Anëtarësimi i Kosovës në NATO, nga Amerika vjen “këshilla” për Kurtin: Ja si duhet të veprojë!

Politika

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, nga Amerika vjen “këshilla” për Kurtin: Ja si duhet të veprojë!

Nga: Naile Ejupi Më: 24 korrik 2023 Në ora: 20:09
Foto ilustrim

Që nga 24 shkurti kur presidenti Vladimir Putin e filloi pushtimin e plotë të Ukrainës, duke përmendur kundërshtimin e Rusisë ndaj anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO, si një shqetësim kryesor, ekziston një frikë se ky konflikt ushtarak mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor.

Një frikë të menjëhershëm e kanë ndjerë Kosova dhe Bosnja pasi kanë përjetuar vrasje masive të kryera nga forcat serbe në vitet 1990 nën qeverisjen brutale të presidentit të atëhershëm serb Slobodan Millosheviq.

Prandaj, thirrje që Kosova të pranohet në NATO, kanë bërë autoritetet drejtuese të Kosovës, "anëtarësimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike është më i domosdoshëm se kurrë”, ishte shprehur presidentja Vjosa Osmani.

Në anë tjetër, zhvillimet në veri të vendit kanë “ndikuar” jo pak në raportet e Kosovës me ndërkombëtarët.

Duke folur rreth mundësisë reale që Kosova të pranohet në NATO dhe sa do të ndikojnë këto tensione në anëtarësim, profesori amerikan, Alon Ben Meir, thotë se Kurti duhet të punojë ngushtë me BE-në dhe ShBA-në.

Sipas tij, kryeministri duhet të koordinohet me ta për çdo politikë të jashtme dhe të brendshme.

“Çdo anëtarësim në NATO dhe BE është një proces i gjatë që kërkon vite për të përfunduar dhe kjo vetëm nëse kandidati i përmbahet plotësisht standardit të kërkuar nga këto dy institucione. Kjo është arsyeja pse është kritike që Kurti të punojë ngushtë me BE-në dhe SHBA-në dhe të koordinohet plotësisht me ta për çdo politikë të jashtme dhe të brendshme që mund të ketë ndonjë ndikim në anëtarësimin e ardhshëm në këto dy organe", deklaron Meir.

Image
Alon Ben Meir

Kosova 10 vjet më parë aplikoi për t'u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por kjo nuk u mundësua për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, kishte statusin e organizatës për ndërhyrje në emergjenca dhe katastrofa natyrore, dhe jo atë të ushtrisë. Në vitin 2016, qeveria e Kosovës bëri përpjekje të përsëritur për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n, por ishte Spanja, një nga vendet e BE-së që e kundërshtoi atë. Në vitin 2017, megjithatë, NATO pranoi ta forcojë bashkëpunimin e saj me FSK, por vetëm midis forcës paqeruajtëse të KFOR-it që ka mandat nga OKB-ja dhe zyrës ndërlidhëse dhe ekipit këshillues të NATO-s në Prishtinë.

Në vitin 2018, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin, i cili i shton kompetencat Forcës së Sigurisë së Kosovës për ta shndërruar atë në ushtri në një periudhë brenda 10 vitesh, por pa ia ndërruar emrin.

Sidoqoftë, çdo shtet anëtar i NATO-s e ka të drejtën e vetos brenda organizatës, dhe për shkak se katër vende të NATO-s nuk e njohin Kosovën, kjo tash për tash e bën të pamundur që Kosovës t'i jepet një plan aksional për anëtarësim, që përcakton hapat e nevojshëm që një vend të bëhet përfundimisht një anëtar i plotë i NATO-s. Aktualisht NATO ka trupat në Kosovë rreth 3700 trupa në kuadër të misionit të KFOR-it, i cili ende funksionon nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat