Eksperti amerikan komenton votën e Greqisë për Kosovën, që shkaktoi “tërmet” në Beograd, tregon kur do të vjen njohja

Politika

Eksperti amerikan komenton votën e Greqisë për Kosovën, që shkaktoi “tërmet” në Beograd, tregon kur do të vjen njohja

Nga: A.Zh Më: 3 maj 2023 Në ora: 20:13
Alon Ben-Meir

Eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, e ka quajtur shumë domethënës, kalimin e fazës së parë të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai ka thënë se pavarësisht kërcënimeve të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ato nuk patën asnjë pasojë. Megjithatë, profesori ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ketë parasysh refuzimin e Vuçiqit, për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përkundër zotimit nga Marrëveshja e Ohrit.

“Pavarësisht abstenimeve të Ukrainës, Bosnjës, Greqisë, Moldavisë dhe Sllovakisë, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë domethënës. Edhe pse presidenti i Serbisë tha të martën, më 25 prill se “do të ketë ndryshime të thella dhe thelbësore në politikën e jashtme pasi Këshilli i Evropës votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës”, “kërcënimet” e tij nuk kanë asnjë pasojë. Ai deklaroi qartë pas Marrëveshjes së Ohrit se nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, por jo, çuditërisht ai refuzoi. BE-ja duhet ta marrë këtë në konsideratë të plotë”, është shprehur Ben-Meir, për gazetën “Bota sot”.

Qëndrimi neutral i Greqisë në Këshillin Evropian në lidhje me kërkesën për anëtarësim të Kosovës shkaktoi shqetësim të madh në Beograd dhe atje u vendos që kryeministrja serbe të mos marrë pjesë në forumin ekonomik të Greqisë. I pyetur nëse njohja e Kosovës nga Greqia do të vijë së shpejti, eksperti amerikan ka thënë se vota e Greqisë, është hap i rëndësishëm ndrejt njohjes së Kosovës.

“Mbështetja e Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është sigurisht një hap i rëndësishëm përpara drejt njohjes eventuale të pavarësisë së Kosovës. Se kur mund të ndodhë kjo mbetet për t'u parë”, ka thënë ai.

Ai ka porositur që “Kurti duhet të bëjë gjithçka që mundet për të bashkëpunuar në çdo nivel me Greqinë, si dhe me katër vendet e tjera anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, gjë që do të ndihmonte në lehtësimin e njohjes përfundimtare të vendit të tij”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat