Shkëndija e parë e përplasjes Rama-Vuçiq dhe vdekja e “Ballkanit të Hapur” – ky është lajmi i mirë për Kosovën!

Politika

Shkëndija e parë e përplasjes Rama-Vuçiq dhe vdekja e “Ballkanit të Hapur” – ky është lajmi i mirë për Kosovën!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 korrik 2023 Në ora: 18:17
Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

Nisma Ballkani i Hapur ishte, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Mirëpo, dy ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi mbylljen e projektit të “Ballkanit të Hapur”, duke thënë se ka kryer misionin, gjersa sipas tij tash duhet shtyrë përpara Procesin e Berlinit.

“Natyrisht që Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. ‘Ballkani i Hapur’ ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë…”, ka thënë ndër tjerash Rama.

Kurse, i menjëhershëm reagimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se Ballkani i Hapur është “një ide autoktone e popujve të Ballkanit” dhe se nuk beson që kryeministri shqiptar Edi Rama mund të ketë thënë se kjo iniciativë e ka përfunduar misionin dhe se është koha për tu përfshirë në procesin e Berlinit.

“Nuk jam i sigurt se është pikërisht ajo që tha ai, por shpresoj se do të mund ta shoh së shpejti. Ballkani i hapur është një ide autoktone e popujve të Ballkanit, serb, shqiptar, maqedonas, por është mbështetur edhe nga një pjesë e konsiderueshme e boshnjakëve dhe njerëzve në Mal të Zi që nuk janë serbë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Kjo çështjet duket se mund t’i përplasë Ramën e Vuçiqin, derisa u mirëprit mbyllja e “Ballkanit të Hapur”, pasi që nga fillimi ishte cilësuar si projekt i dëmshëm për shqiptarët.

Elezaj: Deklarata e Ramës, se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin e tij, thënë më se buti, është hipokrite dhe e pa saktë

Opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” tha se mbyllja e projektit të “Ballkanit të Hapur” ishte një lajm i papritur, kur dihet sa shumë ka lobuar Rama për themelimin dhe zgjerimin e tij.

Image
Rexhep Elezaj

“Shpallja dje të mbyllur projektin e “Ballkanit të Hapur” nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shumë vështrues politik në Ballkanin perëndimorë ka qenë një lajm i papritur, më së shumti për mikun e tij në Beograd, A. Vuçiqin, siç tha se ky është një lajm i pabesueshëm për të, për shkakun e njohur, se Edi Rama ishte “luftëtar më i paepur” për themelimin, zgjerimin dhe funksionimin e këtij projekti serbomadh në gjithë Ballkanin perëndimor. Pra, zgjerimin e tij edhe tek tri vendet tjera, Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova, por të cilat e kishin refuzuar këtë nismë të A. Vuçiqit”, deklaroi ai.

Sipas tij, ajo se çka është më befasuese për këtë gjë, është koha dhe vendi kur Rama e mori këtë vendim, madje pa e konsultuar Vuçiqin, i cili ishte pjesë e tij.

“Mirëpo, ajo që patjetër bie në sy është koha dhe vendi kur Edi Rama merr vendimin që ta mbyllë nga ana e tij projektin e “Ballkanit të Hapur”, pra në Tiranë, dhe siç duket pa i njoftuar paraprakisht mikun e tij në Beograd, A. Vuçiqin si dhe kryeministrin e Maqedonisë veriore, Dimitar Kovaçevskin, që shikuar nga prizmi diplomatik ishte kjo shkelje e rënd e parimeve bilaterale, por edhe e etikës diplomatike. Akt të cilin kryeministri i Shqipërisë do ta ketë ndërmarrë për shkaqe tjera politike, të cilat mund t’i dijë vetëm ai, ndonëse dje dhe sot ka pasur spekulime të ndryshme, se këtë akt e ka bërë me kërkesën e BE-së, etj..”, theksoi opinionisti.

Gjithashtu, Elezaj e cilësoi hipokrite deklaratën e Ramës, kur tha se “Ballkani i Hapur” e ka kryer “misionin e tij”.

“Kurse, deklarata e E. Ramës, se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin e tij, thënë më se buti, është hipokrite dhe e pa saktë, kur dihet se gjatë kohës sa ka funksionuar ky projekt, në esencë serbomadh, tri shtetet anëtare, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, kanë nënshkruar disa marrëveshje trepalëshe tregtare, ekonomike dhe politike me pretendimin se ky projekt do jetë rruga më e shkurtë për integrimin e rajonit të Ballkanit perëndimor në BE, dhe se brenda këtij projekti vendet anëtare do t’i heqin kufijtë mes tyre, do kenë tregtinë e lirë si dhe bashkëpunim të ngushtë ekonomik, duke e anashkaluar qëllimisht Procesin e Berlinit për inati të Evropës”, nënvizoi ai.

Megjithatë, opinionisti mirëpriti vendimin për mbylljen e këtij projekti, duke thënë se është një lajm i mirë për shqiptarët dhe Kosovën.

“Sido që të jetë, vendimi për shpalljen e “Ballkanit të Hapur” të mbyllur për Shqipërinë, përveç se duhet përshëndetur, braktisja e tij nga ana e Shqipërisë ishte për Kosovën dhe shqiptarët një lajm mjaft i gëzueshëm, sepse askush më mirë se ata nuk e njeh fjalorin plotë gënjeshtra si dhe qëllimet antishqiptare të A. Vuçiqit, me të cilin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lidhi kumbari duke shkelur mbi gjakun e 13 mijë shqiptarëve të vrarë dhe masakruar në luftën e fundit në Kosovë nga regjimi fashist të Serbisë. Mbase, kryetari aktual i të cilës as që mendon t’i kërkojë falje popullit shqiptar të Kosovës për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj tyre hiç më larg se para 24 viteve..”, shpjegoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai parashikoi ftohje të marrëdhënieve mes Ramës dhe Vuçiqit, por jo edhe shkëputje të plotë, pasi e kanë vështirë të ‘ndahen’ këta të fundit.

“Se a do ketë përplasje mes Edi Ramës dhe A. Vuçiqit për shkak të vendimit të Ramës për të dalë nga “Ballkani i Hapur”, mendoj se marrëdhëniet midis tyre edhe mund të ftohën për pak kohë, por jo deri në masën e shkëputjes së tyre të plotë, ngase Edi Rama shumë vështirë mund të ndahet nga miku i tij, A. Vuçiq, me të cilin kanë lidhur shumë krushqi, që të gjitha në favor të Serbisë, ose thënë më troç, në dëm të shtetit të Kosovës”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Kapiti: Edi Rama e quajti projektin Open Ballkan të mbyllur sepse i mbyllur ishte dhe as nuk funksionoi.

Image
Skender Kapiti

Kurse, opinionisti tjetër nga Shqipëria, Skënder Kapiti në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se “Ballkani i Hapur” ishte i destinuar që të dështoj, pasi ishte kundër Kosovës dhe BE-së.

“Projekti Open Ballkan ishte i destinuar që të dështoj, sepse ai ishte projekt anti-shqiptar, kryesisht ishte një projekt kurth anti-Kosovë, ishte një projekt edhe anti-BE. Kurrë nuk duhej që ai projekt jo të përkrahej nga Tirana jo se jo, por as nuk duhej të diskutohej nga Shqipëria pa u konsultuar me Prishtinën, sepse aq më tepër Shqipëria nuk ka qene pjesë e ish-Jugosllavisë”, tha ai.

Krahas kësaj, Kapiti deklaroi se ky projekt ishte një tradhti e madhe e Tiranës ndaj Kosovës.

“Projekti “Open Ballkan” ishte një neo-Jugosllavi por kësaj radhe me Shqipërinë si anëtare të saj. Nëse Kryeministri i Shqipërisë do t’ia donte të mirën Kosovës, ai mund dhe duhej ta përdorte një kusht shumë të rëndësishëm në këtë projekt. Ai duhej t’ia impononte Serbisë se: po jemi për Open Ballkan, por më parë njihe Kosovën si shtet.

Fillimisht ky projekt quhej Minishengen (shengen i vogël), por që ishte mega-tradhti (tradhti e madhe) nga Tirana për Kosovën, e pastaj u quajt Open Ballkan, Ballkan i Hapur dhe nën drejtimin e Serbisë për të dalë Serbia në Adriatik”, nënvizoi opinionisti.

Në fund, ai tha se nuk beson se mbyllja e “Ballkanit të Hapur” do t’i përplasë Ramën e Vuçiqin, mirëpo nuk e përjashtoi si mundësi nëse ka diçka në prapavija.

Meritore për mbyllje të këtij projekti e cilësoi Kosovën dhe qëndrimet e saj kundër tij, duke i dhënë një leksion Ramës.

“Edi Rama e quajti projektin Open Ballkan të mbyllur sepse i mbyllur ishte dhe as nuk funksionoi. Pra “Open Ballkan” ishte dështim i Rama-Vuçiq, projekt shterp e dështak që kur lindi si ide. Nuk besoj se do të ketë përplasje të Vuçiq me Edi Ramën, sepse nuk ka pse të ketë sepse nuk pati Open Ballkan, por mund të ketë përplasje vetëm nëse ka diçka tjetër që nuk dihet në prapaskenë e nën rrogoz. Open Ballkan dështimi i tij shënon një fitore të madhe të politikës së Prishtinës falë së cilës ky projekt anti-Shqipëri e anti-Kosovë dështoi, dhe duhet që ky rast të merret si leksion nga Edi Rama dhe nga politika që do vijë në Tiranë se Kosova ka dhe luan rol kyç sot, dhe nuk është Kosova më as krahinë autonome e Serbisë dhe as protektorat i Tiranës, që të vendosin Tirana e Beogradi si të duan e çfarë të duan pa pyetur Kosovën”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat