Qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, profesori amerikan jep përgjigje pse “përkëdhelet” Serbia

Politika

Qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, profesori amerikan jep përgjigje pse “përkëdhelet” Serbia

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 korrik 2023 Në ora: 18:00
Alon Ben-Meir

Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni, ka qenë temë diskutimin dje në Komitetin për Punë të Jashme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.

Gjersa, po raportonte për Kosovën, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar, është pyetur nga kongresmeni nga Teksasi, Keith Self për qasjen e balancuar në raport me Kosovën e Serbinë.

“Po dëgjoj një lloj jokonsistence. Ju keni thënë që keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment por tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim se Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës. Kjo nuk ka aspak dyshim. Vuçiqi i ka shtyrë zgjedhjet e veta edhe për shkak të zgjedhjeve të Kosovës”, ka deklaruar Self.

Self ka kërkuar një koment nga Escobari edhe një qëndrim të tij në lidhje me “përkëdheljen e Serbisë” në raport me Kosovën.

Derisa Escobar ka mohuar se po ndodh një gjë e tillë.

“Kjo qasje është e gabuar dhe ne kemi fakte. Në 60 ditët e fundit ne kemi mbështetur Kosovën për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës si dhe kemi njohur legjitimitetin e zgjedhjeve në veri edhe pse kanë dalë në zgjedhje vetëm 3%. Kemi sanksionuar edhe shefin e Inteligjencës së Serbisë”, ka deklaruar Escobar.

E një përgjigje tjetër ka eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, njëherësh profesori amerikan, Alon Ben-Meir.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Meir kur është pyetur rreth protestave të serbëve në veri dhe sulmit ndaj ushtarëve të NATO-s, ai thotë se duhet shmangur një përsëritje e demostratës së serbëve etnikë.

Sipas tij, ShBA nuk e favorizon Serbinë mbi Kosovën, por ajo që ata duan është të arrijnë ta distancojnë Serbinë nga Rusia.

“Duke qenë se BE-ja dhe SHBA-ja garantojnë pavarësinë e Kosovës nën ombrellën e NATO-s, përfshirja e tyre e vazhdueshme është e sigurt. Për arsye të mirë, ata duan të shmangin një përsëritje të demonstratës së serbëve etnikë dhe lëndimeve fatkeqe të marra nga afro 30 ushtarë të KFOR-it. BE dhe SHBA nuk do të shmangin ndërhyrjen nëse do të jetë e nevojshme për të parandaluar një tjetër zjarr. Të gjithë duhet të kujtojmë se as BE-ja dhe as SHBA-ja nuk e favorizojnë Serbinë mbi Kosovën, ajo që ata duan të arrijnë është të distancojnë Serbinë nga Rusia, veçanërisht për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, dhe të pengojnë Rusinë që të destabilizojë rajonin përmes Serbisë”, u shpreh Meir.

Në raportimin e tij, i dërguari i ShBA-së për dialog, Gabriel Esobar, ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër më 18 mars në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet një mundësi të madhe për të dyja palët.

“Marrëveshja e Ohrit siguron mundësi për të dyja vendet, për të krijuar një marrëdhënie paqësore dhe hapjen e një dere drejt integrimit evropian. Marrëveshja kërkon njohjen e Kosova nga Serbia. Njohjen e simboleve, diplomat, targat. Kosovës marrëveshja ia kërkon zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, është shprehur Escobar.

“Besoj që të dyja vendet duhet të angazhohen për këtë pa kushte. Ne angazhohemi që të dyja palëve t’ua kujtojmë obligimet në mënyrë që të kemi progres të dukshëm gjatë këtij vitit”.

Masat ndaj Kosovës, Escobar ka thënë se refuzon t’i quajë sanksionet, derisa ka përmendur se e vetmja gjë me të cilën nuk është pajtuar ShBA-ja ka qenë dërgimi me polici i kryetarëve në katër komunat veriore.

Kurse, sipas, profesorit Meir, refuzimi i Kurtit për ta zbatuar Asociacionin për të cilin është rënë dakord disa vite më parë, padyshim që ia vuri barrën Kosovës.

“Refuzimi i kryeministrit Kurti për të zbatuar Asociacionin për të cilin është rënë dakord disa vite më parë, padyshim që ia vuri barrën Kosovës. Dhe duke pasur parasysh se BE-ja dhe SHBA-ja janë garantuesit e sigurisë kombëtare dhe pavarësisë së Kosovës, ata mendojnë fuqishëm se Kurti duhet ta kishte zbatuar marrëveshjen kur mori pushtetin”, deklaron Meir.

Sipas tij, BE dhe ShBA kanë të drejtë të kërkojnë nga Kurti që t’i përmbahen marrëveshjeve.

“Ata kanë të drejtë të kërkojnë që ai t'u përmbahet të gjitha marrëveshjeve, sepse çdo tension i krijuar si rezultat i pohimit të tij të padrejtë të pushtetit, i cili nuk është në përputhje me marrëveshjen e bërë me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e tyre, i detyron ata të ndërhyjnë siç e kemi parë muajt e fundit. Kjo është arsyeja pse ata kanë ndërmarrë veprime, duke përfshirë sanksionet, gjë që është në përputhje me atë që ata e konsideruan të nevojshme për të rivendosur qetësinë, e cila është gjithashtu e dobishme për Prishtinën po aq”, thekson profesori amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat