“Nuk është sekret!”, gazetari serb tregon ‘vuajtjet’ e shqiptarëve në Serbi – kërkon reciprocitet edhe në Asociacion

Politika

“Nuk është sekret!”, gazetari serb tregon ‘vuajtjet’ e shqiptarëve në Serbi – kërkon reciprocitet edhe në Asociacion

Nga: A.M. Më: 10 gusht 2023 Në ora: 21:01
Politikologu dhe gazetari serb, Boris Varga.

Politologu dhe gazetari serb, Boris Varga në një bashkëbisedim me “Bota sot” komentoi pozicionin e komunitetit shqiptar në Serbi dhe neglizhimin që ia bëjnë atyre institucionet serbe.

Fillimisht, ai u shpreh se shqiptarë janë të sitgmatizuar në Serbi, por që kjo nuk do ndodhte sikur Shiqpëria të ishte në BE.

“Në letër dhe formalisht, pakicat kombëtare në Serbi kanë të drejta solide. Është tjetër se si zbatohen ato në praktikë dhe si trajtohen pakica të caktuara etnike dhe fetare në shoqëri dhe politikë. Nuk është sekret se në Serbi ka pakica kombëtare të dëshirueshme dhe të padëshirueshme. Komuniteti kombëtar shqiptar në Serbi, për ta thënë më butë, është i neglizhuar. Madje do të thosha se është i stigmatizuar dhe kjo shihet pas çdo ekscesi publik mediatik, tash tri dekada dëmtohen furrat e bukës për të cilat turmat nacionaliste dyshojnë se janë shqiptare. Sigurisht se kjo nuk do të kishte ndodhur sikur Shqipëria të ishte në BE dhe të mund të shtrëngonte direkt Beogradin”, deklaroi gazetari serb.

Krahas kësaj, Varga potencoi se të gjithë komunitetet tjera kanë trajtimin e duhur, përveç shqiptarëve.

Më tej, ai përmendi edhe raportet Rama-Vuçiq dhe projektin e “Ballkanit të Hapur”.

“Ato bashkësi kombëtare shtetet amtare të të cilave janë në BE, kanë trajtim më të mirë, sepse ato mund të bllokojnë integrimin evropian të Serbisë, si kroatët, hungarezët, rumunët, bullgarët. Mirëpo, Ballkani i Hapur e zbuti disi trajtimin e tillë të shqiptarëve në publik, dhe qeveria prej zori u gjet edhe në Luginën e Preshevës. Ballkani i Hapur është një projekt perëndimor, por populist dhe do të varet nga marrëdhëniet e mira mes Vuçiqit dhe Ramës. Shtetet e tjera si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina shpesh kanë të drejtë nëse kanë rezerva ndaj Ballkanit të Hapur dhe këtij lloji të politikës”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, gazetari serb shtoi se shqiptarët që jetojnë në Serbi duhet të marrin atë që kërkojnë edhe serbët në Kosovë, përfshirë Asociacionin e komunave.

“A duhet që shqiptarët të marrin në Serbi atë që kërkojnë serbët në Kosovë, natyrisht. Kjo nuk është edhe joreale, duke përfshirë edhe Asociacionet e komunave, serbe dhe shqiptare, në të dyja anët e kufirit. Serbia së pari duhet ta trajtojë Kosovën si një hapësirë ku shumicën e përbëjnë njerëz të nacionalitetit shqiptar, dhe vetëm pastaj si një territor që e ka humbur. Asgjë nuk është e padrejtë, kjo u ka ndodhur në histori shumë komunitetve të papërgjegjshme dhe të dhunshme”, përfundoi Boris Varga për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat