Pretendoi se ish-deputeti i LDK-së bëri atentat ndaj vetes më 2005, Adem Salihaj i kundërpërgjigjet ashpër Shaban Sylës

Politika

Pretendoi se ish-deputeti i LDK-së bëri atentat ndaj vetes më 2005, Adem Salihaj i kundërpërgjigjet ashpër Shaban Sylës

Nga: A.Zh Më: 10 gusht 2023 Në ora: 12:14
Adem Salihaj

Shaban Syla, njëri nga të dënuarit për rastin e ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Adem Salihaj, muaj më parë pretendoi se në vitin 2005, Salihaj ka bërë një atentat ndaj vetes.

Por, absurde dhe të pavërtetë e ka quajtur këtë deklaratë të tij, ish-deputeti Salihaj. Për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se vetëm në Kosovë, kriminelët e dënuar nga gjykata, inkuadrohen live dhe kërcënojnë viktimat.

"Kjo është absurde dhe plotësisht e pavërtetë. Vetëm në Kosovë ndodh që, kriminelë të dënuar me vendime të plotëfuqishme të gjykatës, inkuadrohen live dhe fyejnë dhe kërcënojnë viktimat. Kjo nuk ndodh askund tjetër në botë”, është shprehur Salihaj për “Bota sot”.

I pyetur nëse ende ndihet i “kërcënuar” dhe “kanosur”, për shkak të dënimit të autorëve për atentatin ndaj tij, Adem Salihaj ka pohuar se është ende “pre” e kanosjeve.

“Secili njeri i ndershëm dhe patriot në Kosovë është i kërcënuar dhe rrezikuar nga lloj-lloj bandash e kriminelësh, kështu që edhe ndaj meje vazhdojnë kanosjet. Shteti ynë as nuk ka arritur, as nuk është afër pastrimit të shtetit nga kriminelët dhe bandat”, ka thënë ai.

Ndërsa, lidhur me deklaratën e tij se urdhënësit e atentatit ndaj tij gjenden në Hagë, Salihaj ka theksuar se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në vrasjet politike, që nuk janë në Hagë.

“Çështja e gjykimit të tyre është më e madhe se sa rasti im apo edhe shumë raste tjera individuale. Nuk ka asnjë dyshim se atje janë urdhëndhënësit e shumicës së vrasjeve politike në Kosovë. Por, nuk janë vetëm këta, ka edhe të tjerë që nuk janë në Hagë. Në Hagë po gjykohet diçka më e madhe, ndoshta një tradhti e madhe ndaj çështjes së lirisë dha pavarësisë së Kosovës. Si do të përfundojë kjo, do ta shohim”, ka shtuar Adem Salihaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat