Kosova ndalesa e radhës, mirëpritet paralajmërimi i Papa Françeskut – pritet të jepet një lajm i mirë për shqiptarët!

Politika

Kosova ndalesa e radhës, mirëpritet paralajmërimi i Papa Françeskut – pritet të jepet një lajm i mirë për shqiptarët!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 gusht 2023 Në ora: 08:06
Papa Françesku me presidenten Vjosa Osmani

Papa Françesku synon që së shpejti të realizojë një vizitë në Kosovë.

Kështu ka thënë vet ai në një intervistë për revistën spanjolle Vida Nueva.

Papa ka treguar se si ai kishte nisur vizitën e tij në Shqipëri, vite më parë, teksa tregoi se një të tillë dëshiron tani ta bëjë edhe në Kosovë.

Nuk do të shkoj në asnjë vend të madh të Evropës derisa të mbaroj me të vegjlit. Fillova me Shqipërinë dhe megjithëse shkova në Strasburg, nuk shkova në Francë. Edhe pse do të shkoj në Marsejë, nuk do të shkoj në Francë” tha Papa Françesku në këtë intervistë ndërsa vazhdon:

“Ne jemi duke punuar për një vizitë në Kosovë, por nuk është e përcaktuar”.

Vizita e Papës vjen edhe me ftesë të Kryeministrit Albin Kurti. Kujtojmë se, ky i fundit gjatë takimit në Vatikan më 22 qershor, njoftonte se e kishte ftuar atë në Prishtinë.

Nga Papa Françesku po këtë vit ishte pritur edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Kjo vizitë e paralajmëruar nga Papa Françesku po mirëpritet fuqishëm, derisa po cilësohet një vizitë si shumë e rëndësishme e cila mund të rrisë shpresat për njohjen e Kosovës nga Vatikani.

Qarri: Papa do të rrisë edhe më tepër shpresën për njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës, nga Vatikan

Image
Gani Qarri

Për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli analisti Gani Qarri.

Së pari, ai u shpreh se Papa Françesku është dhe dashamirës i dëshmuar i popullit shqiptar.

Duke pasur parasysh faktin se ashtu siç shprehej edhe vet Papa Françesku, në sheshin "Nënë Tereza", me rastin e vizitës së tij në Tiranë, me 21 shtator të vitit 2014, që Nënë Tereza është bijë e madhe e këtyre trojeve të cilat e meritojnë paqen në shtëpitë tyre, ishte e pritshme që një Papë kaq i devotshëm e madhështor dhe dashamirës i dëshmuar i popullit shqiptar, si Papa Françesku, i cili tërë respektin dhe përkushtimin personal e zyrtar, në vijimësi dhe me prioritet, ua falë popujve e vendeve më të vogla dhe pa mbështetje të mjaftueshme meritore ndërkombëtare, nga atëherë sikur ai vet, na bënte me dije, që Papa Françesku, do ta lumturojë edhe Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj, me vizitën e tij, të dëshiruar dhe të mirëpritur me padurim nga të gjithë shqiptarët”, deklaroi analisti.

Po ashtu, Qarri përmendi edhe ftesën që Kurti ia kishte bërë muaj më parë Papës për ta vizituar Kosovën, e që sipas tij duket qartë se ai e ka pranuar, për faktin se e paralajëmroi një vizitë të tillë.

Në qershor të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vizitoi Vatikanin, ku u takua edhe me Papa Françeskun, me të cilin përveç diskutimeve për bashkëjetesën harmonike fetare në Kosovë, veprën e trashëgimin e të shejtës Nëna Terezë dhe ardhmërinë e peripecitë e shtetit relativisht të ri të Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh se për ta ruajtur dhe promovuar paqen në këto kohë të vështira, Kosovës i nevojitet edhe ndihma e Vatikanit duke i bërë ftesë Papës që ta vizitojë Kosovën, akt të cilin duket se Papa Françesku, e ka pranuar menjëherë dhe siç u shpreh për revistën spanjolle " Vida Nueva" së shpejti edhe do ta realizojë”, theksoi ai,

Në vazhdim, analisti tha se Papa Françesku do i përgëzojë shqiptarët për harmonin fetar, të cilën e ruajtën ndër shekuj.

Do të vijë pra edhe në Kosovë, e tu thotë, mijëra besimtarëve të krishterë e myslimanë njëjtë si në Shqipëri, të mbledhur për ta pritur përzemërsisht nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Zvicra e SHBA etj, edhe pjesës tjetër të popullit (të copëtuar) shqiptarë në shtetin e vogël dhe relativisht të ri të Kosovës, se erdha për t’iu përgëzuar për harmonin fetare, të ruajtur ndër shekuj të shqiptarëve, si vlerë e prekshme dhe e praktikueshme si dhe inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush, te Zoti që në momente të vështira, u qëndron pranë dhe nuk zhgënjen”, të cilit i lutem t’u japë shqiptarëve gjithë mirësinë e tij”, nënvizoi Qarri.

Më tej, ai u shpreh se kjo vizitë ka rëndësi historike, pasi do rritet edhe shpresa për njohjen e Kosovës nga Vatikani.

Përveç rëndësisë historike që do të ketë vizita e Papa Françeskut, për vendin dhe të gjithë qytetarët, nga një personalitet kaq i lartë botëror, jo vetëm fetar, por edhe publik e shpirtëror, shpresohet se Papa do të rrisë edhe më tepër shpresën për njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës, nga Vatikani, njohje e cila do të ishte me rëndësi jetike dhe inspironte të gjitha shtetet mosnjohëse për ndryshimin e qëndrimit të tyre ndaj Kosovës e veçanërisht të pesëshes së BE-së, që të mos kenë më arsyetime, për shtyrjen e më tejme të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, potencoi analisti.

Ndër të tjera, shtoi se në rast se vjen njohja nga Vatikani, atëherë do hidheshin poshtë disa pretendime të Serbisë.

“Madje me njohjen nga Vatikani, do të binte tërësisht në ujë, çdo pretendim i Serbisë hegjemoniste, që vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, të insistojë të mos e njohin edhe më tej, shtetin tonë për shkaqe, të një shumice tjetër fetare në Kosovë, gjë që nuk do të merrej parasysh nga asnjë prej shteteve katolike, përfshi edhe Ukrainën, e cila megjithëse me shumicë fetare ortodokse, ashtu siç shprehet edhe gazetarja e mirënjohur e RTK-së Diana Toska, pritet që deri në fund të vitit, ta njoh edhe ajo pavarësinë e Republikës së Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: Dyert e kancelarive me të rëndësishme botërore, për shqiptarët e Kosovës, u hapën me ndihmën e Vatikanit

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” raportet e shqiptarëve me Vatikanin i cilësoi si të veçanta.

Raportet e shqiptarëve me Vatikanin, historikisht ka qenë specifike dhe speciale. Edhe në historinë me të re, ka qenë Vatikani, përkatësisht Papa Gjon Pali i Dytë, i cili në vitet e 90-ta, u bë ura lidhëse e shqiptarëve të Kosovës me botën.

Dyert e kancelarive me të rëndësishme botërore, për shqiptarët e Kosovës, u hapën me ndihmën e Vatikanit. Në ketë kontekst, asnjëherë nuk duhet harruar kontributin e kishës së Kosovës. Në ketë nivel, besoj që ka vazhduar edhe bashkëpunimi politik në kohen e pasluftës”, deklaroi ai.

Sipas Duhanait, ndonëse skemi njohje zyrtare, Vatikani de-facto e ka njohur Kosovën, derisa për këtë pjesë kërkoi angazhim të shtuar të institucioneve tona.

“Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me Vatikanin dhe, Vatikani ka vite që e ka caktuar Nuncin Apostolik për Kosovën, që në realitet i bie që de facto e ka njohur Kosovën.

Arsyeja pse akoma zyrtarisht nuk ka ndodhur njohja, besoj që me shumë duhet të kërkohet tek institucionet e Kosovës, se sa në Vatikan. Kosova, akoma nuk ka ligj me të cilin i rregullon marrëdhëniet me institucionet fetare dhe kjo është me siguri një hendikep në ketë drejtim”, nënvizoi analisti.

Ndër të tjera, ai shtoi se vizita e Papës është një hap shumë i madh që mund të sjellë njohjen zyrtare të Vatikanit.

Këtë vizitë, analisti e konsideron si kulm të promovimit të shtetësisë së Kosovës.

Për mendimin tim, vizita e Papës, në Kosovë, do të ishte edhe një hapë i madh në këtë drejtim. Vetë vizita si e tillë, nënkupton që Papa po e viziton një shtet, dhe si e tillë është promovim i madh për Kosovën.

Mirë kishte me qenë, nëse institucionet e Kosovës, të gjitha së bashku, të punonin në atë drejtim që vizita të kishte sukses të madh dhe që eventualisht ta shfrytëzonin për t'i përafruar modalitetet e mbetura për njohje përfundimtare.

Sido që të jetë, mendoj që një vizitë e tillë, është kulmi i promovimit të shtetësisë së Kosovës dhe, uroj që Kosova t'i bëj përgatitjet e duhura, për ta shfrytëzuar e kapitalizuar në maksimum”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat