Vjen mesazhi i fortë për Kurtin: Skemë pro-Beogradit për Asociacionin, kjo do të jetë lufta e ashpër me 2 maj

Politika

Vjen mesazhi i fortë për Kurtin: Skemë pro-Beogradit për Asociacionin, kjo do të jetë lufta e ashpër me 2 maj

Nga: A.ZH. Më: 1 maj 2023 Në ora: 18:02
Kurti dhe Vuçiq me diplomatët evropianë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka thënë se tani beteja mes Kosovës dhe Serbisë, në negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, do të jetë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se lufta për Asociacionin, do të jetë e ashpër në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet me 2 maj.

Sipas tij, tani Kosova ka një avantazh shtesë si argument kundër Serbisë - Marrëveshjen e Ohrit.

“Tani fusha e betejës ka lëvizur te kompetencat e Asociacionit. Çfarë do të jetë ai! A do të ketë kuvend ose legjislativ? A do të ketë kompetenca ekzekutive? A do të ketë dhe sa do të jetë pavarësia e tij nga institucionet e Kosovës? A do të vendosë ky Asociacion edhe për zbatimin e ligjit dhe instrumentet e tij, si policia, prokuroria e gjykata?! Pra, lufta do të jetë e ashpër. Tani është beteja vendimtare midis Kosovës dhe Serbisë. I vetmi avantazh shtesë për Kosovën në argument në krahasim me të shkuarën është Marrëveshja e Ohrit, në të cilën Serbia angazhohet të respektojë territorin, institucionet dhe shtetin e Kosovës, pa e njohur atë juridikisht. Po ashtu emërtimi në marrëveshje i “vetëmenaxhimit”, që do të thotë autonomi e karakterit kulturor, administrativ në kuadër të kompetencave komunale të serbëve”, ka thënë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Kryeministri Kurti këmbëngul që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Edhe sipas analistit politik, nuk do të ketë rrezik juridik nëse çështja e Asociacionit nuk del përtej Marrëveshjes së Ohrit. Por, ai parasheh që kjo do të kundërshtohet nga Beogradi të martën në Bruksel.

Image
Enver Bytyçi

Zoti Kurti e ka mundësinë që Asociacionin ta kërkojë në këto korniza, të cilat parashihen në marrëveshjen e pranuar të Ohrit. Asociacioni nuk mund e nuk duhet të bie në kundërshtim e të dalë përtej marrëveshjes së Ohrit. Nëse ndodh kjo, nuk ka rrezik juridik. Është tjetër punë që serbët mund të mos e pranojnë sovranitetin e institucioneve të Kosovës edhe pa pazë juridike. Por, Beogradi do të kërkojë të ketë marrëveshjen e 2015-ës të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pikërisht këtu do të zhvillohet beteja politike e diplomatike në Bruksel të martën e ardhshme”, është shprehur më tej Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se pret presion diplomatik ndaj Kosovës nga diplomatët evropianë, që Kurti të pranojë elemente nga disa modele evropiane për Asociacionin, që do të ndërtojnë skemën në të mirë të Beogradit.

Unë pres që diplomatët evropianë, Lajçak dhe Borrell të bëjnë presion ndaj Kosovës me anën e modeleve evropiane. Por, ata nuk do të marrin për implementim një model, p.sh atë të Tirolit Jugor në territorin e Italisë së Veriut. Do të marrin aksesorë, elemente nga disa modele, të cilat i shkojnë për shtati Beogradit. Pra, do të thonë se ky element zbatohet për modelin e Tirolit Jugor, një element tjetër për pakicën daneze në Schlessëig-Holstein, një model tjetër në Katalonjë dhe një tjetër ndoshta në Sllovaki. Të gjitha këto modele grumbullohen për të ndërtuar një skemë pro-Beogradit dhe shiten si model evropian”.

Profesori në fund ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të ketë kujdes dhe t’iu kundërvihet intrigrave për Asociacionin.

Kjo taktikë është njëkohësisht edhe intrigë. Intriga jo vetëm nuk pranohet, por ajo përbuzet! E jo vetëm kaq! Intrigat, sidomos nga ata që të hiqen si miq, bëhen shkak i përçarjeve dhe konflikteve të mëtejshme e më të ashpra. Pra, nuk ka besim në intriga, pabesi dhe qëndrime hipokrite. Zoti Kurti në çdo rast duhet t’i zbulojë ato dhe t’u kundërvihet fort”, ka përfunduar Bytyçi./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat