LDK kërkesë qeverisë: Shpall zgjedhjet në pjesën veriore dhe tërhiq kryetarin nga komuna

Politika

LDK kërkesë qeverisë: Shpall zgjedhjet në pjesën veriore dhe tërhiq kryetarin nga komuna

Nga: Q.R. Më: 3 korrik 2023 Në ora: 13:13
Pjesëtarë të KFOR-it duke bërë roje në Leposaviq

Lajmi se Bashkimi Evropian ka vënë sanksionet e para mbi Kosovën, në fakt disa masa pezulluese në fushën e integrimit, ka ngritur debate e kritika të shumta brenda dhe jashtë vendit, shkruan Bota sot.

Ndonëse pas këtij lajmi kryeministri Kurti doli me një reagim, duke i quajtur ato masa të padrejta, si dhe duke i kujtuar ndërkombëtareve se kush është Serbia. Opozita kërkon reflektim më të madh nga ai rreth kësaj çështje.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, derisa flet për dëmin që këto masa ia shkaktojnë Kosovës, vlerëson se Kurti duhet të dakordohet me ShBA-në dhe BE-në për qetësimin e situatës në veri.

“Qeveria duhet të reflektoj sepse plani është ndërmarrë me datën 28 dhe qeveria deri më tash nuk ka treguar asgjë. Këto masa e dëmtojnë shumë Kosovën. Ju e dini që MSA është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe pa atë marrëveshje nuk ka procese integruese, pastaj është pezullimi i fondeve të BE-së, pezullimi i takimeve bilaterale, pezullimi i takimeve të tjera në nivele të larta. Kjo është shumë shqetësuese për vendin, do të duhet që qeveria të ulet dhe të dakordohet me ta dhe të tregojë se çka po thotë BE dhe ShBA për qetësimin e gjendjes në veri”, thotë ajo për Bota sot.

Deputetja Krasniqi e sheh të rrugës që të shpallen zgjedhjet në pjesën veriore dhe të largohet kryetari për të vazhduar detyrën në një vend tjetër.

Image
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi

“Me i shpall zgjedhjet në pjesën veriore që po kërkohen, me u largu kryetari prej komunës të shkoj me një komunë tjetër se vendimet merren si prej komunës, si prej një zyrës tjetër”, thotë ajo.

Kujtojmë se, Bashkimi Europian tashmë i ka aplikuar sanksionet ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët evropianë për uljen e tensioneve.

Disa nga porositë e BE për uljen e tensioneve janë pezullimi i operacioneve policore pranë komunave, zhvendosja  e 4 kryetarëve për të ushtruar detyrën në ndërtesa alternative dhe shpallja e zgjedhjeve të reja në veri, ku të garantohet dhe pjesëmarrja e serbëve në to.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat