“Puç i ndyrë kundër Kosovës!”, analisti “shpërthen” ndaj Ramës: Ka për zemër Vuçiqin, po e kafshojnë pamëshirshëm

Politika

“Puç i ndyrë kundër Kosovës!”, analisti “shpërthen” ndaj Ramës: Ka për zemër Vuçiqin, po e kafshojnë pamëshirshëm

Nga: Naile Ejupi Më: 13 qershor 2023 Në ora: 22:04
Edi Rama- Aleksander Vuçiq

Të gjitha përgatitjet ishin bërë, madje ishte publikuar edhe agjenda nga zyra e kryeministrit të Kosovës, për mbledhje të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, që ishte paraparë të mbahej nesër më 14 qershor, në Gjakovë.

Ngjarja ishte organizuar të mbahet në Bibliotekën e Qytetit, ndërkaq gjithçka nis me pritjen e Kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij.

Pas mbajtjes së mbledhjes së përbashkët, ishte planifikuar një ceremoni e nënshkrimit të marrëveshjeve që priten të nënshkruhen.

Ndërkaq, në orën 13:15, në Teatrin “Hadi Shehu” pritej të mbahej një konferencë e përbashkët e Kryeministrit Albin Kurti dhe Ramës.

Pas konferencës, ZKM-ja në Prishtinë njofton se Kryeministri Kurti kishte planifikuar t’i shtrojë drekë Kryeministrit Rama dhe ekipit të tij.

Dita përfundon pas orës 16:00, kur ishte paraparë një takim i dy kryeministrave me kryetarët e qyteteve që ndodhën në vijat kufitare Kosovë – Shqipëri.

Por, e gjitha tashmë është anuluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili fillimisht kishte kërkuar ndryshim formati dhe me mos pranimin e formatit të kërkuar, ishte anuluar edhe mbledhja.

Në një konferencë urgjente pak orë më parë, kryeministri Rama ka treguar se ka biseduar me shefin e diplomacisë evropian, Josep Borrell dhe pas kësaj ka kërkuar nga Kurti që të ndryshohet formati i mbledhjes.

Sipas Ramës, ai bërë një përpjekje për të ju kërkuar dhe pak kohë, e ka marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzohet kjo kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, ka shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje.

“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Borrell i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë për të diskutuar për këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me Bashkësinë Euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin në butonin që do të vërë në lëvizjen planin e sanksioneve. Për fat të keq, më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me Kurtin për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë dhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës. Të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur e përsëris jemi në prag të vënies në lëvizje të planit të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit. Kam bërë një përpjekje për të ju kërkuar dhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, u shpreh Rama.

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se Rama është person i paparashikueshëm.

Sipas tij, partner më i përzemër i Ramës është Vuçiqi që bashkë me të po kafshojnë pamëshirshëm Kosovën.

“Edvin Kristaq Rama është një person i paparashikueshëm, që vepron me teka dhe shfrytëzon mrekullisht situatat e turbullta për të përfituar, personalisht! Parabolizmi i tij për çudi ka rezultuar me suksese shkatërrimtare të Shqipërisë, e cila nga bunkerizimi po kalon në epokën e shpartallimit, duke u bërë oazë e trafikimit të drogës, krimit dhe korrupsionit të organizuar shtetëror! Ky orientim domosdo që Ramës ia ka imponuar nevojën e bashkëpunimit me si-vëllezërit e tij, ideologjik e kriminalë, rreth e rrotull Shqipërisë e më larg! Tashmë partnerët e tij nuk janë të panjohur, e ndër ta më i përzemërti Aleksandër Vuçiqi, bashkë me të cilin po kafshojnë pamëshirshëm Kosovën, dhe Kosovën Lindore! Kjo që po them është e mirënjohur dhe katërcipërisht e vërtetuar, nga vargu i marrëveshjeve të fshehta, ku "Ballkani i hapur" ishte kryevepra kriminale e Edi Ramës, puçi i ndyrë kundër Kosovës! Tash edhe një copë e zezë thëngjilli me planin për zgjidhjen e krizës aktuale në Veriun e Kosovës që Rama e ka gatuar në kuzhinën e tij dhe që e ka plasur pa krye më veta, duke i shpërfillur institucionet e Kosovës për shumë vite radhazi dhe duke u përzier brutalisht dhe tmerrësisht në punët e brendshme të një vendi të pavarur!!! “, shprehet Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Rama deri më tani ka luajtur prapa shpinës, thotë Zogaj, gjersa shton se planet e menduara të tij nuk do të realizohen.

Sipas Zogajt, Kosova do ta kalojë këtë krizë, ndërsa tagrin për tradhti do ta paguajë Edi Rama.

“Duke pasur parasysh vistrin e kurdisjeve anti kosovare, nuk është aspak për t'u habitur anulimi i mbledhjes se paralajmëruar i qeverive Kosovë -Shqipëri, që në fakt është anulim plotësisht i arsyeshëm, sepse, ky takimi i dy qeverive do të ishte parodi cigane, një farsë idioteske! Rama deri tash ka luajtur prapa shpinës, por tash po tregohet hapur kundër Kosovës dhe fuqishëm pro Serbisë! Mirëpo, planet që i ka menduar nuk do të mund t'i realizojë, sepse sado që Kosova është në njëfarë krizë, këtë do ta kalojë dhe, tagrin për tradhti do ta paguajë Edi Rama dhe Klika Roze, që duhet ta ketë parasysh se Kosova nuk është gjunjëzua as kur ia ka kthyer shpinën Enver Hoxha, e lëre tash, që Kosova është shtet dhe Edi Rama s'ia lëvizën as edhe një fije floku! Për fat të mirë, shtetasit e Shqipërisë e kanë të qartë se çfarë loje po luhet dhe, jo vetëm që nuk i prishin raportet vëllazërore, por përkundrazi, do t'i forcojnë dhe do t'i realizojnë idealet reale kombëtare shqiptare! Klikat janë ujërat që shkojnë e vijnë, por populli është rëra që mbetet në vendin e vet dhe nga gjiu i vet i nxjerrë feniksët!”, shton Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat