Hapja e urës mbi Ibër, “aventurë” me shumë rreziqe? Ja kush po dështon të sigurojë lëvizjen e lirë

Politika

Hapja e urës mbi Ibër, “aventurë” me shumë rreziqe? Ja kush po dështon të sigurojë lëvizjen e lirë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 maj 2023 Në ora: 08:02
Ura e Ibërit

Asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli, ditë më parë ka parashtruar kuvendit kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë të qytetarëve, duke thënë se kjo është bërë pas kërkesave të shumta të qytetarëve.

Për këtë iniciativë të saj ka pasur reagime të shumta, si nga institucionet e Kosovës, e po ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Nga Qeveria e Kosovës, këtë vendimi e kanë cilësuar të drejtë, duke pasur parasysh se hiqen edhe pengesat e lëvizjes së lirë.

“... Vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Nga ana tjetër, Emisari evropian Miroslav Lajçak këtë kërkesë e ka quajtur kalim nga kriza në tjetrën duke rikujtuar diskutimet për targat, energjinë elektrike e tokat.

Ai ka kërkuar nga pala e Kosovës dhe ajo serbe të shmangin veprimet e një-anshme.

Ne ende po na duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak.

Edhe misioni i KFOR-it i ka folur në lidhje me këtë vendim për të hapur për qarkullim urën e Ibrit.

Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik.”, kanë deklaruar nga KFOR.

Kurse, Petar Petkovic nga ashtuquajtura Zyra për Kosovë këtë inciativë e ka quajtur si “provokim” dhe përpjekje të kryeministrit Albin Kurti për “të prishur takimin e Brukselit më 2 maj”.

Tahiraj: Nuk ka shqiptarë që nuk e do të realizohet kjo e drejt legjtime që me vite është penguar nga bandat kriminale serbe të dirigjuara nga Vuçiq

Image
Saim Tahiraj

Analisti Saim Tahiraj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kjo inciativë është shumë me vend dhe e pëlqyeshme, duke shtuar se është e drejt legjitime sepse tash e sa vite është penguar nga bandat kriminale serbe të dirigjuara nga Vuçiq.

Kur e dëgjon një kërkesë të tillë nga asambleistja Aida Ferati-Doli, në ansamblenë komunale të Mitrovicës, vërtet për tërë opinionin shqiptarë pritet jashtëzakonisht mirë. Gjithashtu edhe votimi për me shumicë votash, për një të drejt legjitime të mohuar me vite është shumë e pëlqyeshme dhe e mirëpritur. Nuk ka shqiptarë që nuk e do të realizohet kjo e drejt legjitime që me vite është penguar nga bandat kriminale serbe të dirigjuara nga Vuçiq, dhe të përkrahur nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Sikur kjo të jetë e koordinuar me SHBA dhe shtetet mike evropiane duhet të mbështetet dhe përkrahet nga të gjitha partitë politike, shoqëria civile dhe mbarë populli shqiptar. Por, nëse kjo është një aventurë e radhës për konsum politik të VV-së, siç jemi mësuar ti shohim në disa raste, do jetë shumë e rrezikshme për aktualitetin politik. Sa i përket deklaratës së Lajçakut nuk duhet të brengosemi shumë sepse jo rrallëherë ka qenë i njëanshëm dhe jo korrekt, njëjtë si shefi i tij Borell”, thotë ai.

Ai shton se, ne duhet të kemi një koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe shtetet mike evropiane dhe asnjëherë të mos veprojmë njëanshëm.

Ne duhet të interesohemi për koordinim të ngushtë me SHBA dhe shtetet mike evropiane, dhe asnjë veprim të njëanshëm siç kanë vepruar në disa raste populistët e VV-së. Situata politike është delikate dhe nuk guxojmë të futemi në një aventurë të re, me shumë rreziqe e cila do ketë kosto të lart për Kosovën së paku kemi nevojë tani për veprime populiste të VV-së. Tani kemi nevojë më tepër se kurrë për veprime të matura, të peshuara mirë dhe të koordinuara me miqtë tanë”, përfundon analisti.

Meha: Deklarata e KFOR-it, ishte një dështim për të siguruar lëvizje të lirë

Njohësi i çështjeve politike, Xhevat Meha, ka thënë se lëvizja e lirë e qytetarëve duhet të jetë e garantuar nga institucionet e Kosovës dhe po ashtu mos të bëhet çështje politike.

Image
Xhevat Meha

Pastaj, Meha shton se edhe deklarata e KFOR-it, ishte një dështim për të siguruar lëvizje të lirë.

Lëvizja e lirë përmes urës mbi Ibër është shndërruar në çështje politike edhe pse lëvizja e lirë e qytetarëve në gjithë territorin e Kosovës duhet të jetë e garantuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë. Përmes ndërhyrjes së saj, Serbia ka arritur të pamundësoj lëvizjen e lirë të qytetarëve në një pjesë të territorit të Kosovës. Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës brenda territorit të Kosovës duhet të jetë e garantuar dhe jo të bëhet çështje politike ne mes të Kosovës dhe Serbisë. KFOR-i si institucioni më i lartë i sigurisë në Kosovë, tani rishtas deklaron se rihapja e urës mbi Ibër për lëvizje të lirë duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Kjo paraqet dështim të KFOR-it për të siguruar lëvizje të lirë të qytetarëve në gjithë territorin e Kosovës”, deklaron ai.

Në fund, thotë se institucionet në Kosovë, përfshi KFOR-in, duhet që të marrin përkrahjen e mbështetësve të pavarësisë së Kosovës që të përmbushin në plotni mandatin që kanë rreth garantimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve në gjithë territorin e Kosovës.

Pavarësisht se çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve mbi urën e Ibrit është shndërruar në çështje politike, institucionet e sigurisë të Kosovës nuk duhet që pafundësisht të dështojnë në sigurimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Institucionet për siguri në Kosovë, përfshi KFOR-in, duhet që të marrin përkrahjen e mbështetësve të pavarësisë së Kosovës që të përmbushin në plotni mandatin që kanë rreth garantimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve në gjithë territorin e Kosovës”, përmbyll ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat