Escobar “shokoi” Serbinë/ Zbardhet qëllimi i deklaratës për zgjedhjet e reja në veri

Politika

Escobar “shokoi” Serbinë/ Zbardhet qëllimi i deklaratës për zgjedhjet e reja në veri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 gusht 2023 Në ora: 10:19
Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

ShBA do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës edhe nëse serbët (Lista serbe) do t’i bojkotojë ato. Kështu ka deklaruar i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të martën, gjersa u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës.

Ai kërkoi që të ndalen djegiet e automjeteve, pasurisë së palujtshme dhe kërcënimet ndaj komunitetit serb në veri, që nuk vijnë nga shqiptarët.

I pyetur nëse zgjedhjet lokale në veri të Kosovës do të jenë legjitime nëse serbët i bojkotojnë ato, ai tha se fakti që disa parti politike bojkotojnë zgjedhjet nuk përcakton rezultatet e zgjedhjeve dhe tha se SHBA do të njohë rezultatet e zgjedhjeve.

“I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, deklaroi Escobar.

Ai tha se SHBA-të po kërkojnë që serbët të kthehen në departamentet e policisë, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.

“Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje. Kjo është një pyetje vërtet komplekse. Do të duhet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”, u shpreh Escobar.

Deklarata e Esobar për zgjedhjet në veri, sipas analistëve politikë, është që ta “gjuaj topin” te pala serbe, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje. Sipas tyre, me deklarimin e të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, zgjedhjet e serishme në veri do të pranohen dhe kësaj radhe nuk do të ketë lëvizje negative pas mbajtjes së tyre.

Mehmeti: Kjo deklaratë gjuan topin tek pala serbe

Analisti politik Faton Mehmeti, thotë se Escobar ka bërë në deklaratë të ngjashme edhe para zgjedhjeve të 23 prillit.

Sidoqoftë, Mehmeti shprehet se dëshiron të besojë se këtë herë ShBA do të tregohet më e vendosur në mbrojtje të vendimeve të saj dhe nuk do të ndodh si herën e parë ku shkeli fjalën e saj.

Deklaratë të tillë z.Escobar kishte dhënë edhe para mbajtjes së zgjedhjeve të 23 Prillit. Pavarësisht se njohën rezultatin, SHBA ndryshoi qëndrim duke akuzuar Kosovën për shkuarjen në punë të kryetarëve të dalë nga ato zgjedhje. Më duket situatë e njëjtë si para zgjedhjeve të 23 Prillit. Gjithsesi, kjo deklaratë gjuan topin tek pala serbe që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja në veri. Besoj se Serbia s’do e marr shume seriozisht, megjithatë SHBA të tregohet e vendosur që pavarësisht sa është përqindja e atyre që dalin zgjedhje më s’do të ketë dhe ato do të njihen. Dua të besoj se këtë radhë SHBA-ja tregohet më e vendosur në mbrojtje të vendimeve të saja, s’do të ndodh si radhën e parë ku shkelën fjalën e tyre”, deklaron analisti Mehmeti.

Rreth zgjedhjeve në veri të Kosovës, ka folur të enjten edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku u shpreh se kur 20 për qind e elektoratit shpreh vullnetit për t’ua ndërprerë mandatin kryetarëve aktualë, dëshmohet se nuk do të bojkotohet zgjedhjet.

Ai ka përsëritur që nuk është i kënaqur me pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës.

“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj, kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual”, deklaroi Kurti.

Mulliqi: Uashingtoni zyrtar, por edhe BE-ja , nuk do të tolerojnë në pakufi

Në anën tjetër, analisti politik Skënder Mulliqi, përmend letrën e 56 diplomatëve ndërkombëtar, në të cilën këta të fundit i kanë dhënë mbështetjen për Kosovën dhe i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, për qasje më të ashpër ndaj Serbisë.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, Uashingtoni zyrtar por edhe BE-ja nuk do ta tolerojnë në pakufi Vuçiqin dhe kërcënimet e tij me luftë për ndarje etnike të Kosovës.

“Pas raportimit të Gabriel Eskobarit para ligjvënësve amerikanë ku edhe mori kritika lidhur me qasjen e tij ndaj dialogut Kosovë-Serbi, dhe pas letrës së 56 diplomatëve të dërguar ndërmjetësit tjetër ndërkombëtar në bisedime spanjollit, Borrel, do të ndryshojnë edhe veprimet ne raport më Serbinë. Duket së Uashingtoni zyrtar, por edhe BE-ja , nuk do të tolerojnë në pakufi obstrukcionet politike të Vuçiqit dhe kërcënimet me luftë për ndarje etnike të Kosovës. Struktura e BE-së por edhe Amerika kishin pranuar edhe më parë zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe si legjitime, por kur erdhi koha e instalimit të kryetarëve të rinj, shumica shqiptarë, sikur ndryshuan qëndrim. Patëm disa deklarime të Borrelit, Lajçakut por edhe të Eskobarit, të cilat deklarime fajësuan Qeverinë e Kosovës për eskalim të situatës në veri, e në fakt këtë eskalim në dhunë e bënë bandat serbe të instrumentalizuara në Vuçiqi dhe Putini, të cilët bën përpjekje që më demonstrata të dhunshme ku u lënduan policë të Kosovës, e shumë pjesëtarë të KFOR-it, jo vetëm të pengojnë hyrjen e kryetarëve te rijnë në objektet komunale, por edhe provokuan gjendjen për të implementuar me dhunë Asociacionin më kompetenca ekzekutive. Faji pas këtyre ngjarjeve shumë pa të drejtë për përshkallëzim të situatës ju faturua palës së Kosovës, e cila edhe u ndëshkua politikisht dhe ekonomikisht nga BE-ja”, shprehet Mulliqi.

Deklarata e Esobar, sipas Mulliqit, është tregues se ndërkombëtarët më në fund do të veprojnë edhe me sanksione ndaj Serbisë.

“Më duket se deklarimi i Eskobarit, se zgjedhjet e serishme në veri, do të pranohen kësaj radhe nuk do të këtë lëvizje negative pas mbajtjes së tyre, se tashmë është kuptuar mirë për mos ndryshim me asnjë kusht të Vuçiqit, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet vëllazërore me Rusinë. Tjetër. Bota Perëndimore sikur është lajthitur me mendimet se duke i lëshuar pe rregullisht Vuçiqit, do të arrijnë të shkëpusin Serbinë nga ndikimi i politikës të Putinit. Lista Serbe e cila edhe herën e parë me rastin e zgjedhjeve kërkoi bojkotim të tyre, edhe ashtu ndodhi, edhe tash po kërkon të njëjtën gjë nga partitë politike serbe që gravitojnë në Kosovë, që të bojkotojnë edhe zgjedhjet e paralajmëruara, më qartë morën kritika shumë më serioze se kurdo herë më parë nga amerikani Eskobar. Kjo është një tregues se ndërkombëtaret më në fund do të veprojnë edhe me sanksione ndaj Serbisë, e cila po e kërcënon rregullisht Kosovën me luftë, por edhe Malin e Zi dhe Bosnjën”, shton analisti Mulliqi.

Kujtojmë se ndërkombëtarët kanë kërkuar zgjedhje të reja në katër komuna në veri të Kosovës pas tensioneve që u krijuan. Për këtë çështje, tashmë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka nisur punën për krijimin e udhëzimit administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja përmes peticionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat