Konflikt verbal e provokim nga Vuçiq dhe dy diplomatët, Bytyçi: Po përgatiten të fshehta surprizë për takimin me Kurtin

Politika

Konflikt verbal e provokim nga Vuçiq dhe dy diplomatët, Bytyçi: Po përgatiten të fshehta surprizë për takimin me Kurtin

Nga: A.Zh Më: 30 prill 2023 Në ora: 10:03
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Të martën e ardhshme, me datën 2 maj, do të takohen në Bruksel dy liderët në dialog, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duke komentuar retorikën e “forcuar” të Vuçiqit, para takimit me Kurtin, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka thënë se kërcënimet e tij po cenojnë edhe stabilitetin e rajonit.

Sipas tij, qëndrimet e Vuçiqit, janë të ngjashme me ato të kasapit të Ballkanit Slobodan Millosheviq.

Image
Enver Bytyçi

“Gjithmonë kur ka takime të tilla presidenti serb disa javë para tyre forcon retorikën! Shpall qëndrime radikale të ngjashme me ato të Milosheviqit! Kërcënon deri me akte që cënojnë stabilitetin në rajon! Dhe më pas, pak ditë para takimeve të tilla, shprehet me butësi, se “është për paqen”, se “nuk lufton dot me NATO-n ose se “Do t’i zbatojë të gjitha zotimet që ka marrë para Brukselit dhe Uashingtonit!””, është shprehur profesori.

Ai e ka quajtur “lojë mashtrimi” progamatizmit e Vuçiqit, për të cilin ka thënë se për interesa nacionaliste dhe të pushtetit të tij, ai lufton jo vetëm kundër Kosovës, por edhe ndaj Evropës dhe Amerikës.

“Eklektizmi dhe pragmatizmi i Vuçiqit është një lojë mashtrimi klasike në politikë. Nuk e di nëse e kanë kuptuar ose jo diplomatët perëndimorë këtë lojë dhe intrigë të presidentit të Serbisë. Por, te kryeministri i Kosovës nuk shprehet asnjë nuancë e tillë hipokrizie, presioni, pastaj lajkash dhe makiavelizmi, si te Vuçiqi. Mjafton kjo cilësi sjelljeje e presidentit të Serbisë që ne të kuptojmë se kemi përpara një person që për interesa nacionaliste e të pushtetit të tij zhvillon një luftë hibride jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër partnerëve euro-amerikanë”, ka thënë më tej Bytyçi.

Ai parashikon se të martën Kurti dhe Vuçiq nuk do t’ia zgjatin dorën njëri-tjetrin.

“Pas tri ditësh Vuçiq dhe Kurti do të jenë bashkë në Bruksel në prani të Borrell dhe Lajçak. Nuk pritet që t’i japin dorën njëri-tjetrit. Vuçiq e konsideron zotin Kurti “armik”, ndërkohë që ai vetë është armiku më i madh i shqiptarëve! Megjithatë kryeministri i Kosovës, përveç kundërshtive që ka ndaj projekteve serbe, nuk ka bërë akuza armiqësore ndaj Serbisë dhe presidentit të saj.

Megjithatë shpesh herë miqtë tanë në Bruksel dhe Uashington e fajësojnë zotin Kurti për qëndrimet destabilizuese që mban presidenti Vuçiq”, ka pohuar njohësi i çështjeve politike për “Bota sot”.

Enver Bytyçi nuk pret as dakordim mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas tij, projekti për Asociacionin që po përgatitet, do të jetë në favor të Serbisë.

“Me 2 maj në Bruksel nuk pres që të ketë një dakordim midis palëve për Asosacionin. Këtë e ka paralajmëruar edhe zoti Kurti, kur shprehu rezervat e tij që grupi negociator nuk ka pranuar të japë informacion për kryeministrin dhe për qeverinë. Kjo do të thotë se projekti i Asosacionit që po përgatitet ka të fshehta surprizë në favor të Serbisë. Sepse nacionalistët dhe kriminelët serbë si Radojeçiq i kanë përfaqësuesit e tyre në atë komision. Këtë e pohonte edhe politikania serbe, Rada Trajkoviq”.

Për shkak të provokimit të Beogradit dhe BE-së, Bytyçi parashikon se takimi Kurti-Vuçiq do të përfundojë me konflikt verbal dhe pa marrëveshje.

“Në këto kushte mendoj se kryeministri i Kosovës do të gjendet para ndonjë provokimi të bashkërenduar midis Beogradit dhe dy diplomatëve të Brukselit. Veprimi në sekt i këtij grupi, mungesa e transparencës edhe për kreun e ekzekutivit janë arsye të mjaftueshme që takimi të nis e të përfundojë me konflikte verbale dhe pa asnjë rezultat”, ka shtuar analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat