“Lufta mes gjigantëve, Kosova po paguan haraçin”, analisti nga Amerika: Perëndimi do ta humbë betejën me Serbinë!

Politika

“Lufta mes gjigantëve, Kosova po paguan haraçin”, analisti nga Amerika: Perëndimi do ta humbë betejën me Serbinë!

Nga: N. Shaqiri Më: 10 gusht 2023 Në ora: 23:06
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Profesori dhe analisti politik i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Binak Maxharraj, duke folur për gjendjen e tensionuar në veri të Kosovës, thotë se perëndimi do të humbë betejën me Serbinë.

E kjo pasi, sipas tij, shumë po i bëjnë lajka Serbisë, e cila është kundër perëndimit, por ka një linjë të përbashkët me Rusinë.

Maxharraj thotë se, në veriun e Kosovës tash e 25 vjet, tmerrin dhe terrorin po e shkakton Serbia vrastare.

Profesori pohon se perëndimi po mundohet të kthejë Serbinë nga ana e tyre.

“Në veriun e Kosovës, tash e 25 vjet Serbia po shkakton tmerr dhe terror, por kur është në pyetje biseda me ndërkombëtarët del nga lëkura e ujkut e cila i huton ndërkombëtarët me imagjinatën e saj paqësore, por në të vërtetë me shpirt janë profashist, çetnik, vrasta dhe kriminelë, prandaj i vetmi shkak se perëndimi i ‘laritet’ kaq shumë e kaq keq Serbisë është interesi i perëndimorëve për të përfituar, kthyer Serbinë kah perëndimi”, thotë Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se Serbia është kundër perëndimit dhe është më afër me Rusinë dhe Kinën.

Maxharraj vlerëson se Kosova po e paguan këtë betejë strategjike.

“Ndërkombëtarët një gjë janë duke harruar, se siç thotë populli ‘thiun e nxjerr nga lloqi, ai përsëri futet në lloq”, prandaj po harrojnë se foleja e Serbisë është lindja. Serbia është kundër perëndimit përderisa Putini do të jetë i fortë dhe nuk e lejon Serbinë të kaloj andej. Serbia tani është më afër aleancës me Rusinë dhe Kinën, por në strategji po humbë, është zënë pyk Kosova e cila po e paguan haraçin e kësaj betejë të pakuptimtë strategjike midis gjigantëve”, thekson profesori.

Ai shton se luftën e gjigantëve më së miri e tregon historia.

“Sa herë që janë luajt gurët strategjik të gjigantëveka humbur Kosova e cila vazhdimisht është tkurrë, është zvogëluar në dobi të sllavizmit të cilët erdhën nga Malet e Karpateve si okupues të trojeve shqiptare, duke i ndarë, asimiluar dhe duke i shpërngulur e deportuar me dhunë më së shumti në Turqi, ku sot atje jetojnë mbi pesë milionë shqiptarë pa asnjë të drejtë nacionale apo kombëtare”, thotë ai.

“Krejt këto ndodhën sipas projekteve famëkeqe, të qëllimshme që nga koha e Serbisë së vjetër, ish Jugosllavisë e deri në ditët e sotme, sipas projekteve të qëllimshme për këtë siç është ai më i rrezikshmi i Vasa Çubroloviqit, Ivo Andriqit, e shumë të tjerë”, përfundon profesori Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat