ka fituar besimin e plotë me mbi 51 për qind dhe, nuk duhet penguar, por duhet të përkrahet ashtu siç e koncepton ai dhe qeveria e tij çështjen e Asociacionit! Pra Albini duhet t'ia vë pikën këtij problemi siç e sheh dhe e vlerëson se është më së miri, në mënyrë që kjo humnerë e madhe politike dhe diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të gjej zgjidhjen e mundshme, që nuk do të thotë se është ajo plotësisht e dëshiruara për Kosovën, por as krejtësisht e dëmshme për Kosovën”, deklaron Zogaj.

Ekipi Menaxhues duhet të përbëhet nga përfaqësues të katër komunave në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Ministri Elbert Krasniqi tha se vetëm dy anëtarë të Ekipit Menaxhues, janë të njëjtë nga përbërja fillestare: Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

“Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijella Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues”, tha Krasniqi.

Danijella Vujiçiq është deputete e Kuvendit të Serbisë nga radhët e Partisë Progresive Serbe në pushtet. Ajo vjen nga Mitrovica e Veriut, një prej katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Në anën tjetër, drejtuesi i lartë i PDK-së, Betim Gjoshi, të premten ka kërkuar nga kryeministri Kurti të tregojë se më 2 maj kush po ia shkruan “Zajednicën”.

“Me 2 Maj, Albin Kurti po e jetëson Zajednicën! Kryeministër, dil dhe trego për 2 Majin edhe se kush po ta shkruan Zajednicën”, ka shkruar Gjoshi.

Sipas Zogajt, opozita nuk është aspak konstruktive, ndërsa në anën tjetër përpjekja neglizhuese e ekipit menaxhues për draft- statutin e Asociacionit është shenjë e keqe.

Sipas tij, do të ishte mirë që të kërkohet ndihma e miqve ndërkombëtar.

“Opozita nuk është aspak konstruktive dhe, kjo nuk i falet, sepse, ndikimi i saj psikologjik është i madh e me pasoja, sepse hutia tashmë ka filluar të ndihet edhe tek elita shtetërore, duke prekur edhe individë të rëndësishëm partiakë të VV-së. Përpjekja neglizhuese e ekipit menaxhues për draft-staturin e Asociacionit është shenjë e keqe! Kryeministri tash duhet të mbledh ekspertët e pavarur, profesionistët dhe ata të mirren me draft-statutin! Nuk do të kishte qenë keq që të kërkohet edhe ndihma e miqve ndërkombëtar, që të bëhen pjesë e punës edhe ekspertë të jashtëm, sepse, vonesa e mëtutjeshme shkon në dëm të Kosovës, siç ka vajtur deri tash, sepse, krejt ndryshe do të kishte qenë sot realiteti i veriut të Kosovës sikur Asociacioni të ishte themeluar para 4 vitesh, para dy vitesh dhe krejt ndryshe sot, e edhe më ndryshe nesër! Dihet, tigri do të rritet!”, thotë Zogaj.

Duhanaj: Tani Serbia luan me kartën e mosdëgjueshmërisë qytetare

Image
Leon Duhanaj

Gjersa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 25 prill deklaroi se kishte shprehur gatishmërinë e tij që vetë të shkruante statutin për themelimin e Asociacionit, por nga BE-ja i ishte thënë se kjo është detyrë e Ekipit Menaxhues, analisti politik Leon Duhanaj, thotë se asociacioni është shfrytëzuar për interesat meskine politike.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka përgjegjësinë më të madhe për “Zajednicën”.

“Në slloganin jo "Zajednicës" Kosovës i janë bërë dëme të pariparueshme. Edhe pse që nga fillimi të gjithë akterët politik ishin të vetëdijshëm se duhej formuar një asociacion, për fat të keq, në mënyrën me të papërgjegjshme u shfrytëzua për interesa meskine politike e në dëm të interesit shtetëror e kombëtar. Posaçërisht partia Vetëvendosje e cila me këtë slogan erdhi në pushtet, ka përgjegjësinë me të madhe në ketë kontekst. Kjo parti, edhe pasi erdhi në pushtet, bëri krejt çfarë mundi për ta degraduar procesin integrues dhe të shtet ndërtimit. Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij, në vend që ta vazhdonin rrugën e dialogut në Bruksel, u bënë shkaktar i krizave të njëpasnjëshme nga të cilat si rezultat doli dezintegrimi total i serbeve”, shprehet Duhanaj.

Sipas tij, kryeministri Kurti duhet të gjejë bashkëpunëtorë që do të angazhohen në marrjen e përgjegjësive për hartimin e statutit.

“Si pasojë përpos apetiteve të Serbisë edhe iu përmirësua pozicioni negociues, përderisa Kosovës presioni për kompromise. Kryeministri Kurti u pajtua për një asociacion edhe me të paqartë se ç'ishte projektuar me parë, nga i cili serbet synojnë vertetë autonomi politike. Pra nën slloganin "jo zajednicës" Kurti dhe kasta e tij e rriten pazarin në Autonomi "vetëmenaxhim". Tani, patëm zgjedhje të organizuara, të cilat, jo vetëm që u bojkotuan nga serbët, por nuk u mobilizuan as vetë shqiptarët. A ishte kjo e qëllimshme nga Kurti, apo naivitet? Koha do ta tregojë. Tani Serbia luan me kartën e mosdëgjueshmërisë qytetare dhe Qeveria e Kosovës edhe po ta dëshironte nuk ka as kapacitet as mundësi, as kapacitet ta ndryshojë ketë realitet të hidhur. Kryeministri Kurti, duhet të gjejë bashkëpunëtorë të cilët do të angazhohen në marrjen e përgjegjësive për hartimin e statutit. Nëse ky grup nuk dëshiron ta bartë ketë përgjegjësi, duhet të zëvendësohet dhe të ecet përpara”, thekson Duhanaj.

Ekzistimi i Ekipit Menaxhues është paraparë në Marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Ky ekip ka për qëllim të hartojë statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat